Ahmeti: Rrugëtimin tonë do ta vazhdojmë së bashku
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me rastin e 14 vjetorit të themelimit të këtij subjekti politik, përmes një kumtese për media, ka uruar të gjithë bashkëpunëtorët, anëtarët, përkrahësit, simpatizantët, bashkëveprimtarët si dhe të gjithë qytetarët e vendit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“5 qershori i vitit 2002 do të mbetet përgjithmonë një datë e shënuar për të gjithë ne, dita kur të gjithë bashkë vendosëm që të themelojmë subjektin trashëgues dhe pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Bashkimin Demokratik për Integrim. Në 14 vitet e veprimtarisë së deritanishme, Bashkimi Demokratik për Integrim u mishërua me qytetarët dhe qëndroi gjithmonë bashkë duke ju prirë atyre në ballafaqimin me sukses të sfidave të shumta të cilat na dolën përpara, ndërsa arritëm të shënojmë edhe shumë përparime në të gjitha sferat e jetës shoqërore”, thotë Ahmeti në urim.
Përvjetori jonë i 14, shton ai, vjen në rrethana shumë sfiduese për të na përkujtuar që na mbetet edhe shumë punë para nesh të cilën përsëri do ta realizojmë bashkë. “Ftoj çdo anëtar dhe bashkëpunëtor që të punojë me përkushtimin më të madh në realizimin e orientimeve tona kombëtare, synimeve integruese si dhe ne drejtim të zbatimit të përcaktimeve tona programore në dobi të qytetarëve, ndërsa njëkohësisht siguroj përkrahësit dhe qytetarët që ne asnjëherë nuk do t’i shmangemi këtyre përcaktimeve të përpiluara bashkë”, ka shtuar lideri i BDI-së.
Gjatë këtyre viteve, Bashkimi Demokratik për Integrim, thuhet më tej në kumtesë, ka instaluar vlera afirmative të cilat vlerësohen nga qytetarët, përfshirë promovimin e demokracisë së mirëfilltë, shmangies së ofendimeve, sharjeve, por edhe revanshizmit ndaj konkurrentëve politik. Gjithashtu, BDI ka promovuar vlera shtet-formuese pavarësisht dallimeve prezentë tek bashkëqytetarët të cilët, siç shtohet, akoma nuk e shohin procesin konsensual si të pashmangshëm por edhe përfitues për vendin.
“U angazhuam për ngritje të cilësisë së arsimit, hapje të universiteteve, shkollave të mesme dhe fillore, avancuam qeverisjen lokale dhe e përafruam pushtetin tek qytetari, vijuam me promovimin e dialogut, kompromisit dhe mirëkuptimit, ndërtuam dialog konstruktiv dhe bashkëpunues me Brukselin dhe Uashingtonin, i primë reformave dhe vepruam me guxim dhe vizion në momente vendimtare. Të nderuar bashkëveprimtarë, bashkëpunimi, përkrahja e ndërsjellë, mobilizimi i pashoq dhe përkushtimi për bashkësinë janë karakteristika që kanë shënuar veprimtarinë e anëtarëve tanë në të gjitha strukturat organizative dhe kjo frymë e bashkësisë dhe e solidarizimit do të vijoj ta karakterizojë BDI-në, sepse të tillë e duan shqiptarët, të bashkuar dhe të përkushtuar për njëri – tjetrin dhe me njëri – tjetrin në shërbim të qytetarëve dhe vendit”, thotë në letrën e urimit, kryetari i BDI-së Ahmeti, duke nënvizuar se bashkë dhe me përkushtim do ta vijojnë rrugëtimin, misionin dhe idealin për të mirën e përgjithshme duke mos reshtur për asnjë çast në përpjekjet për të realizuar qëllimet e përbashkëta”, thuhet në kumtesë.