Albspirit

Media/News/Publishing

Çështja çame, çështje e dinjitetit kombëtar

 

 

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila është simotra e vogël e një koalicioni të madh politik, me ambicie të shpallura kombëtare, më kujton për nga buqeta e larmishme e përfaqësimit gjeografik të shqiptarëve që ajo përmbledh, një paraardhëse të saj shumë të denjë, por pak të njohur.

 Teksa pashë këtu Mesila Dodën, e veshur perfekt me ngjyrën e Rilindjes, nuk kam sesi të mos e nis me Preng Gjokën, pinjollin e Gjon Markajve të Mirditës, i cili në vitin 1883 kryesonte një Komitet qendror shqiptar të Korfuzit, i përbetuar të mbronte midis të tjerash, pacenueshmërinë e trojeve çame si trashëgimi të një populli autokton.

 Ky katolik malësor, Preng Gjoka, më 7 nëntor të 1883-it doli me një proklamatë publike drejtuar fuqive të mëdha, në emër të këtij Komiteti, ose të një partie gege e toske shqiptare, e cila vibron edhe sot në dejet e kombit tonë, si një klithë shpagimi moral që kërkon drejtësi dhe jo hakmarrje, për bashkim në ndërvartësinë europiane dhe jo fraktura shoviniste. 

Proklamata fillon me këto fjalë: “Shqiptarët e Shqipërisë së Epërme, të Epirit dhe Maqedonisë, për qeveritë shpirtmira dhe humane të Europës” dhe përfundon me një klithmë që vazhdon të jehojë edhe sot dhe që është udhërrëfyesi juaj, por dhe brenga jonë e përbashkët kombëtare: “Ky është zëri universal i gjithë banorëve të Shqipërisë së Epërme, Epirit dhe Maqedonisë, që urrejnë të jetojnë më gjatë nën shtypje, apo të jenë si një kope delesh e shitur sa tek një princ, tek një tjetër. Si pasojë, me zemrën të copëtuar nga hidhërimi, ata i bëjnë thirrje humanitetit të qeverive shpirtmëdha të Europës, ata përgjërohen për një mbrojtje të mirëqenë dhe ju përgjërohen që për mizorinë kryeneçe dhe çnjerëzore, thirrja e fuqishme të jetë “Ndal!” Edhe këta janë bijë të  Zotit, para të cilit gjithë njerëzit janë të barabartë. Lërini të qetë të kujdesen për fatin e vet.”

 Jam shumë i lumtur vërtetë që jam mes një grupimi militant të drejtash dhe dinjiteti, i lindur si plotësisht çam, por i zhvilluar përtej kësaj bërthame.

 Sipas artistes së paharruar botërore, Isadora Duncan, altarin e tij të parë, Zeusi e pati në shpatet hyjnore të Çamërisë. Por kjo e sotmja nuk është koha dhe kjo e juaja nuk është partia që duhet të mbërthehet mbas të shkuarës, për të nxjerrë drutë e zjarrit të një nacionalizmi primitiv.

 Shpresoj që mos ma marrin për keq fqinjët, aq më tepër që është ditë e shtunë dhe të mos ankohen që e bëmë edhe Zeusin, çam. Ajo që desha të them është se gara me mitet nuk i ka sjellë kurrë, asgjë të mirë, fqinjësisë mes vendeve, shteteve, popujve dhe komuniteteve. Gara se kush është më i vjetri në një tokë, se kush i ka më të mëdhenj heronjtë e së shkuarës, se kujt i takojnë kurorat e dafinave për luftërat e bëra në të shkuarën, është një garë që i takon së shkuarës. Prandaj, edhe këtë shëmbëlltyrë përbashkuese që ju keni krijuar nën degën kuptimplotë të ullirit, PDIU-së, unë e shikoj si kultivuese të fqinjësisë së mirë, por në vërtetësi dhe zëdhënëse të vendosur të domosdoshmërisë për reciprocitet në drejtësi dhe në integrim të shqiptarëve mes vedi dhe me fqinjët.

 Unë e besoj siç e kam besuar gjithmonë, edhe kur kam qenë krejtësisht jashtë arenës së politikës së përditshme dhe e kam parë me shqetësim se çfarë kanë kërcënuar të prodhojnë edhe për ne, – fatmirësisht deri më sot nuk ia kanë dalë – ethet e nacionalizmit folklorik, se vendit tonë nuk i duhet një kozmopolitizëm pa thelb, por i duhet një patriotizëm modern.

 

Ky patriotizëm që vjen nga poshtë, që merr energji nga shqiptarët e ndarë në shumë territore dhe në shumë vende të botës, në trojet amë apo në emigracion, që merr energji nga vepra të njohura dhe të panjohura njerëzish të mëdhenj apo të zakonshëm, që merr energji nga kombëtarja jonë e futbollit dhe që shumëfishohet në riprodhimin e energjisë nga heqja e barrierave, njëra pas tjetrës, në hapësirën ndërshqiptare, i përhapur kryesisht tek brezi më i ri, është patriotizmi i shëndetshëm për kohën tonë. 

Një patriotizëm që nxit pasion për t’i shërbyer emrit të mirë të familjes dhe përmes tij, emrit të vendit tënd, por që nuk kall yryshe dhe nuk ushqen urrejtje. Ai shërben si shtysë dhe sa më i fuqishëm të jetë, aq më e fortë do të jetë shtysa për të gjithë ne vendimmarrësit, sot dhe nesër, që t’i referohemi gjithmonë e më shumë interesit kombëtar, jo si një flamur pathosi për të treguar në teatrin e madh të politikës para spektatorëve se kush e do më shumë Shqipërinë, por si një energji pozitive që duhet të na bashkojë në dashurinë për Shqipërinë.

 

Unë dje isha në Kosovë, në mbledhjen tashmë zakonore të dy qeverive. Gjithmonë e më shumë bindem në drejtësinë e vizionit largpamës të mikut tonë, Arbën Xhaferri, të cilin e kujtojmë gjithmonë me përulje për gjurmëzimin e rrugës së bashkimit ekonomik. Ka pasur një herë, dikur, një rrugë që thoshte “bashkim kombëtar, pastaj integrim mes vedi”. Ky është një shekull i ri, kjo është një kohë e re. Në vend që të kacafytemi me njëri-tjetrin se kush i do më shumë se kush të bashkuar shqiptarët, duke u bërë edhe gazi i botës, le të përpiqemi me njëri-tjetrin të integrohemi mes vetes, sepse kjo është rruga drejt bashkimit kombëtar.

 

Më shumë sesa një fjalim për bashkimin kombëtar vlen një terminal doganor për Kosovën në Durrës. Më shumë sesa një deklaratë për bashkimin kombëtar vlen bashkimi i hapësirës, për të dhënë dhe për të marrë ekonomikisht dhe kështu me radhë, me hapa shumë të vegjël, që në fakt janë domosdoshmëri për të ndjekur një rrugë të gjatë dhe për të arritur një qëllim të madh. Një qëllim i madh nuk arrihet vetëm me një hap të madh, por kërkon hapa të vegjël dhe të vendosur njëri pas tjetrit.

 

Shpëtimi ishte dashamirësisht kritik ndaj meje dhe e bëri këtu, në Pallatin e Sportit dhe fiks këtu ku ka qënë koshi i basketbollit. Duke qënë se unë kam luajtur basketboll, e mësova që atëherë, që në basketboll gjuhet më i gjati, në politikë gjuhet më i madhi dhe në jetë gjuhet ai që bën më shumë, edhe ai që bën çfarë mundet, por nuk ka çfarë bën më shumë. Kështu që, gjuajtjet e Shpëtimit janë të mirëseardhura dhe me siguri kanë efektin e dobishëm që të më bëjnë mua të mos kënaqem asnjëherë më gjatësinë time.

Ju falënderoj të gjithëve që më ftuat në këtë Kongres të parë themelues apo rrënjëlëshues. Për ju, rrënjët janë të rëndësishme, por edhe për mua janë të rëndësishme dhe mundësia për të mbajtur fjalë është privilegj. Ju falënderoj! Falënderoj Shpëtimin që foli aq gjatë, se nuk do të ankohet njëri për mua që fola më gjatë se të gjithë.

Falënderoj po ashtu, edhe sepse më jepet rasti të përshëndes të gjitha ata që kanë ardhur për të begenisur këtë eveniment të rëndësishëm për partinë tuaj, por që i japin edhe një përmasë më të plotë qëllimit dhe përmbajtjes së partisë suaj. Një përshëndetje shumë e sinqertë për mikun tim, Ramush Haradinaj, Visarin dhe më radhë, nga Maqedonia, Mali i Zi, deri nga Bursa e Turqisë apo nga Shoqata Vatra e Shteteve të Bashkuara. E falënderoj Shpëtimin se u bë sebep që të takohem edhe unë me Vatrën, sepse mua, Vatra më sheh si njeri të dyshimtë.

Përshëndetja ime nuk është vetëm kënaqësia për të komunikuar në publik me ju, por ka dhe një arsye më shumë. Unë e kam ndjekur me vëmendje dhe më besoni, të gjithë e ndjekim me vëmendje rritjen e PDIU-së dhe mund t’ua them hapur,  jo gjithmonë me kënaqësi, sepse do të kisha pasur dëshirë t’i merrnim ne ato vota. E mos kujtoni se e kam vetëm unë, këtë merak. I kam vlerësuar të zgjedhurit tuaj lokalë në disa bashki të qeverisura nga koalicioni ynë dhe e solla këtu, këtë fakt, jo për të bërë një deklaratë xhelozie, – nuk jam në fakt, – por sepse nga aktivitetet tuaja të fundit, ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë tubimet në zona të Shqipërisë ku nuk ka komunitet çam, si dhe pjesëmarrja masive, edhe në ato zona, në votimet tuaja me “një anëtar, një votë”.  

Shpëtim, unë i pranoj shumë kritikat tuaja, pranoje edhe ti një konsideratë timen; Rivalin, mikun tim Halil, e kishte zgjedhur për merak, por ishte shumë miqësor ndaj teje dhe fakti që mori aq shumë vota, gjithsesi duhet të të bëjë të mendohesh mirë se ke akoma shumë për t’i dhënë PDIU-së.

Pse është e rëndësishme kjo që sapo thashë, se këtu në ketë sallë ka delegatë që nuk kanë origjinë çame, përveç atyre që e kanë. Ka delegatë nga Tropoja, nga Lezha, të mos flasim për Dibrën që pak nga pak po duket sikur është pjesë e Çamërisë.

Më vjen shumë mirë për këtë, sepse kjo mishëron atë që Shpëtimi e nënvizoi me force dhe me të drejtë, se PDIU nuk është një parti e lindur për t’i rënë në qafë askujt, në emër të një identiteti të cenuar, por është një parti e lindur mbi atë identitet të cenuar, për t’u zhvilluar nga një degë ulliri, në një pemë paqeje në të cilën ka vend për të gjithë. 

Duke iu kthyer shembullit me Komitetin e moçëm të Korfuzit, nga i cili vetshkarazi mund të pretendohet se keni trashëguar letra fisnikërie, bërthama çame është shpirtit juaj, por bërthama çame nuk është një frazeologji e pluhurosur e aq më pak boshe. Kjo është pjesa më e rëndësishme e kontributit  tuaj, në radhë të parë, sepse e çpluhurosët dhe e mbushët me përmbajtje një koncept që për 1001 arsye – Shpëtimi i shpjegoi pjesërisht më mirë, por do të duhej një natë e gjatë për t’i shpjeguar të gjitha, – është kultivuar si i tillë, sikur i përkiste diçkaje pa lidhje, plot pluhur, në boshllëk.

Kjo parti ka barrën ta provojë në fjalë dhe në vepra, se kjo bërthamë, jo vetëm nuk është frazeologji  e vjetër, aq me pak boshe, por edhe se nuk është bërthama e një nacionalizmi pseudo-burrëror dhe shkatërrimtar, por është bërthama e një vatre bashkëjetese dhe dinjiteti kundër tkurrjes lokaliste dhe marramendjes identitare.

Për të rikujtuar atë grupim politik të fillimviteve ‘20-të, të cilit i detyrohemi jo vetëm mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, nxjerrjen në pah, me forcë, në arenën kombëtare, të vuajtjes së shqiptarëve dhe çamëve, por dhe belbëzimet e një demokracie të vërtetë, atë që dua të them, – për të plotësuar mendimin lidhur me PDIU, që unë e konsideroj një krah kombëtarist të koalicionit, nëse mund ta them kështu, – po e them me vargjet e një çami të madh, Abedin Pashë Dinos, vargje që në fakt janë në program: : “Me Austrinë dhe me Greqinë, veç e veç të  jeni miq, se mos bëheni armiq, veç rrini e keni fuqinë, ligjin dhe lumturinë, i krishterë je, mirë se të jesh,  mysliman mirë se të vesh”.

Më vjen mirë që origjina çame theksohet dhe komuniteti çam është një mbijetues shembullor, me gjithë diskriminimin që nuk ka qenë vetëm në një shtet, por në dy shtete; Një diskriminim në Greqinë e zjarrmive nacionaliste, por edhe në Shqipërinë komuniste.

Kjo mbijetesë i detyrohet dhuntisë së sipërmarrjes dhe jo vetëm thirrjes së gjakut. Por edhe ndjenjës së përkatësisë të krijuar mbi rrëfime dhe mbi amanete të kaluara, në formë legjendash dhe në rrugën e folklorit që është zanafillor, kur vjen puna për çamët.

Mos prisni që na ky Kongres, unë të hedh rruge mbi Greqinë, se këtu nuk jemi në malin e Olimpit dhe nuk kemi as ndonjë mandat për të bërë punët e Perëndisë, megjithëse Anzat e Parnasit të shekullit 21 do të thoshin ndryshe. 

Megjithatë më lejoni ta them me krenari, atë që ju e dini dhe Shpëtimi e di më mirë se të gjithë; Unë jam kryetari i të parës parti politike shqiptare që çështjen çame e futi të zezë mbi të bardhë në programin e vet. Jam me krenari, kryetari i të parës qeveri shqiptare që jo vetëm marrëdhëniet me Greqinë, por ndaj të gjithë fqinjëve dhe të tjerëve përtej fqinjëve është e vendosur të tregojë dinjitet dhe vendosmëri në kërkesën për reciprocitet në respekt, ose siç i pëlqen ministrit tuaj shumë të dashur të Punëve të Jashtme, qartësi strategjike.

Lidhur me kërkesat historike që ju i ngrini dhe që avokati i famshëm ka marrë përsipër t’i trajtoje në rrugë ligjore, më lejoni t’ju them diçka solemnisht. Marrëdhënia me Greqinë është ajo me një popull, me të cilin historia na ka lidhur pazgjidhshmërisht, si për të na e sprovuar durimin dhe për të na kultivuar talentin e kuvendimit.

Teksa, hap pas hapi, e vërteta është që çështja çamë po faktorizohet, shqisa e forcës së verbër po tretet. Ashtu siç në çdo organizëm mbijetuesi po forcohet një tjetër shqisë, shqisa e forcës së shembullit. E shembullit që duhet të na bëjë me të urtë, jo në kuptimin të urtë kokulur, por më të urtë në vendosmërinë tonë për të këmbëngulur në një të drejtë të mohuar në kaq shumë vite, deri në pikën sa fqinjët as nuk pranonin ta hapnin fare si bisedë dhe kërcënonin që, nëse do ta hapnim këtë temë, do të iknin nga tavolina.

Sot, në harkun e 32 muajve ka ndryshuar diçka themelore. Jo vetëm që tani nuk ikin ngrihen nga tavolina, por kanë kuptuar se për ne, kjo nuk është një çështje revanshi, por një çështje dinjiteti!

 Të  mos harrojmë që u deshën dekada që edhe gjenocidi më i madh i shekullit të shkuar, ai ndaj hebrenjve, të përmendej hapur në publik.

 Koha e klithjes megjithatë ka ikur. Tani është koha e kujtesës dhe e rivendikimit pa pasione nacionaliste, por me qartësi dhe vendosmëri patriotike dhe europiane, sepse është e pamundur që në mes të Europës një çështje e tillë as të mos përmendej. Do të duhet ende shumë kohë, por pa asnjë diskutim është hapur rruga e duhur dhe jemi në drejtimin e  duhur.

Nuk ka forum dypalësh greko-shqiptar, nuk ka forum shumëpalësh ku ceken të drejtat e njeriut dhe ku pa asnjë ngarkesë provokuese për fqinjët, por vendosmërisht dhe qartësisht, qeveria jonë të mos ngrejë këtë çështje dhe të mos përpiqet të shtyjë këtë problem drejt zgjedhjes, sepse ky nuk është një turp mes fqinjësh, nuk është as edhe një turp ballkanik, por është një turp europian.

 Nuk është vetëm turp i atyre që për ngarkesa të caktuara të së shkuarës i druhen diskutimit të çështjes, por është dhe turpi i të tjerëve në familjen europiane, që as nuk e dinë fare se çfarë është kjo çështje. E shteti shqiptar nuk ka sesi të mos jetë partneri më i fortë, më i qëndrueshëm dhe jo sot që kemi këtë qeveri, por ajo që është më e rëndësishmja, kjo qeveri e ka vendosur çështjen në një pikë, ku asnjë qeveri tjetër më pas nuk mund ta kthejë mbrapa.

 Sfida juaj e përditshme mbetet konsolidimi i profilit modern dhe nacionalizma juaj që ngulmon në kërkimin e drejtësisë dhe jo në neveritjen, përçmimin, urrejtjen ndaj tjetrit, ju dallon sot, por duhet t’ju dallojë qartë e më qartë, thellë e më thellë, nga ato grupime politike fqinje, revanshizmi absurd dhe makabër arrin të pjellë deri edhe mostra si Agimi i Artë.

 

U desh që të krijohet kjo qeveri, që të hapej me seriozitet një çështje që ishte aty dhe të gjithë bënin sikur nuk e shikonin. Jemi në luftë me Greqinë, ka një ligj lufte. Një ligj lufte me një vend që kemi traktat miqësie! Pse ky ligj lufte është aty dhe si ka mundësi që ka mbetur aty si tabu e palëvizshme?! Palës tonë, në të gjithë këto vite i ka mjaftuar përgjigja: “Po ç’rëndësi ka, ai ligj është kot. Ne jemi miq, kemi Traktatin e Miqësisë.” Nëse është kot, çfarë na kushton ta heqim?!

 Ne e kemi kusht për të çuar në një fazë të re marrëdhënien me Greqinë, për të cilën jemi shumë të interesuar, heqjen e ligjit të luftës. Ne duam të krijojmë një miqësi prej një standardi të ri, një miqësi pa dollapë të mbyllur, pa zona të mbyllura, ku nuk hyhet, për të cilat nuk flitet dhe pa fantazmat e së shkuarës, të cilat na hyjnë në mes, sa herë që ka një nevojë andej apo këtej për t’i hedhur benzinë zjarrit të dasisë.

 Standardi i ri nënkupton që ka vdekur ajo kohë, kur fqinji i pasur i tregonte fqinjit të varfër se çfarë ishte e mundur dhe çfarë ishte e pamundur. Nuk e di sot, a jemi më të varfër se ata, por di se sado të varfër të jemi, nuk ia lejojmë asnjë fqinji dhe asnjë të pasuri që të na trajtojë sikur të jemi më të vegjël në të drejtën për dinjitetin tonë. Ajo kohë ka vdekur.

 U desh ca kohë që fqinjët tanë ta kuptojnë. E kanë kuptuar dhe sot jemi në kushtet kur po ndërmarrim një hap shumë të madh dhe të çlirohemi nga këto barrë të së shkuarës. Por çlirimi nga barrat e të shkuarës nuk fillon dhe nuk mbaron tek deti, që ne nuk e negociojmë. Është territori shqiptar që e fali, – nuk po ia përmendim emrin, që mos të na mërzitën demokratët që janë këtu në sallë, se kjo është parti e të gjitha krahëve, – sikur fali një sikur fali një dele të babës. Ai është deti i Shqipërisë dhe duhet t’i kthehet Shqipërisë.

 Por nuk mbaron këtu. Fillon tek ligji i luftës dhe vazhdon tek fakti që çështja çame është një çështje për të cilën duhet të diskutojmë, të diskutojmë e diskutojmë. U them të gjithë çamëve të Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarëve se ne, qeveria jonë do ta mbështesë fuqimisht të gjithë përpjekjen në rrugën ligjore që u deklarua këtu, sot.

 Ne kurrë nuk mund ta pranojmë cilësimin e komunitetit çam si bashkëpunëtor i nazistëve. Kjo është e papranueshme historikisht, por kjo është e papranueshme moralisht, sepse fajësimi kolektiv i çamëve është në thelb vrasja e dytë e tyre dhe në praktikë është qesharak. Siç e tregon karriera politike e shumë familjeve të mëdha në Greqi apo kudo, nëse i përmbahemi përgjegjësisë kolektive, nëse i përmbahemi përgjegjësisë të nipit për gjyshin, atëherë nuk na mbetet vetëm që këtu të fillojë të këndojmë internacionalen, të shpallim rivendosjen e komunizmit dhe t’u kthehemi çamëve nga e para, si në kohën e barbarisë. Dhe këtë na e thonë ata, të cilët jetojnë në demokraci dhe që vijnë nga një histori e vjetër e demokracisë. Jo!

 PDIU nuk është vetëm çështja çame, por edhe një parti që synon të rritet normalisht në mjedisin e debatit politik, ekonomik dhe social. PDIU është një parti që ka dhënë kontribute të rëndësishme dhe më i rëndësishmi ndër to deri më sot, përtej çështjes çame, është reforma administrative-territoriale. Një kontribut që unë i jam mirënjohës Shpëtim Idrizit dhe të gjithë deputetëve, sepse në atë kohë nuk e kishin akoma të qartë se me kë ishin dhe kush ishim ne. Por pavarësisht kësaj votuan reformën dhe i hapën rrugë, modernizimit të paprecedentë të qeverisjes vendore në Shqipëri.

Kanë mbështetur fuqimisht përpjekjen për rivendosjen e rendit ligjor në energji, kanë mbështetur fuqimisht përpjekjen kundër informalitetit dhe janë në mbështetje të fuqishme të reformës në drejtësi, për të cilën dy fjalë kam. Ne dhe unë personalisht, bashkë me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kemi bërë çdo përpjekje dhe kemi besuar, – unë më shumë se Iliri se Iliri durimin e ka armën e vet më të fortë. Unë nuk jam dhe aq i durueshëm, por këtë herë kam mësuar se mund të durim përtej çdo durimi, – për të krijuar kushtet që kjo reformë të votohet nga të gjithë.

Kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset, por me dy kushte;

E para, nuk ka kompromis mbi shtyllën themelore të reformës, që është hedhja në erë e sistemit të korruptuar që mban bashkë gjykatës e prokurorë që nuk duhet të hetojnë e të gjykojnë të tjerët, por duhet të hetohen e gjykohen nga drejtësia. Kjo e garantuar përmes një skanimi me kontroll ndërkombëtar të pasurisë, të karrierës, të vendimmarrjeve dhe të aftësive. Vetëm pasi ta kalojnë këtë test me standardet më të larta ndërkombëtare, le të ulen në punë e të hetojnë dhe gjykojnë të tjetër.

E dyta, nuk negociohet ngrehina e sistemit. Është një sistem i ri që do të ngrihet mbi sistemin e vjetër, që reforma do ta shembi, sepse ky është vullneti i më shumë se 90% të shqiptarëve.

Ne nuk kemi asnjë problem, duan 2/3, atëherë 2/3 le t’i marrin. Neve nuk na intereson fare kjo pjesë. Duan 2/3, duan të jenë edhe ata pjesë, se kanë vënë një kusht që duhet votuar për kandidaturat nga parlamenti me 2/3, sa të jetë gjallë Edi Rama. Nuk mund t’u premtoj që do të vdes kur duan ata, por mund t’u premtoj se derisa të jem gjallë, me 2/3.

Kam thënë që reforma mund të kalojë dhe mund të kalonte në dhjetorin e kaluar, se mund të kalojë në shkurt, në mars, në prill, po ju them se java e ardhshme është java e së vërtetës. E gjithë shumica jonë, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, PDIU, mbështet pa asnjë ngurrim draftin e dakordësuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. 

Nuk po flas për problemet e pakënaqësive brenda mëhallës, se ato i keni e do t’i keni gjithmonë, jo me  mua, por me këdo qoftë. Unë do të bëj çmos që të keni sa më pak. Por po nuk i patët fare, atëherë nuk jeni as shqiptarë dhe as çamë.

Please follow and like us: