Albspirit

Media/News/Publishing

Çështja Çame, plagë e dhimbshme në trupin e kombit shqiptar, peshë e rëndë në ndërgjegjen e kombit grek

1 PDIU

NGA GJON BUÇAJ/

Përshëndetja e mabjtur sot, e Shtunë 4 Qershor 2016, në Kongresin e PDIU, në Tiranë/

Ju falënderoj për nderimin që i keni ba Federatës Panshqiptare të Amerikë “VATRA” me ftesat bujare Kryetarit të saj të Nderit, zotit Agim Karagjozi dhe mue, për të marrë pjesë në këtë Kongres. Kam kenaqsinë të jem sot mes jush dhe t’ju sjell përshëndetje të përzemërta, si nga zoti Karagjozi me keqardhjen që nuk mund të vinte për shkak të moshës, ashtu nga Kryesia dhe nga antarët e VATRËS, bashkë me urimin që Kongresi i juej të dali me suksese në dobi të interesavet kombëtare.

Partia e juej, si entitet politik i intergruem në sistemin elektoral, ka antarë e mbështetësa të ndryshëm, megjithatë ajo identifikohet si subjekt çam. Prandej programi i juej konsiderohet, vetëvetiu, me detyrë të dyfishtë, atë të angazhimevet për trajtimin e çashtjevet kombëtare në përgjithësi, si dhe detyrën e përpjekjevet për zgjidhjen e Çashtjes Çame në mënyrë veçantë.

Mbi këto detyra, mue si përfaqsues i VATRËS, të cilën kam nderin aktualisht t’a kryesoj me vetëdijen e përgjegjësisë së randë, që e ndaj me bashkëpuntorë dhe me këshilltarë dashamirës, më përket të sjell para jush këtu sot, në vija të shkurta, disa nga mendimet dhe brengat kryesore të saj.

Në vorbullën politike të këtyne 25 vjetve të tranzicionit të pambarim, dallohen me dritë dy arritje të mëdha: ndërtimi i “Rrugës së Kombit” dhe anëtarsimi i Shqipnisë në NATO. Por vërehet mungesa e madhe e disa realizimeve të  randësishme, mungesë që pengon shkëputjen nga trashigimia e randë e diktaturës komuniste, si edhe perforcimin e pozitës  ndërkombëtare të Shqipnisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Realizimet e mungueme janë kryesisht: dënimi i krimeve dhe i kriminelëve të komunizmit, hapja e dosjeve të Sigurimit dhe Ligji i Lustracionit, damshpërblimi dhe integrimi i shtresës së ish të përndjekunve politikë, kthimi i pronës së konfiskueme te i zoti legjitim, lufta e njimendtë kundër korrupsionit, reforma e sistemit gjygjësor dhe atij zgjedhor, e tjera. Si rrjedhim, ka ardhë rritja korrupsionit, rritja e papunësisë, thellimi i vorfnisë dhe krijimi i kulturës se krimit. Largimi i mija familjevet pa shpresë, drejt fatit të pasigurtë, asht padi e randë kundër sistemit që burgosë fukaranë për vjedhje të energjisë elektrike për të ba darkën, ndërsa mbron dhe mban në gji kriminela të njohun dhe hajna milionash.

Kongresi i juej po zhvillohet në nji kohë kur klasën politike shqiptare e presin vendime dhe veprime të nji randësie jetike për të ardhmën e Shqipnisë dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Rrethanat ndërkombtare janë të favorshme për shqiptarët sot ma shumë se sa ndonji herë tjetër në të kaluemen. Prandej elita politike aktuale e ka për detyrë sublime të angazhohet me përkushtim maksimal, për t’a shfrytëzue këtë fat para se të kalojë, për përparimin e vendit dhe për zgjidhjen e problemeve të kombit tonë të ndamë padrejtësisht në gjashtë shtete ku, jashtë Shqipnisë e Kosovës, shqiptarët sundohen nga të huejt që u mohojnë edhe të drejtat ma elementare.

Gjeneratat e ardhshme do t’a gjykojne eltën e sotme, nuk do të pyesin sa pasuni grumbullove, sa mjeshtri tregove në blemjen dhe manipulimin e votës, por do të pyesin se çka bane për atdheun e për kombin kur e pate në dorë. Mirëpo për të qenë në gjendje me i dalë zot efektivisht kësaj detyre, klasa politike duhet urgjentisht të bajë nji këthesë të domosdoshme që e imponon interesi jetik i kombit. Ma mirë vonë se kurr!

Asht fat i madh që miqt tanë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkueme, po angazhohen seriozisht me e ndimue Shqipninë që t’a bajë këtë këthesë historike realitet, tue fillue me reformën e sistemit gjygjësor. Ambasadori Lu ka thanë nji të vërtetë shpresëdhanëse: “Reformën në drejtësi nuk e duan ministrat dhe deputetët kriminelë”. Te çohen më kambë kriminelat që e pengojnë reformën! …. Askush nuk ngrihet, prandaj  reforma do të kalojë, sepse pengimi i saj asht krim dhe kush e pengon asht kriminel.

Për nji njeri, i cili vjen mes nesh me pasion të sinqertë për të mirën tonë, si Ambasadori Donald Lu, nuk mund të ketë vi të kuqe, por mireseardhje. Ai vjen për t’a ngritë dhe nderue sovranitetin e shqiptarëvet, jo për ta cenue, prandej le t’i jemi thellësisht mirënjohës.

Nji tjetër problem i të gjithë shqiptarëvet që pret zgjidhje tash ma se 70 vjet, asht Çashtja Çame, nji plagë e dhimshme në trupin e kombit shqiptar, por edhe nji peshë e randë në ndërgjegjen e kombit grek. Si entitet çam dhe si forcë politike, juve ju përket të kordinoni dhe të harmonizoni aktivitetet dhe të shtyni shtetin dhe qeverinë shqiptare që të angazhohen për të drejtat legjitime te Çamëvet, pranë shtetit grek dhe pranë autoritetevet përkatëse ndërkombëtare.  Edhe na jemi të gatsheëm, si gjithmonë, t’a ndimojmë dhe t’a përkrahim cashtjen pa kursim, me mënyrat dhe mubndësitë që ka Vatra.

Greqia dhe Shqipnia, dy shtete kufitare me fate të ndërlidhuna, kanë nevojë të përbashkët për paqë dhe marrëdhanjë të mira fqinjësie, mbi baza të drejtësisë dhe të respektit reciprok. Por nuk mund të ketë marrëdhanje të tilla as paqë, pa zgjidhjen e drejtë të problemit çam. Kjo temë ngritet lart në rendin e ditës të shqiptarëvet në këto dit që Tirana do të presë ministrin e jashtëm të Greqisë. Fatkeqsisht parapamja për bisedime produktive nuk asht optimiste, tue pasë parasyshë deklaratat e ministrit Kotzias, me pretendime absurde në dam të Shqipnisë. Pala shqiptare duhet t’a kryejë  detyrën me korrektesë por me vendosmëni për kërkesat çame që mbështeten në të drejtat njerzore dhe në normat e konventavet ndërkombtare të nënshkrueme edhe nga shteti grek. Mbajtja e gjendjes së luftës me Shqipnine nuk asht vetëm absurdet i Greqise, por edhe nji abnormalitet i papranueshëm në mes dy shtetevet antare të NATO-s. Prandej Greqia t’a hjekë këtë status menjiherë, ose të paditet juridikisht në Forumin përkatës.

Sado që synojmë integrimin në Europë, nuk mund t’u nënshtrohemi shantazheve në dam të interesave kombtare, edhe pse të vonohemi. Këtë qendrim, simbas mendimit tone, duhet të mbajnë Shqipnija edhe Kosova.  Le t’urojmë dhe të punojmë të gjithë së  bashku për zgjidhjen e drejtë të Çashtjes Çame dhe për dit ma të mira për popullin tonë të lashtë e fisnik!

gazetadielli

Please follow and like us: