Erdogan: Çështja armene përdoret për ta “shantazhuar” Turqinë
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, thotë se akuzat se Perandoria Osmane ka kryer gjenocid kundër armenëve para më tepër se një shekulli, po përdoren për ta “shantazhuar” Turqinë.
Mëtutje duke folur sot, disa ditë pasi Parlamenti i Gjermanisë e miratoi rezolutën me të cilën vrasjet e armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore cilësohen si gjenocid, zoti Erdogan është kërcënuar me largim nga bashkëpunimi me Bashkimin Evropian.
“Ose do të gjejmë zgjidhje për problemet tona në mënyrë korrekte, ose Turqia nuk do të jetë barrierë në linjën e parë të problemeve në Evropë”, tha Erdogan, duke iu referuar marrëveshjes BE-Turqi, për ndaljen e fluksit të migrantëve.
Nga shumnë historianë dhe disa shtete, masakra dhe deportimi i afro 1.5 milionë armenëve nga Perandoria Osmane, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, konsiderohet si gjenocid.
Turqia e kundërshton këtë vlerësim duke thënë se armenët vdiqën në numër shumë më të vogël, për shkak të konfliktit civil, e jo për shkak të përpjekjeve të planifikuara të qeverisë otomane për asgjasimin e armenëve, që ishin minoritet i krishterë.