Europiani pasuron Skënderbeun dhe Partizanin
Skënderbeu dhe Partizani janë dy klubet e vetme shqiptare që do të kenë përfitime financiare nga Euro 2016. E përditshmja gjermane “Bild” ka shkruar se UEFA ka vendosur një shpërblim për çdo klub, lojtarët e të cilit janë pjesë e një kombëtareje në Europianin e Francës.
5800 euro në ditë është shifra që do të paguhen klubet për çdo lojtar pjesëmarrës në Europian. Llogaritja e këtij shpërblimi do të nisë që nga data 27 maj, 14 ditë para startit të Euro 2016.
Në bazë të përllogaritjeve të para, Orges Shehi dhe Alban Hoxha, dy lojtarët e vetëm që janë në kombëtare nga Superliga do të fusin në arkën e klubeve përkatëse nga 139.200 euro deri më datë 19 qershor, dita kur Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grup, atë përballë Rumanisë.
Falë kualifikimit historik, Federata Shqiptare e Futbollit përfitoi një shpërblim prej rreth 8 milinonë eurosh nga UEFA, ndërkohë që kalimi i grupit do të rrisë përfitimin financiar jo vetëm të Federatës, por edhe të 2 skuadrave më të mira të Superligës, Skënderbeut dhe Partizanit.
Klubet që do të përfitojnë më shumë janë Juventus dhe Liverpool të cilat kanë nga 12 lojtarë në këtë Europian. 1.6 milinonë euro do të fusin në arkat e tyre këto dy ekipe deri në fundin e fazës së grupeve, duke lënë pas vetes skuadra si Barcelona, Bayern apo dhe Real Madrid.