Flamur gjigant kuqezi
Një flamur gjigant kuqezi po përgatitet në Prishtinë me qëllim që të shpaloset në ndeshjen e “Euro 2016”-s, Francë-Shqipëri.
Flamuri, me material prej sateni, është ide e të riut Rinor Sllova nga Dibra, transmeton “Klan Kosova”.
Përmasat e këtij flamuri nuk i përballon as tribuna e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja, prandaj tifozët e zjarrtë të kombëtares kanë menduar ta shpalosin diku tjetër.
Lejen për paraqitjen e tij tifozët tashmë e kanë marrë nga shteti francez, ndërsa të angazhuar në shpalosjen e flamurit do të jenë mbi 500 persona.
Ideja e Rinorit është përkrahur nga shumë tifozë kuqezi nga të gjitha trojet e Shqipërisë. Projekti po realizohet vullnetarisht nga tifozët dhe për punimin e tij janë shpenzuar afër 15 mijë euro.