Gjykata e Lartë: Prova të manipuluara në dosjen e “Hakmarrja për drejtësi”
Argumenti më i fortë i Gjykatës së Lartë ka lidhje me emrin e shumëpërfolur të “Hakmarrjes për drejtësi”. Në vendimin e zbardhur që Top Channel disponon, kolegji penal ngre shqetësimin se, me akt-ekspertimin grafik është provuar se krijuesit e dokumentit zyrtar të shtetit kanë imituar shkrimin e Altin Arapit për të krijuar një dokument fals, si platformë të një organizate kriminale të imagjinuar.
Është provuar, – thotë Gjykata e Lartë, – se në themel të akuzës së ngritur për këtë organizatë, prokuroria u referohet dorëshkrimeve të gjetura në shtëpinë e shtetases Zeliha Sina, por këto dokumente janë deklaruar të pavlefshme, pasi akt-ekspertimi i vitit 2008 tregoi se teksti “Hakmarrja shqiptare e drejtësisë” nuk është shkruar nga dora e Altin Arapit.
Kolegji kujton se në gjykimet e mëparshme janë përdorur prova të deklaruara të papërdorshme, sikurse procesverbale sekuestrimi apo kontrolli të banesave të të pandehurve që janë pa data.
Po ashtu dëshmitë e shtetasve Laert Shyti dhe Kreshnik Spahiu, të dhëna për 15 episode kriminale për të ashtuquajturin “Hakmarrja për drejtësi”, sipas Gjykatës së Lartë duhet të deklarohen të papërdorshme, pasi janë marrë me dy standarde, si të bashkëpandehur dhe si dëshmitarë.
Gjithashtu sipas Gjykatës së Lartë, në mjaft procesverbale ku janë shënuar deklaratat e të pandehurve Enkeledi Agaj, Laert Shyti dhe Nikolin Novruzaj, dokumentacioni është pa datë dhe pa firmë. Më flagrantet kanë lidhje me ngjarje kriminale që tronditën vendin gjatë viteve 1994-1996, sikurse vjedhja e firmës piramidale “Gjallica”, rrëmbimi i një fëmije në Vlorë për të përfituar shumën e 200 mijë dollarëve, apo edhe vjedhja e filialit të “Vefës” në Vlorë.
Gjykata e Lartë shprehet se Gjykata e Apelit në gjykimin e 2008-s ka gabuar kur e ka klasifikuar shpërthimin me 4 të vrarë te supermarketi i “Vefës” si një akt terrorist. /Top Channel/