Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Ç’thanë amerikanët për biznesin?

Kriza ekonomike vazhdon të thellohet, tanimë të gjithë treguesit makroekonomik vërtetojnë atë çfarë ndjehet në xhepin e qytetarëve prej më shumë se një viti. Diskutimet e pavlefshme dhe sofizmat e tepruar morën goditjen e duhur kur ditën e djeshme Dhoma Amerikane e Biznesit (AmCham), nuk tha asgjë të re për veshët dhe sytë e atyre që përditë merren me ekonominë dhe shohin realitetin. Rënia e indeksit të besimit me 90%, në krahasim me një vit më parë, e mbi të gjitha rënia e këtij indeksi në 37.94 pikë që është edhe minimalja historike ridëshmoi gjendjen asfiksuese të ekonomisë.

Mbi 65% e anëtarëve të kësaj dhome kanë perceptuar një klimë të pafavorshme për të bërë biznes përgjatë vitit 2015. Sipas raportit, shqetësimet kryesore të bizneseve lidheshin me nivelin e përgjithshëm të taksave, monopolin dhe konkurrencën e pandershme si dhe burokracinë e qeverisë. Praktikisht 70% e të anketuarve raportonin se taksat në vend janë të pafavorshme, se shumë biznese po e vuajnë mbi shpinë politikën fiskale të qeverisë e cila ka shkaktuar edhe ndërtimin e monopoleve në dëm të ekonomisë së lirë.

Akoma më tej, anëtarët e dhomës së biznesit perceptuan negativisht edhe klimën e vendosur nga qeveria sa i takon heqjes së barrierave. Ndonëse një pjesë e tyre e mirë mendojnë që vitin aktual do të kemi një përmisim të indeksit, gjasat deri më tani duken të zbehta përballë katrahurës ekonomike që është futur vendi.

Mënyra se si qeveria ka ndërhyrë në treg dhe ka luajtur me politikat e saj fiskale ka detyruar jo pak biznese të mbyllen, shifra e djeshme mbylljes së bizneseve që ishte 25% më e lartë se sa një vit më parë. Do të kish qenë edhe më e lartë nëse barrierat për të mbyllur një biznes do të ishin më të ulëta se sa sot. Nga ana tjetër, niveli tejet i ulët i investimeve të huaja ka arritur të zhbëjë çdo përpjekje serioze të kryer më parë për t’i thithur ato.
Megjithëse qeveria përdor shifrat e INSTAT për të na mbushur mendjen se investimet e huaja janë rritur në 2015. Një përpjekje e guximshme për të rrëzuar shifrat e BSH për Investimet e Huaja Direkte, por që në fakt rezulton të jetë një përpjekje e dështuar. Megjithëse shifra e bizneseve të huaja është rritur me 15% duhet vënë re se më shumë se treçereku i tyre janë biznese shumë të vogla të tipit call center dhe jo IHD të nivelit të Hidrocentralit të Devollit apo të TAP.

Për ta kuptuar më thjeshtë, qeveria ka përdorur një shifër të saktë për të sajuar një të pavërtetë të madhe dhe si përfundim pesha e këtyre ndërmarrjeve në rritjen ekonomike ka qenë e papërfillshme duke qenë se vet shifrat e INSTAT flasin për një rritje ekonomike të frymëzuar nga Hidrocentrali Devollit.

Pas gjithë kësaj përpjekje disa ditore për të na treguar se pranvera ka ardhur prej diellit Rilindas, qeveria ende nuk ka një përgjigje për pyetjen se si ka mundësi që kriza ka kaluar por dielli i ngrohtë rilindas ende nuk ka ngrohur xhepat e shqiptarëve që vazhdojnë të konsumojnë më pak e të kenë më pak besim tek ekonomia?

Please follow and like us: