Korrupsioni në drejtësi, gjyqtarët dhe politikanët mbushin xhepat me para të pista
Nga Donald LU/Korrupsioni në drejtësi, gjyqtarët dhe politikanët mbushin xhepat me para të pista
Një nga arsyet pse më intereson kaq shumë korrupsioni dhe reforma në drejtësi është historia që kam dëgjuar për një grua shqiptare dhe se si një gjyqtar i korruptuar e privoi nga fëmijët e saj. Ajo ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite dhe kishte qenë dënuar më parë për krime seksuale. Pas vitesh plot vuajtje, ajo gjeti më në fund guximin ta linte bashkëshortin për hir të sigurisë së fëmijëve. Kur shkoi në sistemin gjyqësor shqiptar për të kërkuar drejtësi, gjeti vetëm më shumë vuajtje. Gjyqtari i dha bashkëshortit të saj, një krimineli të dhunshëm dënuar për krime seksuale në të shkuarën, të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë për dy nga tre fëmijët e saj. Kjo gjë i theu zemrën. E pse do vendoste një gjyqtar në favor të një personi të tillë? Një arsye e thjeshtë — korrupsioni.
Korrupsioni në drejtësi jo vetëm që i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve të zakonshëm e të ndershëm. Të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa gratë, të varfërit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat.
Sa nga ne kemi dëgjuar histori të tilla?
Këtë javë pata një diskutim me një politikan që pretendonte se populli shqiptar nuk e kupton dot vërtet debatin për reformën në drejtësi. Sinqerisht, kjo është tipike për arrogancën e politikanëve dhe të elitës shqiptare që besojnë se vetëm ata janë boll të zgjuar sa të kuptojnë çfarë ndodh në shoqërinë shqiptare.
Dhe nga e di unë se shqiptarët i kuptojnë reformat dhe problemin e korrupsionit? Për shkak të studimeve serioze të shoqërisë civile.
Për shumë vite, qeveria e Sh.B.A.-së, përmes USAID-it dhe tani përmes Programit të Komisionit për Demokraci, ka mbështetur këtë indeks për perceptimin e korrupsionit. Është kryer në mënyrë profesionale dhe me një numër të madh shqiptarësh nga mbarë vendi.
Raporti tregon pak përparim gjatë 12 muajve të fundit me një rënie prej 13 për qind të njerëzve që thonë se kanë pasur një përvojë vetjake dhe të drejtëpërdrejtë me korrupsionin.
Studimi vazhdon të tregojë se problemet më të mëdha të korrupsionit mbeten tek udhëheqësit e partive politike, prokurorët, gjykatësit dhe doganierët. Nuk habitem aspak nga ky përfundim që tregon se populli shqiptar e kupton vërtet se çfarë ndodh me korrupsionin në vendin e tij. Ka ardhur koha që politikanët të fillojnë ta dëgjojnë.
Së fundi, dëshiroj të falenderoj Drejtorin e IDRA-s, Auron Pasha, dhe të gjithë personelin e tij që ka punuar për këtë sondazh të gjithanshëm. Një nga arsyet pse besoj që statistikat e korrupsionit po përmirësohen është aktivizmi i grupeve të shoqërisë civile si IDRA.
Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu gjatë Prezantimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit