Albspirit

Media/News/Publishing

Mediet greke: “Zbor” shqiptar në planet e Kotzias

Mediet greke: “Zbor” shqiptar në planet e Kotzias

“‘Zbor’ shqiptar në planet e Kotzias”, është titulli i artikullit të gazetës greke “To Vima”, që i bën një analizë politike vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë. Sipas saj, qeveria shqiptare do të vërë në tryezën e bisedimeve çështjen çame dhe atë të kufijve me Shqipërinë.

Vizita e Kotzias ishte përgatitur nga Ministria greke me një paketë propozimesh ndaj palës shqiptare mbi çështjet dypalëshe, me synimin kryesor zgjidhjen njëherë e mirë të marrëveshjes së detit. Midis të tjerash, një rinovim të marrëveshjes së Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së mirë, e nënshkruar në 1996-n në Tiranë.

Kjo paketë propozimesh nuk ndryshon shumë nga ajo që ka propozuar në 2009-n ish-ministri i Jashtëm Evangjelos Venizelos, por ka hasur në kundërshtimin e kryeministrit Rama.

Sipas ekspertëve që kanë folur anonimisht te gazeta, ky qëndrim i Ramës, si atëherë edhe tani, buron nga një ndjenjë superioriteti që është kultivuar në elitën politike shqiptare, për shkak të krizës shumëvjeçare që vuan Greqia.

Gjithashtu, ky qëndrim fuqizohet nga fakti se, Tirana është bërë bashkëbiseduese si me SHBA-të, ku përmendet vizita e kryeministri shqiptar në Uashington dhe takimet me Obamën e Biden në prill, por edhe me Gjermaninë dhe takimet e tij me Angela Merkel.

Kotzias, nga ana e tij, që kishte shpresuar shumë se kësaj here diçka do të arrinte në takimet e tij me udhëheqjen shqiptare, ndoshta duke hedhur në tryezë “asin” e njohjes së Kosovës ka parë këto ditë se optimizmi fillestar ndoshta nuk do të vërtetohet.

Homologu i tij Bushati – shkruan “To Vima”, – në një intervistë televizive ngriti çështje çame, të cilën e lidhi drejtpërdrejt me heqjen e ligjit të Luftës nga pala greke. Athina u përgjigj nëpërmjet qarqeve diplomatike, siç ka transmetuar Top Channel, se çështja çame nuk ekziston.

Por të mërkurën e kaluar – thekson gazeta, – ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri informoi Komisionin Juridik të Parlamentit shqiptar se grupi i punës i strukturuar nga kryeministri i Shqipërisë, po përparon në fazën përfundimtare të përcaktimit të koordinatave të sakta të kufijve tokësorë dhe detarë, e rrjedhimisht edhe me Greqinë.

Gjithashtu, sipas “To Vima”-s, qeveria shqiptare në prapaskenë ka mbështetur “Fondacionin Demokratik Çamëria 2” në Hagë, që të dorëzojë kërkesën për njohjen e gjenocidit çam në Gjykatën e Hagës.

Please follow and like us: