Albspirit

Media/News/Publishing

Muhamet Ali, legjenda e boksit


Legjenda e boksit Muhamet Ali, tre herë kampion i boksit për peshat e rënda, ndërroi jetë të premten pas një lufte thuajse 30 vjeçare me sëmundjen e parkinsonit.

I lindur me 17 janar të vitit 1942, Ali ishte një atlet dominues dhe boksier profesional aq i admiruar nga publiku, saqë revista Sports Ilustrated e quajti atë “Sportisti i Shekullit të 20-të.”

Ali ishte njëri prej boksierëve më të dashur dhe më të debatuar të Amerikës.

Ai ishte djali i një bojaxhiu nga Kentaki dhe njihej në atë kohë me emrin Cassius Clay. I hyri boksit pasi djemtë e lagjes i vodhën biçikletën. Clay u rrit duke bashkuar talentin me vëndosmërinë. Në vitin 1964, ai mahniti të preferuarin Sonny Liston, duke fituar titullin e parë të kampionit botëtor në peshat e rënda.

Mike Wise i gazetës Washington Post thotë se ai me besim të madh tek boksi, vazhdoi të dominonte, duke grushtuar me të dyja duart.

“Ndoshta ai ishte i pari, atleti i parë në Amerikë që mburrej me diçka dhe e provonte në ring. Në atë kohë, askush nuk mburrej.”

“Jam më i miri. Po, i mund të gjithë,” thoshte ai.

Clay iu bashkua organizatës “Kombi i Islamit” dhe e ndryshoi emrin pas këtij dueli, duke u quajtur Muhammad Ali. Tre vite më vonë ai u kritikua pasi refuzoi rekrutimin në ushtrinë amerikane, bazuar në besimin e tij fetar dhe kundërshtimin ndaj Luftës së Vietnamit. Ai u dënua dhe iu hoq titulli dhe kjo e mbajti atë larg arenës së boksit për tre vjet, deri sa Gjykata e Lartë e shfuqizoi dënimin në vitin 1970.

Pak muaj pas kthimit në dyluftim, kampioni i ri i peshave të rënda Joe Frazier, i dha atij humbjen e parë profesionale. Por më vonë, Ali u hakmor kundër Joe Frazierit dhe fitoi në duelin e dytë me të.

Një tjetër duel klasik për Muhamet Aliun ishte ai kundër rivalit George Foreman. Ndeshja për kampionin e vitit 1974 u zhvillua në ish Zairenë e atëhershme në Afrikën qendrore. Ky dyluftim do të mbahej mend më vonë si “Duel në Xhungël”. Para kamerave, Ali tregonte gjithmonë epersinë dhe zemrën e tij të fuqishme:

“Kam luftuar me një krokodil, jam përleshur me balenë, i kam vënë pranga rrufesë, kam hedhur bubullima në burg. Kam vrarë një shkëmb dhe kam plagosur një gur. Jam kaq i rrezikshëm sa tremb edhe ilaçet.”

Gazetari Mike Wise tregon:

“…ai përdori një nga strategjitë më të mahnitshme… vepro si të jesh i lodhur. Lëre tjetrin të lodhet duke të goditur dhe pastaj papritmas gjëje mënyrën për ta rrëzuar kundërshtarin në raundin e tetë. Ndoshta, ishte momenti më triumfues në historinë e boksit.”

Ali u përball me Frazerin në betejen e tretë dhe të fundit në vitin 1975 në Filipine. Dueli u quajt “The Thrilla in Manila”. Ali rezistoi 14 raunde raskapitëse dhe doli fitimtar.

Vitet e mëpasme të legjendës u rrënuan nga sëmundja Parkinson, me të cilën u diagnostikua në vitin 1984. Ai nuk mund të lëvizte dhe të godiste si më parë. Por, bujaria dhe pasioni i tij për humanizmin vazhdoi të frymëzojë njerëzit në mbarë botën.

“Të gjithë e donin Muhamet Aliun. Ai kishte një zemër që pakkush mund ta ketë”,thotë gazetari Wise.

I dashur apo i urryer nga të tjerët, Muhamet Aliu i bëri njerëzit ta ndjenin. Dhe kjo, ndoshta më shumë se aftësitë e boksit, do të jetë trashëgimia e tij e përhershme.

Please follow and like us: