Nën moratorium ndërkombëtar antikanabis
Nga Artan Hoxha
Rilindja pret të korra të mbara këtë vit nga kanabis, shkulur në Lazarat dy vjet më parë, mbjellë anembanë Shqipërisë vjet e sivjet. Si grami që e shkul diku por mbin gjithandej.
Të vënë përfund nga ofensiva kriminale në muajt e parë 2014 – bomba, vrasje, trafik droge, deri edhe me avionë që s’pyesnin per guriçkat – Rilindësit ndërmorën, në qershor 2014, aksionin policor ne Lazarat. Arat e mbjella me kanabis u dogjën. Fshati u vu nën kontrollin shtetëror.
Aksioni mori përgëzime të shumta. Kritika ndaj Rilindjes, mosbesimi tërësor ndaj saj, nuk më pengoi ta përgëzoja ndonëse motivet rilindëse ishin të dyshimta dhe vetëmburrja e saj tej e përtej pështirosjes.
Goditja e simbolit kanabist dha ca shpresë se kanabizmi do mbetej pas, si pjesë e historisë së tranzicionit. Ndodhi e kundërta. Kanabis, e jo vetëm ky, u rikthye edhe më fuqishëm. Rilindi. Nga aktivitet me pakicë e në zonë të kufizuar kaloi në aktivitet me shumicë e me përhapje të gjerë gjeografike.
Mediat e huaja, që iu referohen të dhënave zyrtare të agjensive shtetërore respektive, po na kualifikojnë me plot të drejtë në republikë kanabiste, kolumbiste, eskobariste në Europë, në po ato permasa siç na kualifikonin 15-20 vite më parë për trafikun e klandestinëve, që nga ata nga Kurdistani deri tek ata nga Kina.
Artikulli i sotëm në Corriere della Sera “Droge përmes Adriatikut. Mbi një mijë parcela”, duke iu referuar informacioneve të shërbimeve italiane që monitorojnë Shqipërinë, tregon rritjen ekspotenciale të sipërfaqes së mbjellë dhe të prodhimit në vitet 2014-2015 si dhe gjendjen e alarmit në Itali, e jo vetëm, nga rritja e shpejtë e “eksportit” shqiptar, kryer me te gjitha mjetet e mundeshme.
(shih: http://corrieredelmezzogiorno.corriere.it/bari/cronaca/16_giugno_03/narcos-dall-adriatico-oltre-mille-piantagioni-21b80694-29c0-11e6-8bea-50842573ee10.shtml)
Shërbimet italiane kanë monitoruar nga ajri territorin shqiptar bazuar në marrëveshjen e vitit 2012 mes dy vendeve. Në pranverë-verë 2013 këto sherbime monitoruan 12.5% të sipërfaqes së Shqipërisë, identifikuan 305 parcela me 83 mijë bimë të mbjella në to, rreth 90% në Lazarat.
Pas një viti, para dhe pas aksionit në Lazarat, italianet monitoruan 15.08% të sipërfaqes së Shqipërisë (20% me shumë se një vit më parë), identifikuan 815 parcela dhe 165 mijë bimë të mbjella në to pra, mbi dyfishim në parcela dhe prodhim, me gjasa më pak se gjysma në Lazarat dhe pjesa tjetër në zona të tjera.
Në pranvere-verë 2015 italianët monitoruan 15.83% të sipërfaqes së Shqipërisë (thuajse njësoj sa në 2014), identifikuan 1200 parcela me 243 mijë bimë të mbjella në to, të shpërndara në shumë zona të vendit, ndërkohë që në Lazarat nuk u lejua të mbillej më këtë vit.
Kur vetëm në kaq pak sipërfaqe të monitoruar kundrejt sipërfaqes së Shqipërisë e, duke konsideruar që shkalla e indentifikimit të parcelave dhe bimëve në sipërfaqen e monitoruar është shumë më e vogël se 100% dhe gjithnjë e më e vogël sa më shumë shpërhapet mbjellja në territor, mendo se sa duhet të kenë qenë shifrat reale të parcelave dhe bimëve në gjithë territorin shqiptar në vitin 2015 dhe 2014.
Raportimet operative të pranverës 2016 tregojnë se numri i parcelave dhe bimët e mbjella në to me gjasa kanë vazhduar të rriten me të njëjtin trend ekspotencial, në mos më shumë, e me perhapje në mbarë vendin, krahas rritjes së rendimentit përmes farërave më produktive dhe mbjelljeve jo vetëm në ara por edhe në sera e kapanone me regjim të përshpejtuar rritjeje.
I gjithë ky prodhim s’ka se si të ketë mbetur pa dalje gjithnjë e më në rritje në tregun europian. Shtimi i prodhimit është, veç të tjerash, edhe reflektim i suksesit në trafikim e shitje. Ndaj, shifrat në rritje të sekuestrimeve nga agjensitë perëndimore apo edhe ato shqiptare si dhe të numrit të rasteve të bandave shqiptare të identifikuara dhe/ose të arrestuara në dy vitet e fundit tregojnë rritjen e suksesit të trafikimit të kanabis dhe jo rritjen e suksesit të luftës kundër trafikimit te tij. Ndaj është në rritje edhe shqetësimi ndërkombëtar për kanabisin shqiptar.
Përballë këtyre zhvillimeve në përkeqësim, Rilindja vijon të mburret. Kështu u mburr edhe në shtator 2015, në Pallatin e Kongreseve, me shifrën 99% të asgjësimit të prodhimit 2015 të kanabis. Gallatë propagandistike.
Për gallatë ishin, në këtë aktivitet, edhe lëvdatat e përfaqësuesit të “Interforce” në Tiranë për Rilindjen, i njëjti zyrtar italian ky, mbi të cilin, edhe nga mediat italiane, janë hedhur dyshime se ka patur rol në çështjen e përgjimeve rilindëse përmes aparaturës së ardhur në mars 2016, pa regjistrim e pa deklarim, për trajnimin e policisë shqiptare.
Me gjasa Rilindja do mburret edhe më shumë në shtatorin e ardhshëm. Do raportojë për shkatërrim 100% të çdo parcele e bime. E, ndërsa Rilindja mbjell, korr, shet kanabis e bën gallatë propagandistike Shqipëria kanabiste është sot një realitet i frikshëm që po mbahet nën kontroll me moratorium ndërkombëtar de facto, gjithnjë e më i rreptë.
Rilindja, ardhur me krim, s’mund të heqë dorë nga vesi që e mbart që në gjenezë. Vdekja e Rilindjes është kusht i domosdoshëm për shpëtim nga republika e kanabisit. Nëse nuk ndodh, e sigurt që moratoriumi ndërkombëtar de facto do bëhet edhe de jure, me të gjitha pasojat e tjera që e bashkëshoqërojnë.: