Obama: Muhammed Ali luftoi për të drejtën
Presidenti amerikan, Barack Obama, i bëri sot një homazh prekës boksierit legjendë, Muhammed Ali, që vdiq të premten, duke përshëndetur një njeri që tronditi botën dhe ka luftuar për atë që ishte e drejtë.
“Është lufta e tij jashtë ringut që i kushtoi titullin dhe i solli shumë armiq. Por Ali qëndroi fortë”, theksoi presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA-së, duke folur për implikimin e “The Greatest” në luftën për të drejtat civile.
“Ai ishte në krahë të (Martin Luther) King dhe (Nelson) Mandela, ai u ngrit kur ishte e vështirë, ai foli kur të tjerët nuk e bënin”, vazhdoi Obama.
Duke theksuar se ende ruante një palë doreza boksi dhe një foto të tijën në studion e vet personale, në krahë të Zyrës Ovale, presidenti amerikan përshëndeti trajektoren jashtë norme të të riut Cassius Clay dhe rrugëtimin e tij shpirtëror që e dërgoi drejt islamit.
“Muhammed Ali tronditi botën. Dhe kjo ishte një gjë e mirë për gjithë botën. Dhe për të gjithë ne”, përfundoi presidenti amerikan, duke theksuar ngushëllimet e tij për familjen e këtij boksieri legjendë.