Prokurorët: Hetimet për MH17 – në shkallë të avancuar
Prokurorët holandezë thonë se hetimi i përbashkët ndërkombëtar për rrëzimin e aeroplanit në fluturimin MH17, mbi pjesën lindore të Ukrainës, është “në një shkallë stë avancuar” dhe “pas kësaj vere” do t’i paraqesin rezultatet e para.
Një pjesë e hetimeve, që fillimisht pritej të përfundonin para pjesës së dytë të këtij viti, ka të bëjë me shqetësimet për “armatimin që është përdorë për ta rrëzuar” aeroplanin e kompanisë ajrore të Malajzisë dhe “vendin e saktë të lansimit të armatimit”.
Aeroplani është përplasur në territorin që është ishte nën kontroll të separatistëve të mbështetur nga Rusia, më 17 korrik të vitit 2014, me ç’rast u vranë të 298 njerëzit në të. Shumica e udhëtarëve të vrarë ishin holandezë.
Vitin e kaluar, Bordi i Sigurisë Holandeze, ka konkluduar se aeroplani, që fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, ishte qëlluar nga raketa e tipit, Buk, e prodhuar në Rusi.
Në deklaratën e djeshme, Zyra e prokurorit publik në Holandë tha se ekipi për hetime të përbashkëta “ende pret informacione nga Federata Ruse për instalimet Buk”.
Mëtutje, kjo zyrë ka theksuar se hetuesit nuk do t’i publikojnë rezultatet e tyre në raport, por eventualisht do t’i përfshijnë rezultatet e tyre “në një dosje penale” me të cilën synohet dëgjim lidhur me këtë rast në gjykatë ose tribunal.
Hetuesit janë nga Holanda, Australia, Malajzia, Belgjika dhe Ukraina.
Qeveritë e tyre kanë shprehur përkushtim që ata që janë përgjegjës për këtë përplasje të aeroplanit, të sillen para drejtësisë.