SHBA: Kërkohet që BE-ja t’i mbajë sanksionet kundër Rusisë
Shtetet e Bashkuara e dërgojnë më 7 dhe 8 të këtij muaji në Paris dhe Berlin, zyrtarin e lartë, Adam J. Szubin, në përpjekje për t’i bindur aleatët evropianë “për rëndësinë e mbajtjes së presionit të sanksioneve kundër Rusisë”, ka njoftuar mbrëmë Departamenti amerikan i thesarit.
Ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të thesarit për terrorizëm dhe inteligjencë financiare, Adam J. Szubin, do të takohet me zyrtarë qeveritarë nga ministritë e jashtme, të financave dhe të ekonomisë, së vendeve evropiane dhe me bankat dhe institucionet private financiare.
Pos kërkesës ndaj aleatëve, që t’i mbajnë sannksionet ndaj Rusisë, derisa ajo “t’i plotësoj parimet e Marrëveshjeve të Minskut”, që e përcaktojnë rrugën për arritjen e paqes në Ukrainë, zoti Szubin do të diskutoj edhe për implementimin e marrëveshjes atomike me Iranin dhe për “përpjekjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në luftimin e mbështetjes iraniane për terrorizëm, dhe për aktivitetin tjetër destabilizues”, ka njoftuar Departamenti amerikan i thesarit.