Shkreli: “Të restaurohet pallati i Kadaresë dhe Agollit, u projektua nga Maks Velo”
Arkitekti Artan Shkreli, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit, ka hedhur publikisht idenë e restaurimit të pallatit ku ka banuar për shumë vite shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në qendër të Tiranës. Shkreli argumenton se ndërhyrja është e nevojshme, edhe për fakti se ajo ndërtesë pak metër larg Teatrit të Operas dhe Hotel “Tirana”, ka mbetur e vetmuar me shembjen e së ashtuquajturës “ndërtesa e INSIG-ut”. Kjo ndërtesë u shemb për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës së vogël të kryeqytetit.
“Me prishjen e ndërtesës së INSIG-ut, pallati ‘me kuba’ ose pallati i Kadaresë dhe Agollit, siç e quanim këtu e 30 vjet të shkuara, i projektuar nga Maks Velo, ka mbetur si një shkëmb në mes të patalogut. Por jo vetëm për këtë arsye, ai pallat ka nevojë për një restaurim serioz dhe qëndrim të posaçëm estetik”, shprehet Shkreli. Arkitekti vlerëson se “pallati me kuba ngërthen në vetvete aspiratën e arkitekturës shqiptare për të qenë në një hap me kohën dhe në veçanti me Perëndimin; ngërthen përpjekjen tragjike të një brezi arkitektësh, si Velo, Faja, Kolevica etj. që u përcëlluan nga kuqlima e dacibaove të revolucionit kulturor në Shqipërinë e viteve ’70-të”. “Është historike, didaktike dhe urbane, nevoja e një restaurimi të tillë”, shprehet Artan Shkreli.