“Sky Sport”: Shqipëria mund të jetë Leiçesteri i Evropianit
Skeda: Skuadra e Gianni De Biasit, në pjesëmarrjen e parë në një Europian dëshiron të befasojë. Një mbrojtje solide dhe individualitetet e mira janë baza për të provuar të përmbushin një tjetër mrekulli. GRUPI A: Franca, Zvicra, Rumania, Shqipëria.
Ku mund të arrijë
Pikërisht, 19 vjet më parë, Shqipëria mbante vendin e 124-t në renditjen e FIFA-s. Në harkun kohor të dy dhjetëvjeçarëve ka ndryshuar gjithçka në Tiranë. E para herë, historik, kualifikimi për në Europian, është një fryt i punës së madhe të trajneri Gianni De Biasi dhe stafit të tij, të aftë për të ndërtuar një grup solid mbrojtës nga pikëpamja e parë (0,6 gola të pësuar në të gjitha ndeshjet eliminatore të Europianit). Këtu mund të bazohen edhe shpresat për të kaluar në 1/16 e Europianit të Francës. Ndeshja deçizive mendohet se do të jetë ajo e 19 qershorit, në Lion, kundër Rumanisë. “Bookmakersat” e kanë kuotuar me 350 triumfin e Shqipërisë në kompeticion. A mund ta përsërisë Shqipëria mrekullinë e Leicester City?
Precedentët në Europian
Shqipëria paraqitet në ballon e “Euro 2016” si një Hirushe. E dyta në grupin e saj eliminator, pas Portugalisë së Ronaldos, skuadra e De Biasit bëri të ëndërrojë një komb të tërë. Në statistikat e saj të varfra, në ndeshjet europiane (18 fitore në 93 ndeshje) janë disa fitore bombastike, si ajo me Rusinë, në vitin 2003 (3-1), ajo me Turqinë (3-0, më 1972) dhe ajo me Danimarkën (1-0, më 1963). Rezultati që ka bërë më shumë zhurmë ka qenë barazimi 0-0, në vitin 1967, rezultat i cili i mohoi Gjermanisë Perëndimore pjesëmarrjen në Europian, i cili më pas u fitua nga Italia.
Ylli i ekipit
Elseid Hysaj Është e vështirë që të dallosh një element individual te një skuadër, ku “forca është kolektiviteti”, sipas asaj që thotë Gianni De Biasi. Por mbrojtësi anësor i Napolit është duke u cilësuar si një nga më të mirët në Europë, për rolin e tij. Vjen nga një sezon i mrekullueshëm më blutë (37 ndeshje në kampionat, duke përfshirë edhe dy asiste), por duke patur edhe një rendiment konstant, ai ka treguar se mund të konkurrojë mjaft mirë edhe në nivele të larta, pasi zbarkoi tek Empoli vetëm 17 vjeç. Në Francë vjen edhe përkushtimi me kombëtaren, aty ku është një nga pikat më të forta.
Trajneri
Gianni De Biasi Debutimi në eliminatoret e “Euro 2016”, duke mposhtur 1-0 në transfertë Portugalinë e Cristiano Ronaldos ishte si një shenjë e fatit. Trajneri nga Sarmede, që do të mbushë 60 vjeç pikërisht gjatë Europianit, është në kulmin e një karriere, që e pa të fillonte në Itali, me ekipe si Modena, Brescia, Torino dhe Udinese. Duke e nisur nga provinca, tashmë ka shansin e madh të tregojë vlerat e tij. Jo keq për një trajner që në muzetë e tij ka vetëm tituj të Seria C së vjetër.
Kuriozitete
Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Kombëtares së Shqipërisë është Erjon Bogdani, me 18 gola të shënuar. Panajot Pano është cilësuar si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në Shqipëri (450 gola në karrierë) dhe është autori i golit të parë për Shqipërinë në eliminatoret e një Europiani, pikërisht në fitoren 1-0 ndaj Danimarkës, në tetor të viti 1963. E filloi si portier, por më pas u bë “bomberi” i kampionatit shqiptar. Për herë të parë në historinë e një Kampionati Europian, dy vëllezër mund të përballen mes tyre. Në 11 qershor, në Lens, Taulant Xhaka mund të zbresë në fushë kundër vëllait të tij të vogël, Granit Xhaka, që është te Zvicra.
Si luan
Shqipëria e ka bazuar lojën e saj në një strukturë solide në mbrojtje, gjë që i ka lejuar të pësojë një gol në çdo dy ndeshje gjatë eliminatoreve. Hysaj siguron një shtytje të madhe nga krahu i djathtë, teksa në qendër është e gjithë eksperienca e ish-lacialit Lorik Cana, kapiten dhe rekordmen në paraqitjet me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë. Në mesfushë De Biasi jeton nga grinta e Taulant Xhakës, qe është duke u rikuperuar nga një dëmtim, por që do të jetë gati për ndeshjen e 11 qershorit. E vetmja “pykë”, Cikalleshi, garanton lëvizshmëri, mbulim në daljet e mesfushorëve, teksa nga 4-2-3-1 mund të kthehet shumë shpejt në 4-5-1, në fazën e zotërimit të topit.