Albspirit

Media/News/Publishing

Two men show

sokol shameti

Nga Sokol Shameti

Takimi i paralajmëruar Rama-Basha po pritet në Shqipëri me një padurim të ngjashëm me atë të ndeshjeve të Kombëtares në Francë.

Gjithsesi, për vëzhguesit e politikës, e gjithë mbështjellja solemne, unikale që po i mvishet këtij veprimi është e qartë se kërkon të fshehë një brendi banale. Ajo synon të maskojë një thelb të rëndomtë siç duhet të jetë vërtet takimi midis dy njerëzve të cilët si duke u takuar si duke u stakuar nuk është se mund të sjellin ndonjë dobi për publikun.

Duke angazhuar gjithë taktikat e fryrjes artificiale të një “kurrgjëje” manipulatorët e opinionit publik po duan të fabrikojnë sensacionin, i cili mbetet mjeti i vetëm i ruajtjes me zor të rëndësisë së një klase politike të gangrenizuar nga rrënjët e deri në sythin e vet më periferik.

Po të përfytyrojmë vetëm për një çast sikur liderët tanë politikë të mos rrethoheshin nga kjo jehonë që i paraqet si kreshnikë tek shkëmbejnë nishane në log të betejës, atëherë do t’i shihnim ata krejt siç janë: një grusht burracakësh kokëboshë që mbahen me të madh e gënjejnë derrçe qindra mijëra gjyhnaqarë të cilët mbajnë shpresën se herë njëri e herë tjetri do u sjellin parajsën.

Konkurrencë dhe jo opozitarizëm është gjithë historiku i monedhës kallp që serviret për “jetë politike” tek ne. Konkurrencë për të marrë në dorë Kuvendin e për të prodhuar aty ligje në favor të klientelës përkatëse. Konkurrencë për të shtënë në dorë qeverinë tok me privilegjet e saj ekzekutive si dhe konkurrencë për të tërhequr rreth vetes njerëzit me ndikim në secilën bashkësi tonën (shpesh me “ndikim” këta kuptojnë njerëzit e dhunshëm, banditët shumëngjyrësh, batakçinjtë dhe horrat pengmarrës të lagjeve, fshatrave e krahinave të tëra).

Së fundi, ky është një garim për të marrë rolin e servilit të “oborrit mbretëror” të miliarderëve, grosistëve dhe drejtuesve korporativë që kontrollojnë tregtinë në këtë vend pavarësisht kush është në qeveri, atyre që kontrollojnë burimet natyrore, vendet e punës, kapitalin, si dhe atë pak prodhim që i është lejuar këtij vendi të gjunjëzuar.

Prej dy dekadash tashmë s’është ndonjë gjë e paparë në Shqipëri të takohen kryeministri me pretendentin për kryeministër. PD dhe PS të cilat – siç thoshte me të drejtë një mik – kanë të ndryshme vetëm germat e dyta, e kanë ngopur publikun me të njëjtën narrativë heroike për takime të pavlera liderësh të kufizuara në allishverishe kulisash për interesat e tyre ditore: Nano-Berisha, Majko-Berisha, Meta-Majko, Nano-Meta, Rama-Nano, Berisha-Rama, Rama-Meta, Basha-Majko e së fundi Rama-Basha. Për hir të një pauze sarkastike ta pranojmë: të gjitha kombinimet janë konsumuar.

Ky spektakël i sforcuar që na e paraqet takimin e një dysheje kllounësh si një ngjarje me reperkursione planetare, ka në thelbin e tij pikërisht mirëmbajtjen e kësaj simbioze midis një kaste të përlyer njëlloj e të ndarë në dy skuadra konkurrente. Ndër të tjera ato kanë thurur edhe një fjalor mashtrues me të cilin përshkruajnë veten dhe bëmat e tyre.

Në këtë fjalor që u imponohet përditshëm e përdhunshëm edhe qytetarëve, këto dy skuadra konkurrente në garën për zhvatje vetëquhen “opozitare”. Kësisoj, edhe në rastin e takimit të pritshëm Rama-Basha, liderët “opozitarë” kanë arritur me mjeshtëri të kthejnë në ngjarje thjesht faktin se ata po takohen dhe jo atë çka do të thotë që po takohen.

Nëse do të kërkonim me rigorozitet një domethënie për një takim apo konsultë të vërtetë midis dy opozitarësh, atëherë rezultati do të ishte pikërisht ajo që kuptojmë nga zbërthimi i vetë fjalës “opozitar”.

Të jesh opozitar do të thotë të jesh në një pozicion të kundërt, të jesh antagonist me dikë. Por duke qenë se njerëzit mund të jenë në pozicione të kundërta edhe për çështje krejt idiote si ngjyra e një flamuri apo ndarja e plaçkës së grabitjes, në politikë ajo që duhet të quhet seriozisht pozicionim antagonist ka të bëjë me diçka shumë më thelbësore. Ajo ka të bëjë me idenë tënde rreth shtetit, me filozofinë tënde rreth shpërndarjes së të mirave të punës prodhuese në vendin tënd, qëllimit të qeverisjes, modelit të ekonomisë, raportit midis privates dhe publikes, etj. Fundja nëse një vend ka problem reale, temat për të dialoguar janë pikërisht këto.

Në këtë kontekst, Rama dhe Basha që shtiren se po u takuan do të përcaktojnë fatin tonë për 100 vjetët e ardhshëm në fakt nuk janë aspak në pozita antagoniste. Ata nuk janë opozitarë, sepse ata nuk kanë ç’të diskutojnë rreth idesë së tyre për shtetin, pasi e kanë atë identike: ata të dy janë dakord që Shqipëria të jetë një shtet gjysmëkolonial si karikatura që kemi tash 25 vjet përpara syve.

Rama dhe Basha nuk kanë ndonjë dallim as në filozofinë e tyre rreth shpërndarjes së të mirave të punës prodhuese në këtë vend – ata janë dakord që këtu të pasurit duhet të pasurohen dhe të ndihmohen në mënyrë shtetërore në këtë qëllim të tyrin, (çka nënkupton që të varfrit të varfërohen).

Rama dhe Basha nuk kanë ç’të dialogojnë rreth qëllimit të qeverisjes. Si njëri edhe tjetri e kuptojnë qeverisjen si një agjenci që kujdeset të mbledhë taksat e të mbajë nën shtypje klasore 99% të njerëzve të cilët zotërojnë vetëm aftësinë për punë dhe janë të barabartë me 1 përqindëshin tjetër vetëm ditën e votimit.

Dy interlokutorët e mëdhenj, nuk dallojnë as në pikëpamjen e tyre rreth modelit ekonomik që zbatohet në këtë vend. Të dy janë të mendimit se neoliberalizmi, magjia e tregut dhe përfitimi me çdo kusht janë gjëja e duhur, pavarësisht kostove në jetë njerëzore.

Po kështu Basha dhe Rama nuk janë në pozita antagoniste rreth mënyrës sesi ata shohin raportin publike-private tek ne. Për të dy, disavantazhi i publikes dhe favorizimi i privates janë palca e përbashkët në kurrizin ideologjik ku mbështeten, paçka se është pikërisht kjo bindje me anë të së cilës të dy kanë qeverisur me radhë, e cila ka dhënë si rezultat këtë realitet të mjerueshëm shoqëror e material që sodisim kudo ku hedhim sytë në këtë vend.

Të gjitha këto tema për të cilat Rama dhe Basha nuk do të bisedojnë (sepse s’kanë arsye përse) në takimin e tyre, janë ato që kanë një lloj domethënie imediate dhe rëndësi jetike për miliona njerëz që e presin si spektatorë shfaqjen e tyre të zhurmshme.

Gjithçka tjetër që këta dy aktorë do të na servirin në tabakanë e spektaklit të tyre të tipit “two men show” (Variete me dy aktorë) sa më bombastikisht na paraqitet, aq më bosh është konkretisht.

Kurrgjë tjetër veç një debati serioz shoqëror në këtë vend, prej përfaqësuesish të vërtetë të shqetësimeve të publikut nuk meriton vëmendjen tonë. Gjithçka tjetër lypset injoruar me përbuzje dhe neveri.

Please follow and like us: