Albspirit

Media/News/Publishing

 Veton Surroi: Modeli Gjarpër

Me këtë model Serbia nuk do t’i normalizojë raportet me Kosovën. Kjo mund t’i pëlqejë dikujt në Beograd, por fati i Serbisë nuk mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë e Kosovës. Kosova mund të kalojë edhe pak kohë nën modelin Gjarpri, por ai model që përdor mjetet publike për pasurimin personal të një strukture të kriminalizuar është i dënuar të dështojë, dhe madje shumë shpejt.

1.
Kur luftërat përfundojnë?
Një mënyrë e përgjigjes, mendoj, është se Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar për shumë popuj në vitin 1968. Demonstratat studentore veçanërisht në Francë, e mandej edhe në shtetet e tjera, kanë pasur shumë kërkesa, por një prej mesazheve më të rëndësishme ishte ajo se ishte bërë boll më me kalërimin e stabilitetit të krijuar në periudhën e pasluftës.

Veçanërisht në Francë, e më pas edhe në Gjermani dhe kudo nëpër Evropë, e madje edhe këtu në Beograd, u ngrit një valë kundër establishmentit.
Ky është momenti i rritjes, kur shoqëritë nuk frikësohen më nga luftërat në oborret e tyre dhe ngrihen kundër padrejtësive të tjera, të vërteta apo jo.

Francezët dhe gjermanët, demonstrues të vitit 1968, ia vënë pikën luftës, e cila përfundoi zyrtarisht 23 vjet më parë. Pas dy vjetësh do të mbushen 23 vjet nga përfundimi i luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Në kohëra paralele, Bosnjë- Hercegovina dhe Serbia do të duhej të ishin Franca e vitit 1966, në të cilën edhe më tutje sundon establishmenti i De Gaullit. Pas dy vjetësh do të duhej të mbërtheheshin nga demonstratat në të cilat studentët kërkojnë drejtësi sociale dhe fundin e establishmenteve të pasluftës.
Zor se do të ndodhë kjo gjë jo për 2, por as për 22 vjet.

2.
Luftërat në këto territore janë të papërfunduara, sepse nuk janë ndërtuar marrëdhënie paqësore ndërmjet shteteve. Për më tepër, edhe vetë shtetet janë të pandërtuara. Bosnjë- Hercegovina po mbahet tash e më shumë se 20 vjet nga një marrëveshje paqësore (Daytoni) e jo nga Kushtetuta, e cila do të miratohej me konsensus qytetar. Serbia edhe më tutje funksionon bazuar në qëndrimin se Kosova është krahinë autonome e saj. Kosova funksionon me bindjen se katër komunat veriore të banuara me serbë, dhe nën kontrollin e Serbisë, janë faktikisht pjesë funksionale e saj.

Në Bosnjë-Hercegovinë tashmë njëzet vjet diçka po flitet apo negociohet rreth disa vijave administrative, obligimeve kantonale, asaj apo kësaj. Në këtë shtet asgjë nuk mund të vendoset në mënyrë normale administrative: vendimet administrative duhet të negociohen paraprakisht. Kështu që nëse ndonjë kushëri imi nga Kosova dëshiron të shkojë në dasmën e kushërinjve në Sarajevë, viza e tij duhet të miratohet nga Këshilli i ministrave të Bosnjë- Hercegovinës, ndoshta në të njëjtën ditë kur edhe miratohet propozimi i buxhetit për vitin e ardhshëm apo propozimratifikimi i ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia negociojnë qysh prej vitit 2010, pa parime negociuese. Tashmë dy vjet merren në Bruksel me negociata në dukje të zorshme rreth asaj se me çfarë targash regjistrimi mund të hyjnë automjetet kosovare në Serbi, sa kushton kjo gjë me një e sa me një palë targa tjera. Secilën herë që kthehen prej negociatave, negociatorët kosovarë thonë se si kanë arritur marrëveshje historike.

Popujt në Bosnjë-Hercegovinë nuk janë më afër njëri-tjetrit sesa kanë qenë para 20 vjetësh. Kosova dhe Serbia në esencë nuk kanë marrëdhënie më të mira sesa kishin para 15 vjetësh. Në Kosovë serbët janë më të larguar nga shqiptarët sesa kurrë më parë para luftës. Elita e re politike serbe në Kosovë përbëhet prej kalamajve të fshatit, të cilët ishin në pubertet kur lufta përfundoi dhe e gjitha që dinë për shqiptarët është një version i enklavizuar i lajmeve televizive.

3.
Ngecja në Kosovë ka sjellë në pushtet një elitë politike, në masë të madhe të kriminalizuar, në të cilën sundon modeli i Gjarprit.
Me arsimim të ulët, dëshira të mëdha, shkathtësi dhe rezistencë edhe më të madhe për rrëmbimin e institucioneve të shtetit, modeli Gjarpër tani është establishment i këtij shteti të ri. Ky model ushqehet jo vetëm nga burimet vetjake të primitivizmit dhe përdorimit të dhunës, por edhe nga dy faktorë të rëndësishëm.

Ai ushqehet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, që tek ai sheh garanci të stabilitetit, ashtu si edhe garanci për një iluzion suksesi në politikën e jashtme evropiane, me të ashtuquajturin dialog midis Prishtinës dhe Beogradit (atyre të cilëve iu kujtohet Daytoni, mbase e mbajnë në mend se si Milosheviqi u shndërrua papritur në garanci stabiliteti për një pjesë të madhe të Perëndimit).
Ky model është ushqyer drejtpërsëdrejti edhe nga Beogradi. Duke e mbajtur Kosovën të izoluar prej institucioneve botërore, pushteti aktual në Beograd është partneri më i mirë i modelit Gjarpër. Modeli Gjarpër në primitivizmin e vet është garantues se Kosova do të jetë palë e nënshtruar në negociata.

Modeli Gjarpër vazhdimisht me akuza të reja dhe gjykata speciale në të vërtetë i duhet më së shumti Beogradit të tanishëm, për ta dëshmuar superioritetin moral dhe politik. Me modelin Gjarpri pushteti aktual në Serbi ka të siguruara edhe dy cikle të suksesshme zgjedhore, të paktën sa i përket Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

4.
Një ditë, megjithatë, duhet që t’u vijë fundi luftërave, duhet të vijë deri tek viti ynë 1968, zgjedhor apo i demonstratave. Duhet që t’u jepet fund establishmenteve.
Kjo duket më e vështirë sesa dikur për francezët dhe gjermanët. Tek ta ka pasur fitues dhe humbës të qartë të luftërave, kufij të qartë, e paskëtaj edhe projekte të qarta, që luftërat të mos përsëriten. Këto projekte e krijuan Bashkimin Evropian.

Çelësi për të ardhmen duhet të kërkohet prej të gjithëve, por më së shumti duhet të kërkohet në Beograd. Është ky kryeqyteti i shtetit, në të cilin vazhdojnë të jetojnë të vërtetat reciprokisht ekskluzive.
Serbia mbështet deklarativisht Bosnjë-Hercegovinën, por edhe status quo-në që nuk mundëson që ky shtet të jetë funksional.
Serbia mbështet “dialogun për normalizim”, por është kundër identitetit ndërkombëtar të Kosovës si anëtare e OKB-së, gjë që është në të vërtetë provë e normalitetit të marrëdhënieve.
Serbia është vend që po udhëheq negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa në të njëjtën kohë është edhe vend ku shumica e banorëve, pra votuesve për partinë në pushtet, e duan më shumë Rusinë, dhe madje të Putinit.

Në shtatëdhjetë vjetët e kaluar, shtetet e Evropës kanë përfunduar luftërat e tyre me vendosjen e vlerave të përbashkëta në fushën e sigurisë, demokracisë, ekonomisë. Në ata 70 vjet, luftërat përfunduan me anëtarësim në NATO apo Bashkim Evropian. Për Kosovën dhe Serbinë kjo duket shumë më e vështirë: Serbia mundet, por nuk do në NATO. Kosova do, por shkaku i Serbisë (përmes Rusisë) nuk mundet. Edhe më i komplikuar është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Po ashtu, edhe anëtarësimi në OKB: këtë nuk e mundëson Rusia, derisa të mos e lejojë Beogradi.

5.
Serbia mund të jetë e suksesshme me Gjarprin. Por në atë rast duhet të definohet suksesi. Me këtë model Serbia nuk do të normalizojë raportet me Kosovën. Kjo mund t’i pëlqejë dikujt në Beograd, por fati i Serbisë nuk mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë e Kosovës. Kosova mund të kalojë edhe pak kohë nën modelin Gjarpri, por ai model që përdor mjetet publike për pasurimin personal të një strukture të kriminalizuar është i dënuar të dështojë, dhe madje shumë shpejt.

Perspektiva e asnjë prej tri shteteve, Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës, nuk mund të jetë ngrirja e konflikteve, e as iluzioni për perspektiva tejevropiane (në aspektin e Rusisë apo islamit politik).
Perspektivë e të gjithëve është përfundimi i luftërave, atyre për të cilat nuk do të frikësohemi më se do të përsëriten.

(Fjala e autorit në promovimin e përkthimit në serbishte të librit të tij, “Këmbët e Gjarprit”, në Beograd, më 2 qershor 2016)

Please follow and like us: