A duam ne të kemi udhëheqës të fuqishëm?
Një tendencë drejt autoritarizmit gjithnjë e më të madh duket se po përhapet në të gjithë botën, nga Rusia e Kina te SHBA. Megjithatë, ndërsa abuzimi me pushtetin – aftësia për t’i shkaktuar tjetrit çfarë të na dojë qejfi – është po aq i vjetër sa vetë njerëzimi dhe udhëheqësit pa këtë abuzim duket se nuk udhëheqin dot
Një tendencë drejt autoritarizmit duket se po përhapet në të gjithë botën. Vladimir Putini ka përdorur me sukses nacionalizmin për të shtuar kontrollin mbi Rusinë dhe duket se po gëzon popullaritet të madh. Xi Jinpin shikohet si udhëheqësi më i fuqishëm i Kinës që nga koha e Mao Cedunit, duke drejtuar një numër gjithnjë e në rritje komitetesh me vendimmarrje me rëndësi kritike. Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan, së fundmi e zëvendësoi kryeministrin e tij me një kryeministër më të nënshtruar në përpjekje për të përqendruar në duart e veta pushtetin ekzekutiv. Dhe disa komentatorë kanë frikë se nëse Donald Trump fiton presidencën në SHBA në nëntor, ai mund të bëhet një “Musolini për Amerikën.”
Abuzimi me pushtetin është po aq i vjetër sa edhe historia e njerëzimit. Bibla na rikujton ne se pasi Davidi mposhti Goliathin dhe u bë mbret, ai joshi Bathsheba dhe qëllimisht dërgoi bashkëshortin e saj në një betejë me vdekje të sigurt. Udhëheqësia përfshin përdorimin e pushtetit, dhe, siç paralajmëroi Lord Actin, pushteti korrupton. Dhe megjithatë udhëheqës pa pushtet – aftësinë për t’i shkaktuar të tjerëve çfarë të duan – nuk mund të udhëheqin.
Psikologu i Harvardit David C. Mçlelland një herë i ndau njerëzit në tri grupe sipas qëllimeve të tyre. Ata që kujdesen më shumë për të bërë diçka më mirë kanë “një nevojë për arritje.” Ata që mendojnë më shumë për marrëdhënie mirqësore me të tjerë kanë “nevojë për përkatësi.” The ata që kërkojnë të kenë më shumë ndikim mbi të tjerët tregojnë “nevojë për pushtet.”
Grupi i tretë rezultoi se ka nxjerrë udhëheqësit më efikasë, gjë që na sjell ne sërish pas te Acton. Por pushteti nuk është në vetvete i mirë apo i keq. Njësoj si kaloritë në një dietë, të pasurit me pakicë sjell dobësim dhe të pasurit me tepri sjell obesitet. Maturia emocionale dhe stërvitja janë mjete të rëndësishme në kufizimin e joshjes narciziste të pushtetit, dhe institucionet e përshtatshme duhet të ekzistojnë patjetër që të kemi një balancë të drejtë. Etika dhe pushteti mund të përforcojnë njëra-tjetrën.
Por etika mund të përdoret gjithashtu instrumentalisht për të rritur pushtetin. Makiaveli foli për rëndësinë e etikës për udhëheqësit, por para së gjithash në kuptimin e asaj se çfarë përshtypje krijon një shfaqje e virtytit te ndjekësit. Një shfaqje prej të virtytshmi është një burim i rëndësishëm për pushtetin e butë të udhëheqësit, ose aftësinë për të marrë atë që dëshiron përmes bindjes dhe jo përmes shtrëgimit apo pagesës. Në të vërtetë, për Makiavelin, virtyret e princit duhet të jenë vetëm për dukje dhe asnjëherë të vërteta. “Unë mendoj madje se të pasurit dhe të praktikuarit e virtyteve në tërësi janë të dëmshme, ndërsa të dukurit i virtytshëm është e vlefshme.”
Makiaveli theksoi gjithashtu rëndësinë e pushtetit të marrë përmes detyrimit dhe pagesave kur një udhëheqës përballet me faktin se pushteti i butë i bindjes mbart dilema “pasi të qenit i dashur varet nga populli ndërsa të të pasurit frikë varet nga vetë princi.” Makiaveli besonte se kur dikush duhet të zgjedhë, është më mirë të të kenë frikë se sa të të duan. Por ai kuptoi gjithashtu se frika dhe dashuria nuk janë të kundërta dhe se e kundërta e dashurisë – urrejtja – është veçanërisht e rrezikshme për udhëheqësit.
Në botën anarkike të qytet-shteteve të Rilindjes Italiane dhuna dhe rreziku qe shumë më i lartë se sa në demokracitë e kohës sonë por elementë të këshillave të Makiavelit mbeten të rëndësishme për udhëheqësit e kohës sonë. Përveç kurajës së luait, Makiaveli rekomandoi dhe hilet strategjike të dhelprës. Idealizmi pa realizëm rrallë herë i japin formë botës, por ndërsa ne gjykojmë udhëheqësit demokratikë të kohës sonë, ne duhet të mbajmë në mendje Makiavelin dhe Akton. Ne duhet të mendojmë të mbështesim udhëheqësit që posedojnë një element kritik të vetëpërmbajtjes dhe nevojës për arritje dhe përkatësi po aq sa edhe për pushtet.
Por ka një aspekt tjetër të dilemës së Acton pas etikës së udhëheqësve: kërkesa për ndjekës. Udhëheqësia është një kombinim i tipareve të udhëheqësve, kërkesave të ndjekësve dhe kontekstit në të cilin ata bashkëveprojnë. Publiku në Rusi është në ankth mbi statusin e vet; populli kinez është i shqetësuar nga korrupsioni i gjithëpërhapur; populli turk është i ndarë mbi etninë dhe religjonin: që të gjitha krijojnë mjedise të përshtatshme për udhëheqës që kanë nevojë psikologjike për pushtet. Në mënyrë të ngjashme, për të plotësuar nevojën e vet narciziste për pushtet, Trumpi lartëson pakënaqësinë e një pjese të popullsisë përmes manipulimit me efikasitet të programeve të lajmeve në televizion apo të medias sociale.
Kjo është pika ku institucionet luajnë një rol thelbësor. Në fillesat e Shteteve të Bashkuara, James Madison dhe themeluesit e tjerë të vendit panë se as udhëheqësit dhe as ndjekësit e tyre nuk mund të jenë engjëj dhe se institucionet duhet të dizenjohen për të përforcuar kufizimet. Ata dolën në konkluzionin e vet pasi studiuan republikën e lashtë të Romës se është e domosdoshme të parandalohet ngritja e një udhëheqësi të plotpushtetshëm si Jul Cezari dhe se kjo mund të realizohet përmes ndërtimit të një kuadri institucional të ndarjes së pushteteve, ku një fraksion balancon një fraksion tjetër. Përgjigjja që tha Madison për rrezikun që përbën shfaqja e një “Musolini Amerikan” qe një sistem institucionesh për kufizim dhe balancim që siguron që Shtetet e Bashkuara të mos bien kurrë në një situatë të ngjashme me Italinë e vitit 1922 – apo të Rusisë, Kinës apo Turqisë sot.
Themeluesit e Amerikës u përballën me dilemën se sa të fuqishëm duam ne të jenë udhëheqësit tanë. Përgjigjja e tyre u dizenjua për të ruajtur lirinë, jo për të maksimizuar efikasitetin e qeverisjes. Shumë komentatorë janë ankuar mbi kalbjen e institucioneve, ndërsa të tjerët sugjerojnë se ndryshimet – të tilla si televizioni i spektaklit dhe media shoqërore – të cilat kanë banalizuar cilësinë e diskursit publik. Më vonë këtë vit, ne mund të zbulojmë se sa i fortë është në të vërtetë kuadri institucional i krijuar nga themeluesit e Amerikës për të frenuar urinë e udhëheqësve për pushtet.