AP shpall Clinton fituese të garës në Partinë Demokrate
Ish-Sekretarja e Shtetit thotë se do të presë votimet e nesërme, Bernie Sanders proteston kundër nxitimit të medias për të shpallur fituesen
Për agjensinë e njohur të lajmeve, Associted Press, gara në Partinë Demokratike, ka mbaruar. Fituesja Hillary Clinton është duke u treguar gjithësesi e përmbajtur.
Gjakrat e demokratëve amerikanë u përndezën përsëri gjithësei sonte, pas lajmit nga AP se në bazë të llogaritjes së superdelegatëve që po i bashkohen kampit Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit e ka arritur tashmë shumicën e nevojshme për të.
Bernie Sanders kundërshtari i saj që refuzon të heqë dorë nga gara tha se nxitimi i medias për të shpallur fituesen kur gara është ende në vijim është i gabuar dhe i padrejtë.
Fushata e tij gjithashtu ka thënë se është e padrejtë që votat e superdelegatëve numërohen përpara se ato të hidhen realisht në Kuvendin e Partisë. Për momentin në bazë të delegatëve të zgjedhur, Clinton kryeson por është larg shumicës së siguruar. Shumicën e arrin vetëm me anë të superdelegatëve që shkojnë drejtpërdrejt në Kuvend se janë figura të partisë. Këta edhe mund ta ndërrojnë votën po të duan.
“Na bëhet qejfi @AP, por kemi ende disa paraprake për të fituar CA, MT, NM, ND, NJ, SD (inicialet e shteteve ku do të votohet)”, shkroi Hillary Clinton në Tuitër duke bërë thirrjen: “Votoni nesër!”
Me gjashtë shtete ende në garë Clinton bën mirë që ruan fokusin në ditën e nesërme. Rezultatet do të kenë më shumë vlerë simbolike, por simbolika luan shumë rol në zgjedhje të tilla.