Eva Idrizllari: Burrat që rrahin gratë janë thjesht “mbeturina”
Burrat që rrahin gratë janë thjesht “mbeturina”
Eva Idrizllari
Burrat që rrahin gratë nuk kanë asnjë arsye, janë thjesht “mbeturina” të cilat duhet të eliminohen. Gruan e rreh një njeri i dobët, i cili shfryn frustrimet e tij mbi krijesën fizikisht të dobët duke përfituar. Një njeri i tillë tregon që urren veten e tij.
Në shoqërinë shqiptare egzistojnë akoma burra-padronë, të cilët forcën e muskujve e mbajnë si krekosjen e një fuqie mijëvjeçare anakronike.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me një pakicë me çrregullime psikiatrike, që duhen diagnostikuar dhe trajtuar. Por me një numër njerëzish paranojakë ndaj feminizmit, të paaftë në zgjidhjen e marëdhënieve ndërpersonale, të kompleksuar nga ndienja e braktisjes dhe refuzimit, si edhe me një mungesë të theksuar edukate në respektimin e femrës.
Këta njerëz ngrejnë muret e injorancës. Mbartin pakënaqësi dhe nervozizëm, duke e përdorur dhunën si forcë ndëshkuese në emër të fuqisë, apo humbjes së pushtetit të tyre mbi gratë.
E ardhmja e shoqërisë shqiptare është e kërcënuar nga modeli “i pushtetit” që ndrydh, shtyp dhe dhunon të drejtat njerëzore në çdo aspekt të saj.
PS: Nuk e publikova dot videon ku një grua po dhunohej nga burri-padron, sepse nuk dua ta shoh kurrë në një situatë të tillë një femër me fëmijët e saj.