Ishte shpallur zyrtarisht e vdekur, Petra Pazsitka, rishfaqet pas 31 vjetësh
Ishte zhdukur në mënyrë misterioze përpara 31 viteve. Të gjithë besonin se ajo kishte vdekur prej kohësh, që pas deklaratës së një burri, i cili kishte thënë se e ka vrarë. Por dy javë më parë zbulohet se Petra Pazsitka, me origjinë nga Braunschweig, qytet që ndodhet në veri të Gjermanisë, është gjallë dhe gëzon shëndet të plotë, por për gjatë gjithë këtyre viteve ka dashur që të fshihet për pjesën tjetër të botës. Historia u shfaq ditët e fundit në shtypin gjerman, por ne duhet të bëjmë një hap prapa, për ta rindërtuar atë në detajet. Pazsitka ishte 24 vjeç, kur u zhduk pa lënë gjurmë nga Braunschweig, ku ndante një shtëpi me disa studentë dhe po përgatitej për provimet. Në të vërtetë sot 55-vjeçarja kishte vënë në jetë një plan shumë të studiuar. Kishte marrë me qira në fshehtësi një tjetër apartament dhe kishte kursyer rreth 4 mijë marka, ekuivalente me 2 mijë euro në ditët e sotme, për të filluar një jetë të re.Gruaja është parë për herë të fundit në publik më 26 korrik, 1984, gjatë momentit që ishte duke dalë nga dentisti. Ajo doli nga zyra e tij rrethores 15:00 dhe sipas dëshmisë së një mikut të saj, gruaja do të shkonte me autobus për të vizituar prindërit e saj në Wolfsburg, një qytet aty pranë. Ajo kurrë nuk arriti në destinacionin e vet. Policia nisi një hetim të gjerë dhe madje bëri një apel në televizion, duke publikuar të gjitha të dhënat e saj. Madje autoritetet hapën hetimet për vrasje. Dyshimi ra mbi të njëjtin person që besohej përgjegjës për vrasjen që kishte ndodhur një vit më parë, një vajzë 14 vjeçare. Krimi ishte kryer në një pyll jo shumë larg nga stacioni i autobusit që hipi Pazsitka për të shkuar tek prindërit e saj. Në fund të marsit 1985, policia arrestoi 19 vjeçarin, Gunter K.,një mason, i cili pranoi vrasjen e Petra Pazsitka. Në vitin 1987, për arsye që sot duken të pakuptueshme, i riu gjithashtu pranoi se ka vrarë gruan zhdukur, e cila në vitin 1989 u shpall zyrtarisht e vdekur. Historia do të ishte arkivuar, nëse Pazsitka nuk do të ishte rikthyer. Për 31 vjet ajo ka arritur të jetojë pa një kod fiskal, ku do të paguante taksat, pa një kartë të sigurimeve shoqërore, pa patentë shoferi, pa një pasaportë apo një llogari bankare. Për policinë -raporton shtypi gjerman- gruaja nuk mund të mbahet përgjegjëse për ndonjë krim, sepse ajo kurrë nuk bëri falsifikim të dokumenteve. Sa për arsyet që çuan atë të zhduken, gruaja thjesht tha se nuk donte që të kishte kontakt me prindërit e saj, apo me njerëzit në përgjithësi, duke mohuar se baza e vendimin e saj ka pasur incidente të abuzimit seksual në familje. Autoritetet gjermane tani do të duhet ta deklarojnë përsëri në jetë.