KROACI – Oreshkoviç refuzon dorëheqjen pavarësisht krizës qeveritare
Edhe pse sot paradite, partia kryesore qeverisëse kroate njoftoi se po grumbullonte firmat e nevojshme për fillimin e procedurës për një mocion mosbesimi për kryeministrin, Tihomir Oreshkoviç, ky i fundit refuzoi duke thënë se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen. ”Katër muaj më parë mora besimin e parlamentit dhe nuk kam ndërmend ta kërkoj sërish”, deklaroi Oreshkoviç, menaxher kanadez me origjinë kroate, i shndërruar në kryeministër pothuajse rastësisht, si rezultat i një kompromisi të komplikuar qeveritar, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, ku nuk doli asnjë fitues i qartë. Oreshkoviç nuk ka pas asnjë parti, nuk është zgjedhur me vota dhe nuk ka përvojë politike. Kjo situatë nuk është parë kurrë në Evropë, që një kryeministër, pasi ka humbur mbështetjen e maxhorancës, refuzon të japë dorëheqjen.