Albspirit

Media/News/Publishing

Meta në Komitetin Hebraik: Historia nuk ka qenë dashamirëse me ne, por kjo na bëri më të fortë

metaKryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ndodhet në SHBA, ku ka marrë pjesë në Forumin Global të Komitetit Hebraik Amerikan. Gjatë këtij forumi u zhvilluan edhe dy seanca të veçanta kushtuar marrëdhënieve mes popullit shqiptar dhe popullit hebre, si dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë, Izraelit dhe SHBA-ve.

Meta e vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes popullit shqiptar dhe atij hebre, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në mbështetje të hebrenjve gjatë periudhës së holokaustit.

“Shqiptarët dhe hebrenjtë kanë shumë të përbashkëta. Historia nuk ka qenë dashamirëse për asnjërin prej popujve tanë, por përmes vështirësive, ne kemi mësuar të bëhemi edhe më të fortë”, tha Meta.

“Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë, ku numri i hebrenjve ishte shumë herë më i lartë pas luftës sesa në fillimet e saj dhe asnjë përfaqësues i komunitetit hebre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë”, shtoi ai.

Meta tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të rëndësishme për të dy popujt, ndaj po punohet për intensifikimin e tyre konkret, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve izraelite në Shqipëri.

Duke u ndalur në situatën në Lindjen e Mesme, kreu i Kuvendit vuri në dukje se Shqipëria mbështet një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për konfliktin në këtë rajon si dhe politikën e “dy shteteve” Izrael-Palestinë, që jetojnë në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Please follow and like us: