Ngrohja globale, gjenden 4 gropa gjigante në veri të Rusisë
Katër gropa të reja misterioze janë zbuluar në veri të Rusisë, duke shtuar frikën se ngrohja globale mund të jetë shkak për shpërthime të fuqishme gazi nga nëntoka. Shkencëtarët i zbuluan 4 krateret gjigante së bashku me disa dhjetëra gropa më të vogla në gadishullin Yamal, e njëjta hapësirë ku një vit më parë u zbuluan tre kratere të mëdha.
Krateret mendohet të jenë krijuar nga shpërthimi i gazit të metanit nga nëntoka për shkak të rritjes së temperaturave, çka ka sjellë shkrirjen e sipërfaqes së tokës në zonë.
Sipas shkencëtarëve, ekziston rreziku që krijimi i këtyre kratereve të bëhet një gjë e zakonshme për shkak ndryshimeve të mëdha klimaterike, çka e vë këtë zonë përballë rrezikut të një katastrofe të vërtetë natyrore.
Një nga krateret, i rrethuar nga 20 gropa më të vogla, ndodhet shumë pranë një fabrike të madhe të prodhimit të gazit. Sipas shkencëtarëve, në të njëjtën zonë pritet të zbulohen edhe 30 kratere të tjera të mëdha.