Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk jam si ju…

Nuk jam si ju…

Ilir Hebovija, gazetar, pedagog

Jeni çuditur me dhunën? Ju populli im i mrekullueshëm paqëtor e femër respektues? Jeni çuditur? Në këtë oaz mbushur vetëm me mirësi u shfaq një akt dhune. Ju zuri në befasi. S’e keni marrë veten ende nga goditja që e ndoqët direkt? S’keni faj, helbete është e tmerrshme për ju.

Unë s’jam si ju e pranoj që çdo ditë shoh dhe bëj një akt dhune ndaj femrave, ndaj fëmijëve, ndaj të moshuarve, ndaj kujtdo që më prek qoftë edhe me pupël.

Di që çdo ditë të enjte ushton me licencë dhuna tek ata që kemi zgjedhur për qetësinë tonë dhe i ndjek deri në fund sa të mbarojë edhe fjalimi i mbetur.

Pastaj ulem poshtë te lokali i lagjes dhe pi birra e bërtas deri vonë duke u zënë me shokët pr ato çfarë dëgjova.

Nuk rri i qetë se, çdo orë ka një gjë të re që më mbush me tërbim e bëhem i dhunshëm.

Kur s’ma mban t’ia shfryj atij që kam përballë se është më lart dhe më i fortë, ia shfryj gruas dhe fëmijëve. Rëndë fare!

Jam në shtëpi dhe megjithëse i dëgjojnë ulurimat, nuk ndërhyn njeri se është çështje e imja, private.

Kë dhunoj brenda katër mureve, e kam të shkruar. Ndaj, është e drejta ime.

Unë s’jam si ju, sepse e shoh çdo ditë dhunën, e perjetoj çdo dite dhe e reflektoj çdo ditë. Por, nuk arrij dot të bëhem kaq paqësor sa të marr dhunë e të kërkoj mirësi.

Se, do të më shajnë e dhunojnë, do të me quajnë “burrë grua”. E unë këtë s’e duroj dot! Unë jam shqiptar, kam nder, kam komb, kam çdo gjë e nuk fal! Po të zura, t’i numërova të gjitha!

Ju e di që nuk jeni kështu. Keni gjithë jetën tuaj që rrezatoni mirësi. E kam ndjerë në çdo moment. Por,  nuk jam dot si ju e më vjen keq! Ju kërkoj shumë ndjesë dhe e mirëkuptoj revoltën tuaj.

Do të përmirësohem duke u parë ju, sepse unë nuk e filloj dot i pari. Nuk kam kurajo.

Please follow and like us: