Albspirit

Media/News/Publishing

Pakistan, kryeministrit i presin dritat, ishte debitor

Copy-of-pakistan-dritatKryeministri i Pakistanit, Navaz Sharif, urdhëroi një fushatë për mbledhjen e faturave të dritave, një problem masiv në këtë vend, por u përball vetë me vështirësi, kur kompania e shpërndarjes ndërpreu furnizimin e zyrës së tij. Selisë së Kryeministrit iu rikthye energjia pasi shleu borxhin.

Edhe disa ndërtesa të tjera qeveritare, përfshirë Parlamentin dhe rezidencën e Kryeministrit, mbetën pa energji. Ndërprerja e furnizimit të rregullt me energji në Pakistan është e zakonshme dhe shumë zona qëndrojnë deri në 12 orë në ditë pa drita.

Kompania e energjisë tha se zyra e Kryeministrit nuk e kishte shlyer faturën për gjashtë muajt e fundit dhe pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, situata nuk ishte përmirësuar. Të dielën në darkë, u mor vendimi për t’ia hequr kabllon, për shkak të faturës 48 mijë dollarëshe të papaguar. Sharif ka premtuar ta zgjidhë krizën energjetike të Pakistanit gjatë fushatës së vet elektorale. Vetë Sharif nuk ishte prekur nga ndërprerja e furnizimit, pasi gjendej për një vizitë në Britaninë e Madhe. Por stafi i tij pati djersitur për dy ditë pa ajër të kondicionuar. Gjithsesi, zëdhënësi i Kryeministrit u mburr, duke thënë se ndërprerja jep një mesazh të mirë, që tregon se askush nuk është mbi ligjin. Por disa gazetarë vendas janë tallur.

Please follow and like us: