Albspirit

Media/News/Publishing

Prishtina, kryeqyteti i librit, çelet panairi tradicional

Në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u hap sonte Panairi i Librit, edicioni i 18-të, në të cilin deri në 12 qershor prezantohen mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me mëse 1.200 tituj të rinj e rreth 4.500 të tjerë, të viteve të fundit.

Në ceremoninë solemne të hapjes së panairit që e bën Prishtinën këtë javë edhe kryeqytet libri morën pjesë dhe përshëndetën edhe kryeministri i Kosovs, Isa Mustafa dhe zëvendsësminsitri i Kulturës i Shqipërisë, Zef Çuni.

Në Panair, të vlerësuar edhe festë e librit dhe shenjë e identitetit, është tradicionale shënimi i përvjetorëve të personaliteteve të mëdha letrare shqiptare e botërore. Tradita, këtë vit, vazhdon me 450 vjetorin e lindjes së Pjetër Budit, 400 vjetorin e vdekjes së William Shakespeare, 400 vjetorin e vdekjes së Miguel Cervantesit, 150 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, 150 vjetorin e lindjes së Andon Zako Çajupit, 100 vjetorin e lindjes së Mbretëreshës Geraldinë, 100 vjetorin e lindjes së Jusuf Vrionit, 100 vjetorin e lindjes së Esad Mekulit. Aktivitete i dedikohen edhe 90 vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, 80 vjetorit të lindjes së Rexhep Qosjes dhe 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.

Panairi, sipas organizatorit – Shoqatës së Botuesve të Kosovës, pritet të ketë mëse 38.000 vizitorë, mes të cilëve edhe personalitete të shquara nga jeta letrare, akademike e politike.

Para 17 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.

 

Please follow and like us: