Albspirit

Media/News/Publishing

Pse, kush dhe si u vranë 111 robër italianë në Shqipëri

Pse, kush dhe si u vranë 111 robër italianë në Shqipëri

Xh. Staravecka (mars 1912-maj 1975) ka qenë një intelektual me një formim e kulturë solide historike. Ai ka qenë protagonist në jetën politike sidomos në ngjarje të tilla si “Kryengritja e Fierit” apo Lufta Antifashiste. Në librin me kujtime të Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë” ka kujtime dhe dëshmi të drejtpërdrejta  për rreth 100 figura historike të viteve 1912-1966.  Sipas botuesit Naim Zoto, ndryshe nga etiketimet e vëna për shkaqe politike e ideologjike, Xhelal Staravecka në kujtimet dhe refleksionet e tij, të shkruara në vitin 1966 në Paris dhe botuara në vitin 2012 në Tiranë,  vlerëson se ngjarjet më të mëdha të historisë shqiptare të shekullit të kaluar janë: Shpallja e Pavarësisë, Kongresi i Lushnjes, Lufta e Vlorës dhe Lufta Nacional-Çlirimtare. Sipas tij, qëndrimi ndaj këtyre ngjarjeve historike, pro apo kundër, është hendeku që ndan tradhtarët nga patriotët, progresin nga regresi, shqiptarët nga antishqiptarët, idealistët nga kolltugofagët.

Libri me kujtime “Përpara gjyqit të historisë” është konsideruar nga autori si një testament moral, si “gjykimi i fundmë” për gjithë veprimtarinë e tij, për gjithë çfarë pa, njohu e rinjohu, ndjeu dhe parandjeu, bëri dhe nuk bëri Xhelal Staravecka, një figurë me një intensitet jete, ndoshta “pa të dytë” në historinë shqiptare. Për fat të keq, ashtu si dikur, me emrin e këtij njeriu vazhdon të spekulohet, jo vetëm brenda por edhe jashtë Shqipërisë. Ai citohet në mënyrë spekulative, natyrisht nga studiues apo historianë amatorë, të cilët, duke bërë ta paditurin për “testamentin” e tij, vazhdojnë të mashtrojnë opinionin duke deformuar të vërtetën. Kështu vazhdon të luhet me “traktet” e famshme të Xhelalit, me ngjarjet makabre të 4 Shkurtit, me vrasjen e robërve italianë dhe kolonel Gamuçit etj. Para disa ditësh një gazetë rihapi debatin për vrasjen në malet e Martaneshit të kolonelit të famshëm italian dhe ushtarëve të tij në vitin 1943.  Duke operuar me gjysmë të vërtetat harrohet këshilla: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj/ gjysma tjetër komploton kundër saj”. Sidomos kur si provë e së vërtetës merret propaganda dhe jo dëshmia. Për më tepër, kur pinjollët e fashizmit rreth 70 vjet më parë nuk ia mohuan “fjalën e fundit” në gjyq “banditit shqiptar”, si ka mundësi që sot kjo gjë mohohet? Kapitulli i tretë i librit me kujtime përfshin periudhën 1945-1966, kur autori, pasi largohet nga Shqipëria, për shkak të triumfit komunist, përfundon i arrestuar në Itali, pikërisht si një nga antifashistët më të mëdhenj, ndonëse akuza zyrtare lidhej me vrasjen e 111 ushtarakëve italianë, mes tyre dhe kolonel Gamuçi-t. Gjyqi kundër Xhelal Staraveckës në Romë pati jehonë ndërkombëtare, sidomos qëndrimi i tij në mbrojtje të interesave të Shqipërisë përballë qëllimeve dhe pushtimit fashist.

Më poshtë po japim pjesë nga dëshmia e Staraveckës, e cila, rreth 70 vjet më parë, është e depozituar edhe në gjykatën e Romës, ku rrëfehet historia e 111 robërve të pushkatuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

 

Traktet e mia antikomuniste dhe pushkatimi i italianëve

 

Pas katër ditëve në Labinot, më thirrën në Shtab e më thanë të merrja batalionin e të shkoja në Çermenikë, afër Martaneshit, pranë një qendre të formuar nga Kadri Hoxha për të pushkatuar një sasi karabinierësh dhe oficerësh italianë. Në kthim, në Labinot, do të më jepnin një kolonë me mushka të ngarkuara me topa malorë e municion, që i kishim zënë nga ushtria italiane kur kapitulloi, për t’i çuar në brigadë që do ta gjeja pas një jave në Belsh të Lushnjës.

Meqenëse, qysh prej çështjes së Fraveshit isha bërë si një që ndjek hijen e tij, aq sa nuk më interesonte as ç’duhej të bëja, as ajo që bëja; në apatinë më të madhe mora batalionin dhe u nisa për në Çermenikë. Atje, kur arrita, ia vura në dispozicion batalionin Kadri Hoxhës, duke e porositur nënkomandantin tim t’i ekzekutonte urdhrat e Kadriut, përpikëmërisht në ekzekutimin e të dënuarve. Si e thashë më lart, jo vetëm nuk më interesonte kurrgjë, por, nga ana tjetër, atje në Çermenikë, në njësitin e Kadriut, ishte dhe një shoqe partizane, Turkeshi, e cila me disa shokë bënin shfaqje teatrale që, sado ishin rudimentale, ishin mjaft simpatike për t’u zbavitur dhe shumë të nevojshme për mua që doja të harroja për disa çaste luftën e tmerrshme të brendshme që ishte ndezur në qenien time. Me fjalë të tjera, dua të theksoj se ato 48 orë që qëndrova në Çermenikë, i kalova si në trans, tamam sikur të kisha pirë narkotikë.

S’ka dyshim se edhe ligjet ndërkombëtare, përgjatë konfliktit, pasurinë e armikut të mundur ose të pushkatuar, e përkufizojnë si plaçkë lufte; kështu edhe në atë pushkatim, sendet që kishin të ekzekutuarit u grumbulluan në depon e partisë. Them të partisë, pasi Lufta Nacional-Çlirimtare ishte në ditët e fundit të jetës së saj, pasi ndodheshim në pragun e luftës civile që u hap në fakt, jo më vonë se dy-tri javë.

Në traktin që kam bërë mbi pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve të tyre italianë kam thënë se pushkatimi u vendos vetëm për t’i zhveshur nga ç’kishin në trup. Në të vërtetë, thëniet e mia nuk ishin reale, pasi atë trakt, si dhe të tjerë, i kisha bërë me qëllim propagande për të ekspozuar keq komunizmin shqiptar që ndodhej në duart e serbëve, të Dushanit me shokë si dhe të këlyshëve të tyre, Koçi Xoxes me shokë, kolonë e pestë dhe besnike e Jugosllavisë, komunizëm të cilit i isha deklaruar armik i tërbuar me armë, me pendë e me çdo mjet që të vinte përdore.

Në gjyq në Romë në fjalim dhe në shkrime kam thënë:

-Karabinierët dhe oficerët italianë ishin të dënuar nga ndërgjegjja kombëtare shqiptare për krimet e tyre që i kishin bërë popullit tonë për pesë vjet të zgjedhës së rëndë që Italia kishte vënë mbi zverkun tonë. Ata kishin pushkatuar dhe varur nëpër burgje në Tiranë dhe gjetkë sa e sa shqiptarë të pafajshëm, vetëm për t’u hakmarrë kundër aksioneve të partizanëve. Ata kishin shtënë në mes të turmës që manifestonte në Tiranë e gjetkë, nga e cila kishin rënë aq dëshmorë, pasi donin atdheun e tyre të lirë nga çizmja e të huajit. Ata kishin djegur e plaçkitur qytete dhe krahina mbarë Shqipërisë, vetëm pasi shqiptarët luftonin për lirinë e tyre. Dhe, meqenëse luftën partizane e kishin bërë dhe ata vetë në vatrën e tyre, në Itali, e çdonjëri prej tyre që kishte vrarë një SS gjerman, atdheu i tyre i kishte shpërblyer me mirënjohje si bir të denjë të vetes, patjetër duheshin t’i konformoheshin asaj gjendje që ata vetë kishin krijuar në Shqipëri kur na vunë në thonjtë e tyre. Pra, pushkatimi i karabinierëve dhe oficerëve të tyre nuk mund të konsiderohej krim, pasi ata vetë nuk i konsideronin krim pushkatimet që kishin bërë kundër gjermanëve kur i kishin okupuar. Për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve të tyre u angazhua Kadri Hoxha, duke përdorur batalionin tim.

Pas pushkatimit të karabinierëve dhe të oficerëve të tyre, numri i të cilëve duhet të kalonte qindin, me forcat e mia u ktheva në Labinot. Labinoti në atë kohë shërbente si qendër grumbullimi e pjesëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare, si dhe si qendër e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane shqiptare.

 

Në burgun ushtarak të Romës

…Kur arritëm në Romë më futën në burgun ushtarak të Forte Boçea-s. Atje më futën në një bimcë të nëndheshme në errësirë absolute dhe me një të ftohtë dhe lagështirë të tmerrshme. Më dhanë vetëm një batanije prej kashte dhe më jepnin 250 gram bukë dhe një lugë lëng në 24 orë.

Konstrukti im trupor, për natyrën e tij ka peshuar gjithmonë jo më pak se 80 kilogramë që nga viti 1930. E, pra, brenda atyre ditëve që më lanë në atë bodrum të errët, arrita peshën 47 kilogramë. Sikur të kishin bërë një ballafaqim kur më nxorën nga ai bodrum dhe më çuan përpara gjykatësit hetues, besomëni, kërkush nuk do të më kishte njohur se unë isha me të vërtetë Xhelal Staravecka.

Kolonel Bellini, prokurori i gjyqit ushtarak të Romës, meqenëse dëshironte të më torturonte para se të më gjykonte, si më torturoi, dha urdhër të më mbanin në burg duke më kontrolluar doktori çdo 10 ditë në atë bimcë të ftohtë, të lagësht e pa dritë, për të parë nëse e duronte fiziku im atë trajtim, pasi nuk e donte vdekjen time pa më çuar në gjyq, për t’u treguar botës odisenë që kishin vuajtur në Shqipëri italianët, që na sollën aq qytetërim në mes të të cilit dhe atë të vjedhjes së portofolave nga xhepi.

Pas gjashtë vjetësh dhe pas dënimit tim në gjykatën e Apelit, kur lexova vendimin e asaj drejtësie që meriton ta shkruash me ”d” të vogël, e kuptova arsyen pse gjyqtari hetues i gjyqit ushtarak erdhi dhe më mori në pyetje plot pas 115 ditëve të arrestimit dhe të qëndrimit tim në një nga bimcat e nëndheshme të atij burgu mesjetar.

Kryetari i gjyqit në vendimin e dënimit thotë se qeveria italiane nën klauzolat e armëpushimit kishte kërkuar autorizimin për arrestimin tim nga qeveria aleate që kryesohej nga Admirali Ston, por ajo nuk  e kishte dhënë autorizimin. Për atë arsye, kur më arrestuan në ishullin e Liparit e më çuan në Romë, nuk mundnin të më merrnin në pyetje, se Italia ishte në kushtet e kapitullimit.

Pas 115 ditëve të qëndrimit tim në burg, domethënë 4-5 ditë pas heqjes së kushteve të okupacionit aleat dhe kthimit të qeverisjes dhe të sovranitetit të shtetit italian në duart e italianëve, erdhi gjyqtari hetues të më merrte në pyetje dhe njëkohësisht vuri dhe letrën e rreshtimit tim.

Kur Toger Pigozzi më thirri dhe më pyeti nëse isha unë Xhelal Staravecka, i thashë se meqenëse nuk e druaja drejtësinë nuk kisha asnjë arsye të mohoja identitetin e vërtetë timin dhe ai tha se mbeti i kënaqur nga ai deklarim i sinqertë, se i kisha kursyer punën e ballafaqimit.

Qeveria italiane, me drejtësinë e padrejtë, do të më kishte ngrënën drekët që kur më arrestoi, po të mos druante tmerrësisht ndonjë komplikacion nga Aleatët, të cilët nuk ia kishin dhënë autorizimin kur ajo e kërkoi për arrestimin tim. Pas largimit të tyre nga Italia e okupuar, ata kishin futur një klauzolë, e cila jo vetëm gjatë okupacionit, por edhe pas, sidomos neni 7, në mos gabohem, mbronte gjithë ata persona, italianë e të huaj, që kishin bashkëpunuar në favor të aleatëve, natyrisht kundër Italisë. Nga kjo përfitova dhe unë, që nuk morën kurajon të më zhduknin, se në mes të akteve të mia në hetuesi, ndodhej dhe një dokument që dëshmonte se unë kisha bashkëpunuar me anglezët.

Që kur e kuptova atë pikë të dobët për italianët, e përdora gjatë burgimit tim si një armë që më shpëtoi jo vetëm nga shumë mizerje, por edhe nga vdekja. Në të vërtetë vdekjen nuk e kam druajtur fort, se, përndryshe, nuk do t’i kisha hyrë atyre punëve aq të rrezikshme, por nga duart e një trimi dhe jo të italianëve që nuk i kam përfillur gjatë gjithë kohës së jetës time.

 

Gjyqtari hetues

Toger Pigozzi filloi të më merrte në pyetje duke më lexuar akuzën e vrasjes nga ana ime të 111 karabinierëve, nënoficerëve, oficerëve dhe të komandantit të tyre, kolonel Gamuçi-t.

Ajo koincidencë që më provoi kundër italianëve në Shqipëri kur pata armët në dorë, më duket se po ai kapriçio i atij rasti deshi të më provonte kundër italianëve në kohën kur isha i thyer dhe i arratisur nga vëllezërit dhe nga toka ime, pa fuqi, pa mbrojtje e pa mbështetje.

Tani më kishin ata në duart e tyre dhe në burg e, megjithatë, më duhej të luftoja me mjete të tjera dhe mjetet e tjera ishin vetëm kurajoja që ta përfundoja misionin tim si burrë, si idealist dhe, më fort akoma, si shqiptar me nder e me krenari, cilido të ishte përfundimi, në atë provë apo fushë prove, pa u tundur e me mospërfillje se mbi supet e mi peshonte një barrë e rëndë, pasi përfaqësoja trimërinë, krenarinë, idealin dhe vullnetin e sakrificën e bijve të popullit shqiptar.

Ashtu si kam thënë më lart, i njoh mirë italianët e isha i sigurtë se kurthin që kisha përgatitur jo vetëm Toger Pigozzi (hetuesi) që ishte shumë i vogël për ta kuptuar, por edhe prokurori, gjeneral Bellini, se pak më vonë u gradua gjeneral, që konsiderohej shumë i zgjuar, të paktën ashtu e konsideronte rrethi i tij, do të binte brenda, pikërisht ashtu si ra.

E dija që italianët do të më akuzonin vetëm për pushkatimin e karabinierëve e të oficerëve të tyre, por e dija, gjithashtu, se kur do të filloja të tregoja të tjera ndeshje, goditje, rrethime, përpjekje dhe beteja të përgjakshme kundër ushtrisë italiane në Shqipëri, gjyqtari do t’i verbalizonte (shënonte) në procesin që kompozonte kundër meje, sikur të kishte zbuluar Amerikën:

-Ha parlato, ha parlato ed ha confessato tutto, mamma mia, ha aggiunto anche altri fatti di guerra contro l’Italia…

Në ato ditët e para që filloi të më verbalizonte gjyqtari hetues, nuk dëgjohej tjetër bisedë në burg, veç kësaj që po e sjell këtu të përkthyer.

Foli, foli duke treguar dhe fakte të tjera mbi luftën time kundër Italisë në Shqipëri.

Kur ai më vuri përpara akuzën mbi karabinierët, i thashë tekstualisht:

-Vetëm për këtë episod më akuzoni?

-Cilat janë të tjerët? -më tha gjykatësi i habitur.

Për t’i rënë shkurt e mos përsëritur ato luftëra për të cilat kam shkruar në pjesën e dytë të këtij libri e që bëra kundër italianëve, fillova t’i diktoja dhe Toger Pigozzi mbushte faqe e faqe me makinën e shkrimit, i bindur se unë më atë tregim po i bëja varrin vetes, kurse në të vërtetë e bëra punën një çorbë të atillë, sa gjyqi ushtarak i Romës, pas 11 muajsh, kur u bind se ato aksione nuk ishin tjetër veçse Lufta Nacional-Çlirimtare e shqiptarëve kundër pushtuesit, ngriti duart lart dhe u deklarua i papërshtatshëm për të më gjykuar mua.

Në vazhdim të verbalizmit të deponimeve, pas më shumë se shtatë muajsh gjykatësi hetues i rralloi ardhjet; kishin arritur në përfundimin e aksioneve që përfshiheshin nën kapitullin e Luftës Nacional-Çlirimtare, dhe kishim hyrë në një fazë tjetër, në atë të luftës vëllavrasëse në Shqipëri, se më akuzonin edhe për pushkatimin e disa partizanëve italianë, ndër të cilët dhe disa mjekë.

ballina libri xhelalKur Toger Pigozzi e hapi këtë çështje, pasi shkroi në letër fillimin e procesverbalit, i thashë:

-Zoti gjykatës, ju jeni tipi më besnik i italianit, se dje në 45 milionë italianë, ishin 48 milionë fashistë; pas humbjes së fashizmit, kërkush nuk ka qenë fashist, sikurse kemi prova të gjalla në aktualitet, se krejt tregohen se paskan qenë antifashistë dhe ju deri tani keni mbrojtur pushtuesin italian në Shqipëri, natyrisht si fashist. Tani po e ktheni faqen e po bëheni antifashist: po më kërkoni llogari mbi pushkatimin e disa partizanëve komunistë italianë, por mbi të gjitha dua të them, dhe ju e dini më mirë se unë, se ç’hyn gjyqi ushtarak mbi pushkatimin e atyre italianëve që e kishin humbur kualitetin apo titullim ushtarak jo vetëm pas kapitullimit (u grisej zemra italianëve kur u thoshe “kapitullim” dhe jo armëpushim), por, për më tepër, ata nga ushtarakë u transformuan në partizanë dhe morën pjesë në luftën vëllavrasëse të një kombi që nuk ishte i tyre?

Ai me një nënqeshje që tregonte haptazi se unë isha në anën e arsyes, hoqi letrën nga rruli i makinës, e bëri lëmsh dhe e hodhi në kosh, e pastaj u ngrit e më tha:

-Adio! Nuk besoj të shihemi më, por edhe në qoftë se do të vij dhe njëherë, ajo do të jetë për të përfunduar verbalet që kam mbajtur deri më tani…  E, në të vërtetë, kjo punë është një gjë që nuk duhet të ketë gjykim, të paktën në gjyqin ushtarak.

Pas kësaj here nuk u pashë më kurrë me atë.

Gjatë asaj kohe, për fatin tim, dënimi me vdekje ishte suprimuar në Itali.

 

Frika e qeverisë italiane prej opinionit ndërkombëtar

Kam thënë më lart se sapo zbulova se opinioni i jashtëm për qeverinë italiane ishte pika më e dobët, rraha mendjen ditë dhe natë se si të gjeja një shqekëz për ta përdorur për çështjen time.

Pa humbur kohë hyra në korrespondencë me Halim Begën në New York, te i cili kam pasur një simpati, se, sado bashkëpunonte me Ballin, në të vërtetë nuk e ndjente veten ballist (natyrisht flas për në ato kohë që gjendeshim në Shqipëri). Aq e vërtetë kjo, sa, në kongresin e Ballit në Berat, nuk erdhi asnjëherë të merrte pjesë, por qëndronte jashtë. Një ditë kur e pyeta se pse nuk shkonte në kongres, më tha:

-Kam vendosur të mos bashkëpunoj me Lumon (Midhat Frashërin) kurrë drejtpërsëdrejti.

Këtu dua të theksoj se duke përfituar nga Halimi që kishte titullin avokat (dhe letrat patjetër m’i shkruante në gjuhën italiane pasi kishte studiuar në Itali), loja që kisha ndërmend të bëja do të kishte sukses ashtu si e parashikoja unë, pasi trualli në të cilin kisha vendosur të realizoja ëndrrën time ishte mjaft i favorshëm, se në atë anën tjetër ndodhej Halim Bega.

Halim Begës i shkrova, duke iu drejtuar jo vetëm si bashkatdhetar, por edhe sikur të isha dhe klient i tij, apo si avokati im. I thosha që të angazhohej dhe të merrte iniciativa për çështjen time pranë Komitetit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut në OKB, në New Jork. Dhe Halimi, për të cilin u binda se e kishte kuptuar lojën, shkoi apo nuk shkoi në atë komitet, kjo nuk kishte rëndësi të madhe, ndërsa kishte rëndësi shumë të madhe të më shkruante mbi demarshin që kishte bërë. Ai pak më vonë në letrën e tij, shkruar me makinë shkrimi dhe në krye të saj shënuar profesionin e tij si avokat, më thoshte se kishte shkuar në zyrën përkatëse dhe kishte biseduar mbi çështjen time, dhe patjetër ajo zyrë, sipas premtimeve që i kishin bërë, do të ndërhynte (vini re frazën “do të ndërhynte”) dhe jo vetëm do interesohej pranë qeverisë italiane për mbajtjen time ilegalisht në burg, por të kisha pak durim që mos të kërkoja kryerjen e punës nga sot nesër. Shtonte se kishte takuar të tjerë personalitete që ishin në OKB, për të ndërhyrë që çështja ime të merrte fund sa më shpejt.

Letrat e tjera që më vinin nga Amerika apo vende të tjera, censura e burgut me vonesën më të madhe, m’i jepte tre katër ditë pas ardhjes së tyre në zyrën e postës së burgut, kurse atë letër ma dhanë ekzaktësisht pas 19 ditëve, se kishte bredhur nëpër prokurori, ministri të drejtësisë e në kabinetin e kryeministrit e të tjera zyra.

Që atë ditë që më dhanë atë letër, nga e cila kuptova dhe gjezdisjen e saj në vendet që thashë më lart, u sigurova se loja ime e kishte bërë punën e saj ekzaktësisht, ashtu si e dëshiroja unë.

Për të arritur atë qëllim, nuk lashë të kalonte shumë kohë, por bëra një shkresë dhe ia dërgova prokurorisë, nga e cila varesha, duke i kërkuar autorizim për dërgimin e një shkrese në Zyrën e të Drejtave të Njeriut pranë OKB në Nju Jork. Prokuroria më autorizoi, por me konditë që shkresën t’ia çoja asaj jo vetëm për ta censuruar, por edhe për ta dërguar ajo vetë në Nju Jork, natyrisht pasi të kishte njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Jashtme për pëlqim.

Ajo punë e bëri mrekullinë e saj pas katër vitesh që më kishin dërguar në gjyqin për faje ordinere e më kishin transferuar në burgun e Regina Coeli-t dhe që nuk e kisha parë akoma gjykatësin hetues se çfarë fytyre kishte.

Paralel me situatën që kisha krijuar, pata dhe fatin e madh të vajtjes së vëllait në Amerikë, i cili filloi të më dërgonte shuma të konsiderueshme, rreth 120 mijë lireta në muaj, muaj për muaj, kështu që kisha një mundësi të gjerë jo vetëm të kënaqja mirëmbajtjen personale me ushqime e të tjera nevoja, por kisha mjete t’i sillja mendjen rrotull çdo drejtori burgu po të më jepte mërzira jashtëligjore, si dhe në sektorin e procesit të vija dhe mbrojtës ligjor atë që dëshiroja unë nëpërmjet të hollave të mia.

Në qelinë time bëra një bibliotekë të vogël me mëse tridhjetë volume që i bleva kohë pas kohe në “Libraria Fratelli Boça” në Milano. Sikur të mos kisha marrë një tjetër fizionomi me çështjen e Zyrës së të Drejtave të Njeriut të OKB, drejtorët e burgjeve nuk do të kishin autorizuar kurrë hyrjen e atyre librave në burg nga kundërshtimet e kapelanëve të burgjeve. Nga ato libra dhe nga të tjerë më vonë, kulturës që kisha, i shtova dhe njëmijë përqind mundësinë e një gjykimi të pastër e të kthjellët mbi të gjitha problemet që më kishin mbetur më parë në ndërgjegje.

 

Caktimi i gjyqit dhe sekuestrimi i materialit mbrojtës

Në fillim të vitit 1952 më lajmëruan se e kishin caktuar ditën e gjykimit, në mos gabohem, në 5 shkurt të atij viti. Kisha përgatitur një farë memoriali (material me shkrim) në mbrojtjen time, rreth 30 faqe. Pasi e dija se prokurori do të bënte çmos ditën e gjyqit që mos të më lejonin ta lexoja, ia çova prokurorisë dy javë më parë ta censuronte, për të lejuar leximin e tij në gjyq.

Ditën e parë të fillimit të gjyqit, erdhën karabinierët dhe më shoqëruan me një pompozitet gati të jashtëzakonshëm. Veç veturës në të cilën ndodhesha unë dhe katër të tjerë: një toger, një mareshall dhe dy karabinierë, që njëri i jepte makinës, por prapa ishte një furgon, ndoshta me më tepër se 10 karabinierë. Gjithë ajo procedurë ishte e kotë, mirëpo italianët….

Qysh në orën 08.00 të mëngjesit më çuan në pallatin e drejtësisë, i shkruaj me germa të vogla se nuk i meritojnë germat e mëdha dhe pranë sallës të gjyqit më futën në një dhomë sigurimi, ku prita deri në orën 09.30.

Kur më futën në sallën e gjyqit, hodha sytë e pashë se ishte mbushur plot në të cilën, megjithëse ishte sallë e madhe, ndodheshin afro një mijë persona, e gati një e katërta e tyre ishin priftërinj. I biri i Gamuçi-t, që studionte në seminarin e priftërinjve, për të shtrydhur zemrat e trupit gjykues që të më dënonte patjetër, kishte sjellë krejt priftërinjtë e atij seminari apo kolegji të Firences në gjyqin e Romës.

Prokurori i ngrehur si gjel deti, ishte i sigurtë se në atë rast unë, pa letër përpara, nuk do të kisha mundësi t’i qëndisja dhe t’i stolisja barbarizmat e ushtrisë italiane në Shqipëri, prandaj sapo trupi gjykues u ul, ai menjëherë iu drejtua kryetarit të gjyqit dhe i tha se prokuroria kishte vendosur mos t’i kthehej memoriali të akuzuarit, pasi ai kishte mundësi të shpjegohej verbalist, meqenëse fliste gjuhën italiane dhe se për materialin e parapërgatitur me shkrim propozonte të lidhej me aktet e procesit.

Pas 10 minutash trupi gjykues që kishte shkuar në sallën e vendimeve, për memorialin vendosi ashtu si kishte përcaktuar prokuroria. Pasi e deklaruan vendimin, kryetari i gjyqit pasi më lexoi akuzat më dha leje të flisja.

Kur fillova të flisja, publiku krejt, priftërinj dhe laikë të kthyer drejt trupi gjykues, qëndronin me kokë të ulur si të varfër, natyrisht se ashtu i kishin porositur, për të ndrydhur zemrat e gjyqtarëve që të gjykonin me rreptësi atë që akuzohej për pushkatimin e bijve dhe vëllezërve të tyre që kishin lënë lëkurën në duart e shqiptarëve, për krimet që kishin bërë për pesë vjet me radhë. Mirëpo ajo skenë pas 20 minutave e ndërroi fizionominë e me përjashtim të cergave të zeza, të tjerët u kthyen nga unë dhe u betohem në nderin e së vërtetës, pas gjysmë ore e bëra publikun deri në fund të dy orëve të fjalimit tim të asaj paradreke të ndërronte opinionin se nuk isha unë që duhesha gjykuar, por ata që më gjykonin mua dhe krejt imperializmi italian që erdhi dhe na masakroi.

Prokurori, njëfarë Francesco Donato, gjatë kohës që flisja unë, në fillim shtrëngonte grushtet, shtrembëronte buzët dhe lëvizte pandalim. E preu për barku, nofullat i ngjiteshin dhe i shqiteshin si pas valës së flakës së brendshme që e brente në trup nga shkaku se kishte parashikuar të kundërtën, kur më hoqi të drejtën të lexoja memorialin që kisha shkruar. Edhe ajo situatë nuk vazhdoi shumë. Nga dëshpërimi dhe nga pamundësia e reaksionit të dëgjonte fjalimin tim që vijonte pa asnjë vështirësi, u ngrit për të më hequr fjalën. Por unë vazhdova pa i dhënë as pesë qindare e atëherë ai iu drejtua kryetarit të gjyqit, D’Ammario-s, një tjetër imorali, që nuk mund të ishte ndryshe, përderisa kishte pranuar të më gjykonte, pasi gjykimi im ishte një gjykim arbitrar. Megjithatë, ai nuk e mori parasysh propozimin e prokurorit të më hiqte fjalën, por më la të vazhdoja.

 

(Fragmente nga libri me kujtime historike “Përpara gjyqit të historisë: 1912-1966” i autorit Xhelal Staravecka, botimet “Naimi”)

Please follow and like us: