Albspirit

Media/News/Publishing

Qeveria bën shaka, hap konkurs për të gjetur një drejtor të ri në vend të Gent Gazhelit

Ndonëse konkurseve për të fituar një vend pune në administratën shtetërore u ka dalë boja me kohë, qeveria vazhdon të bëjë ende të tillë.

Së fundi njoftohet nga Ministria e Financave se janë hapur procedurat e përzgjedhjes së kandidaturave për Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet këtë post e ka mbajtur Gent Gazheli i cili u largua për të marrë detyrën e ambasadorit në Turqi. Të ishte për ndonjë pozicion në nivel specialisti edhe mund të besohej puna e konkursit, por kur është fjala për një drejtor jo pak të rëndësishëm zor se mund të mos dyshohet se kemi thjesht të bëjmë me një show.

Sidoqoftë, pa dekurajuar asnjë më poshtë keni kriteret e përgjithshme që duhet të plotësoni për të aplikuar.

Të jenë shtetas shqiptarë; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi; të mos jetë marrë ndaj tyre masa disiplinore të largimit nga shërbimi civil për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore; të jenë në kushte shëndetësore të mira për të kryer detyrat përkatëse.

Arsimimi: master shkencor në shkenca juridike dhe/ose ekonomike. Kërkohet edhe që kandidatët duhet të ketë mbaruar njërin nga fakultetet me notë mesatare mbi 9. Kandidatët duhet të plotësojnë këto kritere të veçanta: Të ketë eksperiencë në fushën juridike/ ekonomike; eksperiencë drejtimi, të paktën pesë vite; të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe italiane, të mbrojtura.

Personat e interesuar duhet të paraqesin kërkesë drejtuar ministrit të Financave; kopje të kartës së identitetit dhe certifikatës së gjendjes familjare; CV; kopje të noterizuar të diplomës universitare; listë notash të noterizuar; vërtetim të gjendjes gjyqësore; raport mjekoligjor; dëshmi të kualifikimeve dhe të mbrojtjes së gjuhës së huaj.

Kandidaturat dhe dokumentacioni duhet të paraqitet brenda datës 22 qershor në Zyrën e Protokollit të Ministrisë së Financave.

Please follow and like us: