Rrathët misteriozë të Jordanisë
12 struktura gjigante rrethore të shpërndara në territorin e Jordanisë dhe që mund të shihen vetëm duke përdorur imazhet ajrore dhe satelitore kanë zgjuar prej vitesh kureshtjen e arkeologëve të cilët tashmë, rreth një shekull nga zbulimi i tyre e kanë rikthyer sërish vëmendjen drejt tyre. Të njohur si Rrathët e Mëdhenj, unazat gjigante përmasat e të cilave shkojnë nga 220 metra deri në 455 metra në diametër – u vunë re për herë të parë nga ajri në vitin 1920, dhe vëzhgimet e mëtejshme në vitin 1930, 1953 dhe 2002 kanë zbuluar më shumë detaje në lidhje me madhësinë e tyre, formën dhe pozicionimin e tyre.
Pjesa më e madhe e këtyre strukturave kanë formë gjeometrike mjaft precize ndërsa një pjesë tjetër kanë formë disi më të çrregullt. Profesor David Kennedy, nga Universiteti i Australisë Perëndimore shpjegon se struktura e këtyre rrathëve gjigantë është e thjeshtë dhe zakonisht konturohen nga mure të thjeshtë, të ulët, të ndërtuar në mënyrë të pandërprerë përreth strukturës. Por saktësia e ndërtimit të tyre, sipas Kennedy tregon për një ‘arkitekt’ në dizajnimin e tyre dhe një numër mjaft të madh punëtorësh të angazhuar në ndërtim.
Mister mbetet edhe mosha e gurëve të përdorur për të rrethuar sipërfaqen e strukturave, ku në disa raste rezulton se materiali i përdorur daton në periudhën e hershme të bronzit (mes 2000-4500 vjet para Krishtit), ndërsa në disa të tjera është gjetur material që i përket një periudhe më të vonë, konkretisht periudhës mes shekullit të I-VII para Krishtit.