Serbët e grekët rrëmbejnë sërish historinë shqiptare
Një nga vlerat më të veçanta që ofron natyra jonë është tulipani shqiptar. Kjo bimë e certifikuar renditet ndër 76 llojet e tulipanëve që njeh bota. Deri më sot reklamimi për të ka qenë i vogël, ashtu si i shumë bimëve të tjera, janë mëse 22 të tilla që identifikohen me emrin e Shqipërisë.
Shpati i malit në afërsi të fshatit Surroj të Kukësit duket si një oazë i çuditshëm. E kjo sepse nga të gjitha anët vegjetacioni është i kufizuar, ndërsa kjo pjesë përmban këtë pasuri të jashtëzakonshme. Në fakt sa i takon numrit të bimëve endemike brenda një sipërfaqje të vogël, në vend të parë është zona e malit të Tomorit. Sa i takon shumëllojshmërisë dhe pasurisë, siç theksojnë botanistët, ajo e Kukësit.
Vetëm pak kohë më parë bota njihte 113 lloje tulipanësh, por duke qenë se shumë prej tyre janë zbuluar herët duke patur parasysh se në Europe ato kanë mbërritur që në shekullin e 16, një grup ndërkombëtar ekspertësh kreu analiza morfologjike dhe gjenetike të specializuara të reja. Rezultati i tyre e tkurri numrin e tulipanëve në 76 , mes të cilëve renditet edhe tulipani shqiptar.
“Për sa i përket promovimin unë mendoj se është bërë shumë pak dhe me plot gojën unë mund të them që s’do t’ia dijë njeri në Shqipëri për speciet e rralla, aq më tepër që janë gjenofondi shqiptar, janë krenari, mund të them që këshilli i qarkut të Kukësit e ka simbol të logos së vetë tulipanin shqiptar dhe asgjë më tepër”, shprehet Shuka.
Është interesant fakti se tulipani më i afërt në ngjashmëri me atë shqiptar, gjendet në Iran dhe Kazakistan, por nuk ka ardhur nga këto zona. Pas analizave gjenetike, pesha e ADN-së kromozonike ka rezultuar më e vogël çka tregon se tulipani ynë është më i vjetër.
Por, tulipani shqiptar që u identifikua fillimisht nga botanisti Besnik Hallaçi rritet sot jo thjesht në një territor të kufizuar, por edhe numri i vogël i tyre bën që të jenë ndër llojet e kërcënuara. Ndaj unionit ndërkombëtar të mbrojtjes së natyrës i është propozuar ta përfshijë në grupin e bimëve të kërcënuar të botës, si një përpjekje e botanistëve për ta mbrojtur atë.
“Është tepër e vështirë sepse duke mos qenë brenda zonave të mbrojtura dhe kujdesi e vëmendja qoftë e institucioneve, qoftë e individëve është më e ulët sesa në zona të tjera. Megjithatë, ne për çdo ditë po përpiqemi që të sensibilizojmë opinionin për rëndësinë që ka zona, jo vetëm për tulipanin, por edhe për një numër të madh bimësh të tjera. Pasi kjo zonë e ka falur vetë natyra të tillë që të ngërthehen në një sipërfaqe shumë të ngushtë mbi 10 – 12 bimë të rralla dhe endemike”, shprehet Besnik Hallaçi drejtor i administratës së zonave të mbrojtura, Kukës.
Është interesant fakti se në trojet shqiptare rriten plot 5 lloje tulipanësh. Veç atij shqiptar, është tulipani kosovar që rritet rreze malit të Koznikut, jo larg Rahovecit. Tulipani i pyllit rritet në shumë zona të Shqipërisë. I rrallë është po ashtu tulipani i Sharrit. Ndërkohë që me interesant bëhet çështja kur analizon atë të Serbisë, në fakt është një grabitje e pastër, sa kohë ky lloj rritet në zonën e Mitrovicës veriore dhe Pashtrik të Kosovës.
“Viset shqiptare janë më të pasurit me tulipanë, ndoshta në Evropë, shquhet këtu Turqia, por pjesa aziatike e Turqisë për sa i përket pjesës europiane të saj, Shqipëria me rreth 5 tulipanë është mjaft interesante dhe origjina tregon që janë të shkëputur”, thotë Lulëzim Shuka.
Aktualisht tulipanët tanë janë të kultivuar në kopshtet botanike të Kopenhagës dhe Stokholmit. Ashtu si mostrat e thata të këtyre bimëve që ruhen në këto vende si një mundësi për t’u analizuar nga ekspertët e fushës. Të tjerët sigurisht u kushtojnë një rëndësi të veçantë, ndërsa ne veç pasionit të disa botanistëve, nuk kemi bërë asgjë më shumë, nuk u kemi dhënë asnjë mbështetje…siç është rasti i profesorit Shuka, të cilin i përkasin 5 lloje të zbuluara në bashkëpunim me botanistë të huaj dhe shqiptarë.
“Njerëzit të dinë se kanë disa nga bimët me të cilat mund të krenohen që nuk ndodhen në vendet e tjera siç është kjo apo të tjera. Janë shumë bimë të tilla. Dhe ne vërtetë mund të jemi krenarë”, thotë Besnik Hallaçi.
E pra, kjo pjesë e Kukësit ka shumëllojshmëri bimësh të rralla, të cilat tek ne si shumëçka nuk njihen. Siç është Manushaqja e malit të Runës që rritet vetëm në Shqipëri. Apo Kokoceli i Vlakohorit, që për herë të parë është gjetur në zonën e Kolonjës. Sot, ai është prezent në këtë pjesë të Kukësit dhe Lurë.
Aktualisht, kjo bimë po analizohet në universitetin e Selanikut nga një studiuese dhe pedagoge shqiptare nga pikëpamja kimike, ashtu siç në spitalin universitar të Janinës po testohet për vetitë antitumorale. Por, ka edhe shumë lloje të tjera me gjenezë nga Shqipëria e që sot përbëjnë pasurinë e vendeve europiane.
“Atëherë ky territor ku ndodhemi është mjaft specifik për sa i përket bimësisë sepse në këtë territor ndodhen një sërë llojesh shumë të rralla për Shqipërinë. Mjafton të themi që katër lloje kanë emrin Albanica, siç është zambaku shqiptar Lilium Albanicum, Sangiusorba albanica, Galatea albanica dhe sigurisht tulipani”, thotë Lulzim Shuka.
Por nëse për dikë kjo është vetëm çështje ekspertësh, në fakt nuk është e vërtetë. Përmes jo thjeshtë tulipanëve, por edhe bimëve të tjera mund të mbështesësh edhe historinë. Ja sesi; sot janë mëse 22 lloje bimësh që identifikohen me emrin e Shqipërisë. Shumica e tyre janë të përhapura në të gjithë Ballkanin, por e kanë marrë emrin shqiptar sepse në kohën kur janë zbuluar nga botanistët e ndryshëm të huaj, ato kanë qenë troje shqiptare.
P.sh në zonën midis Konicës e Janinës rritet një lloj bime me emrin shkencor Centaurea albanica, e kjo sepse kur është zbuluar nga botanistët këto zona i përkisnin Shqiperise dhe banoheshin nga shqiptarë. E kështu ka edhe shumë të tilla, të cilat jo vetëm nuk po i mbrojmë, por përkundrazi mos mbështetja jonë për këtë shkencë, po u jep përparësi me hapa gjigante të tjerëve.
Biologët serbë, p.sh., kohë më parë kanë zbuluar një gjemb të rrallë që rritet në Kolsh të Kukësit dhe e emëruan Eryngium serbicum, në shqip Gjembbardhi i Serbisë…
E sigurisht, gjithçka do të vazhdojë e tillë sa kohë ne nuk do të mbështesim siç duhet profesionistët, që kërkojnë të merren me shkencë. Deri më sot edhe për një udhëtim të thjeshtë, një studim, apo diçka tjetër edhe shpenzimet me elementare ata janë të detyruar t’i përballojnë vetë. E si mund të pretendojmë diçka më shumë? Të gjitha këto lloje bimësh kanë një vlerë e nuk mund e nuk duhet të trajtohen si diçka me pak rëndësi, duke nisur nga Tulipani shqiptar, sigurisht do të dukej më bukur mes qyteteve shqiptare sesa lulet e importuara nga jashtë.
Tulipani shqiptar, ashtu si të gjitha llojet e tjera të tulipanëve që rriten në trojet shqiptare meritojnë të promovohen gjithmonë e më shumë. Ashtu si bimët e tjera, që për fat të mirë i kanë mbijetuar masakrave 25-vjeçare mbi natyrën. Ndoshta nuk do të mund të bëhemi si Holanda që konsiderohet vendi i tulipanëve, edhe pse i ka të gjithë jonatyrale, por do të mund të themi edhe ne kemi tulipanët e famshëm natyralë shqiptarë./Top Channel/