Situatat e jashtëzakonshme në Shqipëri, ngrihet Zyra e Mobilizimit të Rezervistëve
Forca e Armatosura Shqiptare do të kenë në krah për përballimin e situatave të jashtëzakonshme edhe forcat rezerviste, një forcë shtuar e përbërë nga ish-ushtarakë me eksperiencë dhe të gatshëm për të përballuar dhe detyrat më të vështira.
Për të kanalizuar këtë forcë të rëndësishme në funksion të përballimit të këtyre situatave, është hapur sot në Vlorë Zyra e Mobilizimit të Forcave Rezerviste, e cila do të shërbejë për mobilizimin e rezervistëve në rast gjendjeje të jashtëzakonshme dhe në të ardhmen mund të përdoret edhe për procesin e rekrutimeve. Zyra do të administrohet nga vetë ish ushtarakët dhe do të shërbejë dhe si qendër komunikimi me komunitetin e ushtarakëve në rezervë.
Qendra e mobilizimit do t’ju shërbejë rezervistëve dhe për të rigjetur veten dhe për të treguar se janë profesionalisht, fizikisht dhe mendërisht në gjendje t’i japin akoma shoqërisë. Ministrja e Mbrojtjes ka theksuar se për shkak të ekspozimit të Shqipërisë ndaj fenomeneve natyrore si vend mesdhetar por dhe për shkak të dëmeve që i kemi bërë natyrës ndër vite, situatat e jashtëzakonshme janë evidente dhe se ndihmesa e është e vyer.
“Ne do ta zgjerojmë mundësinë e asistencës së FA edhe nëpërmjet jush në të tilla situata, ashtu siç besoj që forcat rezerviste, forcat e të gjithë atyre që ju përfaqësoni si ish – ushtarakë, do të jenë në pararojë të vullnetarëve, një frymë kjo që duhet ta përçojë shoqërinë shqiptare shpesh herë e harruar sa herë që shoqëria, sa herë që shqiptarët ta kenë këtë nevojë”, tha Kodheli. Ministrja e Mbrojtjes tha se gjithnjë ish-ushtarakët mbeten një forcë aktive, madje shumë e përgjegjshme e shoqërisë sepse i kanë shërbyer asaj nën uniformë dhe shpreson që do t’i shërbejnë dhe jashtë uniformës.
“Fakti që ne do ta riorganizojmë të gjithë strukturimin e FA kur flitet për shërbimin apo për suportin në lidhje me emergjencat dhe të gjithë aktivitetin civilo – ushtarak për të cilën FA edhe nga pikëpamja kushtetuese janë të detyruara ta japin këtë asistencë, na nxjerr ne në pah nevojën për të zgjeruar numrin e përfaqësimit tonë sa herë që shoqëria, sa herë që nevoja e kërkon. Unë di që forca rezerviste në qarkun e Vlorës janë me dhjetëra mijëra”, tha ajo. Ministrja ka nënvizuar se “do ta kemi këtë organizim megjithëse në bazë vullnetare, komplet mbi bazë të ristrukturimit pra të pikave të kontaktit, të emrave, të njerëzve, të cilët do të thirren, mënyrën se si do organizohemi, mënyrën se si do të jemi në komandë, pavarësisht se ju tashmë jeni civilë”.