Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi Rama-Basha dhe Fundi i Marrëzisë!

Besart KadiaNga Besart Kadia

Para dy vitesh, qeveria shqiptare nisi një nismë në pamje të parë me vlerë sociale: mbylljen e kazinove dhe pikave të bastit brenda qyteteve të Shqipërisë.  Sipas Ministrisë së Brendshme, në atë kohë u angazhuan gjashtë mijë forca policie dhe me dhjetëra inspektorë të tatim-taksave të Ministrisë së Financave, për të mbyllur këto aktivitete ekonomike. Me vendosmëri, Ministria e Financave theksoi se zyrtarisht ishin 1000 biznese të mbyllura nga operacioni “Fundi i Marrëzisë”. Por tri vite më vonë, marrëzia vazhdon e policia nuk ndërhyn!

Dy vjet më parë, qeveria gjithashtu përdori policinë për të arrestuar personat që kishin lidhje ilegale në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Rreth 30 mijë persona përfunduan në burg në këtë periudhë kohe. Si në një ëndërr të “Big Brother” drejtori i OSHEE raportonte përpara mediave me drejtorin e policisë në krah, për arritjet financiare të korporatës tashmë shtetërore!

Nga ana tjetër, 120 mijë vizita u kryen nga tatimorët te biznesi në vetëm dy muaj të vitit të shkuar, me pretendimin e formalizimit të ekonomisë. E gjithë kjo praktikë e formalizimit të ekonomisë bëhej kur taksat u rritën e siç pritej nga ekonomistët, të ardhurat në buxhet nuk patën përmirësim. Klima e biznesit vetëm sa vazhdoi të përkeqësohej, aq sa Dhoma Gjermane e Tregtisë e rendit Shqipërinë si vendin e fundit për të investuar në rajon e raporti i Bankës Botërore i Doing Business uli renditjen e Shqipërisë me 35 vende.

E njëjta qeveri vendosi t’i ofrojë shtetit shqiptar një reformë të re territoriale, pa marrë parasysh diskutimet e ofruara nga opozita gjatë asaj kohe. Reforma ishte aq pa metodologji sa variantet e propozuara ndryshuan nga 47 në 61 njësi administrative brenda natës. Ashtu si dhe aksionet e mëparshme, qeveria premtoi se me këtë reformë do t’i jepej fund abuzimit, korrupsionit e marrëzisë që kishte shoqëruar vendin këto 25 vite.

Në këtë peizazh të politikave ekonomike, qëndron dhe sfida e ndërtimit të institucioneve të drejta të drejtësisë. Por dita e djeshme nuk çoi në një konsensus mes qeverisë dhe opozitës. Në sytë e publikut të gjerë, detajet teknike të kësaj reforme janë po aq të njohura sa ç’është e njohur përqindja e humbjes në rrjetin e shpërndarjes elektrike në Shqipëri apo numri i kuponëve të prerë në restorantet e Tiranës gjatë takimit Rama-Basha. Pavarësisht mungesës së informimit mbi detajet teknike, qytetarët presin që të ketë një Reformë Drejtësie! Përshkrim  më të mirë të kësaj analize, sesa ai i analistit Andi Bushati, nuk ka: “Prandaj dhe Reforma në Drejtësi, sado jo perfekte, sado me risqe, sado antikushtetuese, sado me arkitekturë të rënduar që të jetë, është një hap përpara”.

Me këtë frymë u nisën dhe nismat e mësipërme, që sado të kushtueshme, sado të rrezikshme për klimën e biznesit, qeveria mendoi në padurimin e saj se “të paktën ato janë një hap përpara”. Me të njëjtën qasje si të Bushatit, por me dëshirën për të qëndruar lart me sondazhe politike, kryeministri Rama artikulon në publik se nëse Reforma në Drejtësi bëhet siç ka ai planin, atëherë gjithçka do të shkojë mirë. Shqipëria do të ketë një drejtësi funksionale me gjyqtarë të pavarur e të pakorruptueshëm, që do të fusin në burg si kryeministrin Rama, ashtu dhe çdo kryeministër tjetër, në rast se janë gabim.  Kjo vjen në kushtet kur kjo qeveri ka çuar për procedim penal ish-ministrin e Arsimit, Energjisë, Financave, Çështjeve Sociale, si dhe atë të Mbrojtjes dhe kur KLSH raporton se abuzimet me financat publike në vitin 2015 ishin më të larta se 2012-2014, të marra së bashku. Reforma në Drejtësi është një pakt politik, që sjell në vetvete Republikën e Shqipërisë në modernitet. Kush nuk e pranon është politikisht fajtor! Me këtë përfundim në mendje, mund të kuptojmë sjelljen e qeverisë për drejtësinë, që nuk do të jetë fundi, por fillimi i marrëzisë sepse siç thotë dhe Bushati “sado antikushtetuese, është një hap përpara”.

Please follow and like us: