BE: Dështimi i bisedimeve për reformën në drejtësi, “një rast i humbur”
Bashkimi Europian e quajti një “rast të humbur” dështimin e bisedimeve të politikanëve shqiptarë për të arritur një marrëveshje për reformën në drejtësi, që do të dëmtojë hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, duke folur sot (të martën) me gazetarët në Bruksel, tha se“takimi i djeshëm ishte një rast i humbur. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar: kjo reformë duhet të miratohet”.
Zëdhënësja Kocijancic tha se projekt-ligji “është në përputhje me standartet ndërkombëtare” dhe ajo u bëri thirrje politikanëve shqiptarë të rifillojnë bisedimet.
Demokratët e opozitës hezitojnë të japin miratimin e tyre. Votat e demokratëve janë të nevojshme për të siguruar miratimin e ndryshimeve kushtetuese në parlament.