Albspirit

Media/News/Publishing

Edvin Murati, rrëfimi emocionues nga kombëtarja e deri te kualifikimi

Edvin Murati, rrëfimi emocionues nga kombëtarja e deri te kualifikimi

Ai ka luajtur për disa sezone në kampionatin francez të futbollit, është i martuar me një franceze, jeton në vendin transalpin dhe, për herë të parë, do të shohë pikërisht atje kombëtaren e tij, në debutimin historik në një turne madhor.

Edvin Murati ruan ende kujtime të freskëta te tifozët kuqezi të golave emocionues me të majtën e hidhur në ndeshje vendimtare, ndërsa në një rrëfim të fundit të tijin tregon se ka përjetuar po aq emocione në momentet kur mësoi se Shqipëria u kualifikua për në “Euro 2016”.

“Kualifikimi i Shqipërisë për në Francë ishte një surprizë shumë e madhe, sepse është hera e parë. Në Francë njohin vetëm Lorik Canën dhe jo të tjerët, duke parë lojtarët që e kualifikuan kombëtaren, por gjithçka është pritur me zemërgjerësi. Shumë miq të mi ishin shumë të kënaqur, teksa kam pasur shumë ‘e-mail’-e apo ‘SMS’ inkurajuese për ekipin kombëtar”, shprehet Murati.

Edvin Murati ka luajtur më parë me ekipe të tilla si Paris SG, Chateauroux, Fortuna Dusseldorf, Lilles apo Iraklis, por ëndrra e tij do të kishte qenë një kualifikim në një kompeticion madhor me kombëtaren shqiptare, diçka të cilën ish-mesfushori e kalon mes batutave.

“I thonë që murit me kokë nuk i bihet, por ja që nuk e pata fatin. Megjithëse ëndërrova shumë, por kështu e ka jeta dhe karriera e një futbollisti. Gjithsesi jam shumë i kënaqur për djemtë e tjerë që e kualifikuan kombëtaren tonë në Europian. Për mua është një krenari e veçantë, duke qenë se jetoj prej 20 vitesh në Francë. Jam shumë krenar për ekipin tonë kombëtar, por edhe për të gjithë Shqipërinë”, thekson më tej ish-futbollisti me numrin 7 mbi shpinë.

40-vjeçari, i cili është aktivizuar në 42 ndeshje me fanellën kuqezi, pret diçka të bukur nga faza e grupeve në “Euro 2016”, një skenar jo i pamundur për Edvin Muratin.

“E kemi treguar se forca jonë është loja në grup. Kualifikimi është i mundshëm, sepse sipas rregullores së re mjafton një fitore dhe mund ta realizojmë këtë ëndërr. Ndeshja e parë me Zvicrën është shumë e rëndësishme, e me një barazim në këtë ndeshje do ta kemi më të lehtë rrugëtimin më pas. Ndeshja me Francën do të jetë e vështirë, por kemi edhe Rumaninë në fund. Gjithsesi, ndeshja e parë është shumë e rëndësishme”, deklaron Murati.

Shqipëria ndodhet në të njëjtin grup të Europianit së bashku me Francën organizatore, Zvicrën dhe Rumaninë.

Please follow and like us: