Erdogani indinjon Gjermaninë më shumë se sa Turqinë
Presidenti Erdogan i ka shokuar gjermanët me deklaratat e tij. Në Turqi pothuajse janë mësuar tani me eksese të tilla. Gratë në partinë AKP duhet t’i tregojnë kufirin presidentit, mendon Seda Serdar.
Eshtë e vërtetë që parlamentarët gjermanë kanë menduar, se marrëdhëniet gjermano-turke do të vazhdojnë të zhvillohen gjithmonë mirë. Edhe nëse ka ndonjë të çarë tek tuk rrugës, në përgjithësi gjithçka shkon mirë. Por ajo që ka ndodhur qëkurse u miratua në Bundestag rezoluta për gjenocidin ndaj armenëve, duhet t’u ketë ketë hapur sytë tani të gjithëve. As skeptikët më të mëdhenj nuk kishin llogaritur, që presidenti Rexhep Tayip Erdogan do të shkonte kaq larg, duke ua mohuar prejardhjen deputetëve gjermanë me origjinë turke. Ai shkoi edhe më tej madje duke u kërkuar plot seriozitet të gjithë atyre parlamentarëve, që votuan pro rezolutës, që t’i nënshtrohen një analize gjaku.
Edhe nëse llogarit, që mizoria e viteve 1915 deri më 1923 në Turqi vazhdon të jetë një çështje me ngarkesë emocionale, deklaratat e Erdoganit janë të papranueshme. Nga ana tjetër kjo nuk është befasuese për ata, që janë mësuar me deklaratat e deritanishme të Erdoganit. Ai beson, se ka të drejtën t’i shprehë të gjitha këto mendime. Kushdo që u kundërvihet këtyre mendimeve, duhet të llogarisë me pasoja: me humbjen e vendit të punës e deri edhe me arrestim. Tani edhe Europa po provon atë, që kritikëve të AKP-së turke u duhet ta durojnë prej më shumë se një dekade. Erdogani dëshiron, që ai të mund të komandojë edhe deputetët gjermanë me origjinë turke. Por këtë dëshirë ai nuk do ta përmbushë asnjëherë.
Duket sikur politika e jashtme reaktive e Turqisë shkakton më shumë tensione midis dy vendeve. Qeveria turke duhet të shtrojë pyetjen, se si do të veprojë në të ardhmen me çështjet, ndaj të cilave ajo ka qendrimin e vet, por njëkohësisht është e varur prej miratimit ndërkombëtar. Të mbash fjalime që nxisin urrejtjen, për t’u përpjekur në këtë mënyrë që t’i imponosh bashkësisë ndërkombëtare kursin tënd, kjo duket se nuk i mjafton asaj.
Përse fyen 38 milionë njerëz?
Presidenti Erdogan ka shkaktuar indinjatë jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në Turqi me deklaratat ndaj grave. Por përse dikush do të ofendojë gjysmën e kombit të vet? Gati gjysma e popullsisë turke janë femra. Megjithatë Erdogani ka vendosur t’i ofendojë rreth 38 milionë njerëz duke deklaruar, se gratë, që nuk janë nëna, duhet të shihen si “jo të plota”. Që disa gra duartrokitën, kur ai i tha këto fjalë, është në fakt edhe më shokeuse.
Ndonëse prej kohësh dihet, që Erdogani mendon, se çdo grua turke duhet të lindë tre fëmijë, kjo deklaratë i jep një dimension të ri diskutimit mbi rolin e gruas në shoqëri. Sepse tani për herë të parë kanë protestuar shoqatat e grave. Por sado e vlefshme dhe e demosdoshme është kjo, vetëm kaq nuk mjafton. Ky qendrim arkaik duhet të ndryshojë e për këtë nevojitet ndihma e grave në AKP.
Edhe pse partia thekson, se ajo ka vënë në udhë ligje për forcimin e të drejtave të gruas dhe për ta mbrojtur atë nga dhuna, janë të shumë ata që shohin një tjetër realitet. Duket të jetë e pamundur që ligjet të zbatohen, ndërkohë që dita ditës propagandohet një botëkuptim diametralisht i kundërt i udhëheqjes së partisë e të shtetit. Për aq kohë sa presidenti i vendit preferon që vlerën e gruas ta përkufizojë vetëm bazuar në kuotën e natalitetit të saj, pra duke e kthyer një vendim privat në çështje publike – atëherë si është e mundur që gratë ndonjëherë të konsiderohen të barabarta në shoqëri?