Islam Lauka: “Rruga” greke dhe qorrsokaku shqiptar
Vizita dyditore e Ministrit te Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, në Shqipëri, u përmbyll. Nuk mund të pretendohet që një vizitë e këtij niveli t’i japë zgjidhje gjithë problematikës së marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Greqisë, të grumbulluar ndër vite. Megjithatë, nuk mund të mos shtrohet pyetja se çfarë u arrit konkretisht gjatë këtyre dy ditëve, a u zgjidh ndonjë prej problemeve të mbetura pezull, ose të paktën, a pati lëvizje në ndonjë prej tyre?
Në konferencën e shtypit, të dy ministrat folën për “paketë zgjidhjesh të problemeve dypalëshe”. Ministri Bushati shkoi edhe më tej, duke përmendur krijimin e “mekanizmave të përbashkët” të zgjidhjes së tyre, pa e sqaruar se çfare përfaqësojnë këto mekanizma. Në mënyrë të veçantë, ai u ndal tek “harta e rrugës” që, duket, se ai e mendon si instrumentin çudibërës për t’u dhënë fund problemeve në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Politikanë e analistë pro qeverisë u shprehën të entuziasmuar se “për herë të parë, Shqipëria u paraqit para palës greke me dosje të plotë”. Të habitur edhe vetë më “guximin” që “ia zbrazën grekut të gjitha në tavolinë”, drejtuesit tanë të politikës e të diplomacisë filluan të zihen me njëri tjetrin se kush ishte i pari që ia “zbrazi problemet grekut”, jo vetëm në Tiranë, por edhe në mes të Athinës, jo vetëm sot, por që para 15-20 vitesh.
Ndërkohë, “patatet e nxehta” midis dy vendeve tona, pavarësisht “trimërisë dhe mençurisë” së drejtuesve tanë të lartë shtetërorë, mbetën siç kanë qenë, pa u ftohur. Pas 76 vjetësh, Athina zyrtare ende mban në fuqi ligjin absurd të luftës me Shqipërinë. Camët nuk mund të lëvizin lirisht për të shkuar në trojet e tyre autoktone, në Greqi. Po përfundon afati 20 vjeçar i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe komisionet e parashikuara për çështjet e pronësisë, për ujërat kufitare, për arsimin etj. ose nuk u ngritën fare, ose edhe ato që u ngritën, nuk funksionuan kurrë.
Tani, Ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati, na ofron çelësin magjik të “hartës së rrugës”. Në fakt, ky çelës, nuk është i panjohur. Është përdorur, tash 60 e sa vjet, në konfliktin midis Palestinës dhe Izraelit, por pa sukses. Ka 25 vjet që Athina po e përdor për të gjetur zgjidhjen e problemit të emrit me Maqedoninë, përsëri pa sukses. Në vitin 2007, Moska zyrtare e pati ofruar çelësin e ndryshkur të “hartës së rrugës” si alternativë ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në të gjitha këto raste, “harta e rrugës” është sinonim i qorrsokakut, i bllokimit apo zvarritjes pa fund të zgjidhjes së problemeve. Në rastin e marrëdhënieve shqiptaro – greke, qorrsokaku është për palën shqiptare, sepse Greqia ka vazhduar e vazhdon në “rrugën” e vet, në mbrojtje të interesave të saj, kombëtare e shtetërore. Siç i mbron çdo shtet serioz.
Në takimin që pati me drejtuesit me të lartë shtetërorë, por edhe me opozitën, Ministrit Kotzias i’u kërkua me “guxim” që “t’i adresojmë çështjet dypalëshe pa paragjykime” dhe që midis Shqipërisë e Greqisë “të rriten raportet e besimit”. Sikur ligji i luftës ekzistuaka, tash 76 vjet, për shkak të paragjykimeve greke ndaj Shqipërisë, apo të mungesës së raporteve të besimit midis dy vendeve tona!!!
Përtej këtyrë hamendjeve naive, duhet kuptuar që, nga ana e Athinës, ligji i luftës nuk mbahet kot në fuqi. Ekziston një interes i qartë dhe tejet i rëndësishëm politik dhe ekonomik, i Greqisë për të mos e hequr atë. Ky interes ka të bëjë me sekuestron konservative mbi pronat e shqiptarëve çamë në Greqi, që kapin shifrën e rreth 10 miliardëve euro; me mohimin e të drejtave e lirive themelore të çamëve, individuale dhe kolektive, si grup etnik, midis të cilave edhe atë për t’u kthyer në trojet e tyre në Greqi.
Interesi ynë shtetëror, ekonomik dhe politik, jo vetëm nuk përputhet me atë grek, por është në kundërshtim me të. Kjo është e vërteta dhe ajo u duhet thënë hapur grekëve. Me eufemizma nuk mund të mbrohen interesat kombëtare dhe shtetërore. Ministri Kotzias nuk iu referua ndonjë eufemizmi, kur në takimin me studentët e Universitetit të Tiranës, deklaroi se rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Athina dhe se nuk duhen nënvlerësuar mundësitë dhe intrumentet që, ende, i disponon Greqia. Përse Athina paska të drejtë t’i mbrojë interesat e veta, kurse ne nuk paskemi të drejtë t’i mbrojmë interesat tona? Nuk paska Shqipëria asnjë mundësi apo instrument që ta shfrytëzojë në favor të interesave të veta? Natyrisht që ka. Midis të tjerash, e drejta ndërkombetare dhe praktika e saj janë në anën tonë. Por instrumenti ynë kryesor është çlirimi nga ndjenja e inferioritetit ndaj Athinës, jo me fjalë, por me vepra.
Në këtë kuadër, duket se është i pamjaftueshëm “guximi” për “t’ua zbrazur grekëve në tavolinë problematikën e marrëdhënieve tona”. Është e domosdoshme që të jemi të vendosur në veprime. Në kushtet kur Traktatit të mëparshëm të Miqësise dhë Bashkëpunimit po i përfundon afati, ripërtëritja e tij ose nënshkrimi i një traktati të ri, nuk duhet bërë, pa vënë kushtet tona, të cilat duhet të jenë konkrete dhe të formuluara qartë – heqjen e ligjit të luftës dhe shfuqizimin e të gjitha akteve ligjore e normative që kanë rrjedhur prej tij; njohjen e cështjes çame si çështje e pazgjidhur e një grupi etnik, e krijuar si pasojë e dëbimit kolektiv të popullsisë shqiptare nga trojet e veta në Greqi, mbi bazën e akuzave të fabrikuara për “bashkëpunim më fashizmin” .
Jashtë këtij qëndrimi, ka rrezik që dy vendet tona të përsërisin historinë – Greqia të vazhdojë në “rrugën” e mbrojtjes pa kompromis të interesave të saj, ndërsa Shqipëria, ashtu si deri më tani, në qorrsokakun e vet