Albspirit

Media/News/Publishing

Ligjvënësit të shqetësuar nga veprimet e Rusisë


Ligjvënësit amerikanë janë të shqetësuar se administrata e Presidentit Obama nuk po bënë mjaft për t’iu kundërvënë veprimeve ruse në Ukrainë dhe Gjeorgji. Në një seancë dëgjimore të Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorët bënë thirrje për shtimin e përpjekjeve amerikane për t’ia bërë të qartë Rusisë se ajo do të përballet me pasoja, nëse vazhdon me sjelljet e saj të këqija në rajon.

Ligjvënësit amerikanë kanë shprehur shqetësimin se administrata e Presidentit Obama mund të mos jetë e angazhuar sa duhet në luftën kundër asaj që ata e shohin si sjellje e keqe e Rusisë në Ukrainë dhe Gjeorgji.

“Jam i shqetësuar se mesazhi që presidenti rus Vladimir Putin duket se po merr nga përgjigjja jonë është se agresioni dhe oportunizmi i tij janë një qasje e drejtë”, tha Senatori demokrat Bob Menendez.

Bëhet fjalë për aneksimin nga Rusia të gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetjen ruse për separatistët në lindje të Ukrainës.

Gjithashtu në vitin 2008, Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji, dhe më vonë vendosi të njohë republikat separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë si shtete të pavarura.

“Pse nuk jemi më agresivë në angazhimet tona me mjetet diplomatike që mund ta ndihmojë Rusinë ta kuptojë se ka pasoja”, pyeti Menendez dje në një seancë të Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Rusia ka paguar një “çmim të lartë” për agresivitetin e saj, tha Ndihmës Sekretarja e Departamenti i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland. Ajo tha sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera kanë qenë me pasoja për Rusinë.

Që kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur disa raunde të sanksioneve, ngrirje të aseteve, ndalime të udhëtimeve dhe ndëshkime të tjera ndaj Rusisë.

Fuqitë botërore gjithashtu i kanë bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e Minskut për armëpushim, e cila ka për qëllim dhënien fund të luftimeve mes qeverisë së Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë.

Këtë muaj, Bashkimi Evropian po shqyrton zgjatjen e sanksioneve të gjera ekonomike ndaj Rusisë për përfshirjen e saj në Ukrainë.

Ndihmës Sekretarja Nuland tha se Shtetet e Bashkuara janë “optimiste” se Bashkimi Evropian do t’i zgjasë sanksionet ndaj Moskës.

Përveç sanksioneve, Shtetet e Bashkuara janë duke i ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Michael Carpenter tha se së Shtetet e Bashkuara këtë vit po shpenzojnë 335 milionë dollarë për trajnimin dhe pajisjen e forcave ukrainase.

Ndërkohë, senatori republikan John Barrasso gjatë seancës dëgjimore shprehu shqetësimin e tij mbi shkeljet e traktateve bërthamore nga Rusia.

Ai shtroi pyetjen se kur Shtetet e Bashkuara do ta “ndëshkojnë” Rusinë për shkeljen e traktatit historik për ndalimin e provave bërthamore.

Uashingtoni ka akuzuar Moskën për shkeljen e Traktatit të Forcave Bërthamore, duke testuar raketa tokësore kruz.

Ndihmës Sekretarja Nuland u tha ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në diskutime me Rusinë për çështjen e traktateve dhe po punojnë me aleatët për të ushtruar trysni mbi Moskën për shkeljet.

Pyetjet e ligjvënësve vijnë në një kohë të rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe perëndimit mbi fillimin e një stërvitjeje ushtarake të NATO-s dje në Poloni.

Misioni i trajnimit ka si synim, pjesërisht, të sigurojë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që janë të shqetësuara nga veprimet e Rusisë në Ukrainën fqinje.

Rusia e ka dënuar stërvitjen ushtarake, duke thënë se ajo nuk do të “kontribuojë në krijimin e një atmosfere të besimit dhe sigurisë”.

Please follow and like us: