Nuk mjafton vetëm të dëshpërohemi!
Nga Mentor Kikia/ Njerëz, nuk mjafton vetëm të dëshpërohemi!
Sot në rrjetet sociale u derdhën zemërimi dhe pezmi i shumë njerëzve të ndershëm e të drejtë. Zemërimi ishte për një mashkull, se burrë s’mund ti them, që në mes të rugës rrihte gruan e tij në sy të fëmijëve. Lexova mallkime nga më të ndryshmet dhe thirrje për dënimin e tij shumë më shumë nga sa parashikon ligji. I pashë anën pozitive kësaj historie, i pashë ndjeshmërinë e madhe, mospajtueshmërinë, revoltën, britmën, urrejtjen që ka fituar shoqëria jonë ndaj të tilla sjelljeve brutale e barbare. Mos harroni, se deri para pak vitesh, kur policia ndalonte burrin që rrihte guan, ai thoshte pa u menduar dy herë: Çju duhet juve, gruan time po rrah. Mos u habisni, por kishte dhe të tjerë që thonin: Po ju të tjerëve ç’ju duhet, punë e tyre, i dinë vetë ata hallet e veta.
Ndërsa pezmi i madh u derdh me rastin e skandalit të përgjimeve. Këtu skishte urrejtje e mllef, por pendim nga ata që nuk ikën nga ky vend, betim nga ata që janë ende në kohë, që do të ikin sa më parë, dhe dëshpërim nga ata që janë dënuar(nga mosha) ta mbyllin jetën këtu.
Me këtë të dytën u trishtova, madje shumë. A mundemi ne të tjerët, ne që nuk jemi as në politikë e as në pushtet të bëjmë më shumë për të ndryshuar dicka këtu? Unë them po. Mos mendoni se jam i çmendur. Jam realist se ku jetoj, çfarë shteti kemi dhe çfarë klase politike kemi, por mendoj dhe besoj se po, ne mund të ndryshojmë, nëse nuk do të mjaftohemi vetëm duke thënë: Phu, maskarenjtë.