Paketimi i thjeshtë i cigareve shpëton jetë njerëzish
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se të dhënat kanë vërtetuar që paketimi i thjeshtë i prodhimeve të duhanit shpëton jetë duke ulur kërkesën për këtë produkt vdekjeprurës në rritje. Për të shënuar Ditën Botërore Pa Duhan, OBSH u kërkon vendeve ta bëjnë pirjen e duhanit më pak tërheqëse duke i ambalazhuar produktet e duhanit në paketa të thjeshta.
Lloji i paketimit të thjeshtë të produkteve të duhanit propozuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ndryshon shumë nga paketat që tregojnë Cowboys duke pirë duhan.
Paketat e propozuara janë të zeza, me paralajmërime se pirja e duhanit vret dhe me imazhe njerëzish që vdesin nga kanceri. Douglas Bettcher, drejtor i OBSH-së për parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, thotë se paketimi i thjeshtë është për të pakësuar kërkesën për duhan duke e bërë atë më pak tërheqës.
“Etiketa e tregon duhanin siç është, prodhim i ligjshëm në dispozicion për të gjithë botën që kur përdoret si qëllim vret gati gjysmën e përdoruesve të tij.”
OBSH raporton se gati 6 milionë njerëz në vit vdesin para kohe nga sëmundjet që lidhen me duhanin. Ky numër është parashikuar të rritet në mbi 8 milionë deri në vitin 2030, me më shumë se 80 për qind e këtyre vdekjeve të parandalueshme në vendet në zhvillim.
Australia në vitin 2012 u bë vendi i parë që vendosi paketimin e thjeshtë të produkteve të duhanit, së bashku me paralajmërimet e reja dhe të zgjeruara shëndetësore. Franca dhe Britania kanë ndjekur të njëjtin shembull. OBSH thotë se vende të tjera, duke përfshirë Irlandën, Norvegjinë, Singaporin, Belgjikën dhe Zelandën e Re janë duke planifikuar zbatimin e kësaj mase.
Benn McGrady është avokat australian dhe zyrtar në OBSH. Ai thotë se Australia ka kryer një shqyrtim 34-mujor nga mesi i dhjetorit 2012 deri në shtator 2015 për të vlerësuar ndikimin e paketimit të thjeshtë.
“Gjatë kësaj periudhe ka pasur rreth 2 për qind ulje të duhanpirjes në Australi dhe 0. 5 përqind i atribuohet ndryshimeve në paketim.”
Zoti McGrady thotë se ka pasur rreth 108.000 më pak duhanpirës gjatë kësaj periudhe si pasojë e ndryshimeve të paketimit dhe etiketimit.