Pse Ballkani rrezikon të futet në luftë?
Nga Timothy Less/Ballkani perëndimor, pas disa vitesh në paqe, po rëshqet përsëri drejt destabilizimit. Anembanë rajonit njerëzit po dalin rrugëve, duke kërkuar dorëheqjen e qeverive. Mijëra qytetarë po largohen jashtë vendit në kërkim të vendeve të unës dhe mundësive të reja. Një degë e dhunshme e vahabizmit po lëshon rrënjë në mesin e popullsisë myslimane të rajonit. Mbase më shqetësuesja prej të gjithave është kërcënimi për rikthimin e dezintegrimit, ndërsa pakicat e pakënaqura po mundohen të ndahen prej shteteve të tyre.
Bosnja ka kohë të gjatë që ka qenë shteti më jofunksional në rajon, dërmuar prej luftës civile në vitet nëntëdhjetë dhe është katandisur nga ndasitë etnike që nga atëherë. Serbët e kroatët asnjëherë nuk i kanë çuar duart prej ndarjes. Milorad Dodik, president i Republika Sërpska («entitet» i serbëve të Bosnjës), i ka punët ngushtë prej rivalëve politikë në rajonin e tij dhe po hetohet prej policisë në Sarajevë nën dyshimin për shpëlarje parash. Për të mos ia lëkundur pozicionin, është kërcënuar me mbajtjen e referendumit për pavarësimin e Republikës Sërpska të parashikuar më 2018.
Hiç më mirë nuk i ka punët as Kosova, një rrafshinë e varfër në këmbët e Maleve të Sharrit. E njohur prej gjysmës së shteteve të botës, ajo drejtohet prej një elite të korruptuar dhe me minoritetin serb në qafë. Pas disa vjetësh rezistence, serbët e Kosovës kanë fituar së fundi të drejtën e autonomisë territoriale prej mbikëqyrësve europianë të vendit. Kjo ka nxitur reagim të ashpër të nacionalistëve shqiptarë, që kanë sulmuar Kuvendin dhe kanë organizuar një seri demonstratash të dhunshme në rrugë.
Maqedonia njëkohësisht është përfshirë nga kaosi pas publikimit të përgjimeve që nxitën ngritjen e akuzave ndaj ish-kryeministrit Nikola Gruevski për spiunimin e popullsisë. Ai akuzohet gjithashtu për korrupsion, vjedhje votash dhe përfshirje në kriminalitet. Kjo gjendje ka zemëruar anëtarët e minoritetit të pakënaqur shqiptar, që fajësojnë krerët e tyre për mbajtjen në këmbë të qeverisë jolegjitime në vend se të luftojnë për të drejtat e bashkësisë së tyre. Si kundërpërgjigje, ky grup po kërkon federalizimin e shtetit, duke ndjellë dezintegrimin potencial. Në Ballkan në të gjitha anët po kthehet nacionalizmi.
Megjithëse faktorët lokalë i japin njëfarë shpjegimi trazirave, nuk na tregojnë pse rajoni si tërësi po përjeton paqëndrueshmëri të tillë, ose pse punët kanë marrë për mbrapsht. Dhe për ta marrë vesh më mirë këtë gjendje duhet të kuptohet e njihet pozicioni i Ballkanit si kufi ndërmjet Fuqive të Mëdha. Gjatë historisë, kur ndonjëra prej fuqive shtrinte hegjemoninë e saj në rajon, ose nëse një koncert fuqish kapërcenin ndasitë, atëherë mbisundonte edhe paqja. E kur asnjëra fuqi nuk ia dilte ta shtrinte dorën e kontrollit, ose edhe më keq, kur fuqitë haheshin për kontroll, i pashmangshëm ishte kaosi. Sundimi osman shënon periudhën më të gjatë të paqes në kohën moderne. Por kur Perandoria mori teposhtën në shekullin nëntëmbëdhjetë, këtë mundësi nuk e lëshuan nacionalistët anembanë rajonit – së pari grekët, pastaj serbët për të vazhduar me të tjerët me radhë, ndihmuar prej Rusisë oportuniste, që po mundohej ta destabilizonte rivalen e saj osmane.
Dhuna vazhdoi edhe në shekullin e njëzetë, kur u shembën perandoritë europiane në rajon. Luftërat ballkanike më 1910, kur shtetet që u shpallën atëherë, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia luftuan për mbrojtjen e territoreve për të përcaktuar kufijtë e tyre, u pasuan prej dy luftërave botërore, në të cilat Austria, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Sovjetik, të gjitha, pushtuan rajonin.
Ballkani perëndimor ishte paqësuar më në fund në periudhën e pasluftës. Bullgaria dhe Rumania hynë nën kontrollin sovjetik dhe dy superfuqitë u pajtuan të mbanin Jugosllavinë të bashkuar si zonë strategjike të ndërmjetme ndërmjet sferave të tyre të ndikimit. Ndërmjet dy zjarreve, NATO-s dhe Paktit të Varshavës, pa pasur hapësirë manovrimi, dhe si lider i fuqishëm, Tito, që të mbante rendin në shtetin e tij, kishte mënjanuar armiqësitë e brendshme.
Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, superfuqitë përgjithësisht humbën interesimin për Ballkanin dhe ia hoqën frenat Jugosllavisë. Rumania dhe Bullgaria, pa telashe etnike, ia dolën të ruanin baraspeshën e tyre. Por Ballkani perëndimor iu kthye përsëri telasheve dhe dhunës, meqë serbët dhe të tjerët rrokën armët për të krijuar rend të ri mbi rrënojat e shtetit të vjetër multinacional komunist.
Stabiliteti u kthye kur Shtetet e Bashkuara, që nxorën kokën si superfuqi e pakontestuar në vitet nëntëdhjetë, imponuan marrëveshje të re imperiale në rajon. Në Kroaci, amerikanët ndihmuan ushtrinë lokale që të shtypte Republikën e rebeluar serbe të Krajinës. Në Bosnjë, SHBA-të bombarduan pozicionet serbe, duke kthyer me vendosmëri baraspeshën e pushtetit në favor të qeverisë qendrore, që i kishte kaluar tri vjet me humbje të mëdha ushtarake. Kështu, amerikanët donin të promovonin jo vetëm paqe, por edhe drejtësi. Pas fushatës ushtarake serbe, me terrorizimin dhe spastrimin e grupeve tjera etnike, ishte e shkruar sipas çdo logjike morale se serbëve do t’u mohohej qëllimi i kohës së luftës për pavarësi prej pjesës tjetër të Bosnjës.
Si rezultat i kësaj erdhi deri te Marrëveshja e Daytonit (1995), një kompromis delikat sipas të cilit serbët (dhe kroatët) u pajtuan të mbeteshin pjesë e shtetit të bashkuar boshnjak. Në këmbim, serbëve iu dha entiteti vetëqeverisës – Republika Sërpska – në gjysmën e territorit të Bosnjës, derisa kroatëve iu dha e drejta për vetëqeverisje të kufizuar brenda federatës së re kroato-boshnjake.
Duke qenë se kishin diktuar kushtet e Daytonit, Shtetet e Bashkuara në fakt u bënë garantuese të marrëveshjes, me mbështetje edhe prej aleatëve europianë. Ujdia i hapte rrugë vendosjes së pranisë së madhe civile në terren, që për qëillim kishte t’i printe Bosnjës drejt paqes së qëndrueshme. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë hyri në këtë mes për të fashitur ndasitë etnike, heshti retorikën nacionaliste dhe më shumë i fokusoi banorët lokalë për çështje të reformës sociale dhe ekonomike në vend se të merrej me territorin dhe kufijtë. Nëse politikanët refuzonin të bashkëpunonin, shkarkoheshin prej posteve me ngritjen e dyshimeve për akuza kriminale. Në terren ishin trupat e NATO-s që po kryenin punën me forcë.
Kur krisi lufta në Kosovë ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe sundimtarëve të tyre në Beograd më 1999, Shtetet e Bashkuara imponuan veten ngjashëm në këtë territor, duke përdorur forcën e madhe për të dëbuar ushtrinë serbe, para se të vendosnin një mision civil, UNMIK, për të bashkuar territorin drejt paqes së qëndrueshme, qysh kishte vepruar në Bosnjë.
Me stabilitetin ende të brishtë në të dy shtetet, konfliktet nacionaliste në vendet e tjera në Ballkanin perëndimor nuk do të duhej të lejoheshin të rrezikonin përpjekjet e papërfunduara të amerikanëve në shtetndërtimin multietnik. Kur minoriteti i pakënaqur shqiptar i Maqedonisë nisi kryengritjen jetëshkurtër më 2001, SHBA-të ndërhynë me një marrëveshje që detyroi shqiptarët të hiqnin dorë prej qëllimit të ndarjes në këmbim të vetëqeverisjes. Maqedonia u mbajt edhe një herë.
Logjikë e ngjashme ishte zbatuar edhe në shtetet e tjera në rajon. Gjatë viteve ‘2000, Shtetet e Bashkuara rritën praninë në Shqipëri, ngadalësuan ndarjen e Malit të Zi me rënien Slobodan Milosheviqit më 2000, u imponuan në Serbi, ku kërkuan reforma demokratike dhe integrim perëndimor në vend të nacionalizmit të diskredituar.
Në këtë drejtim, fundi i viteve nëntëdhjetë dhe fillimi i viteve dymijë, mund të shihen si shënim i restaurimit të rendit në Ballkanin perëndimor pas kaosit të periudhës menjëherë pas prishjes së Jugosllavisë. Me amerikanët në kulmin e zhvillimit, ndihmuar prej fuqisë dhe parasë europiane, nacionalistët dhe separatistët u shfuqizuan dhe multietniciteti ishte kryefajla. Shumë qytetarë lokalë ishin frustruar me marrëveshjen e prirë prej amerikanëve, megjithëse kishte minoritete, si serbët e Bosnjës dhe shqiptarët e Maqedonisë, që po jetonin në shtete të huaja, ose boshnjakët e maqedonasit, që kundërshtonin koncesione territoriale bërë minoriteteve të dhunshme.
Konfrontuar me fuqinë e madhe amerikane dhe me mungesën e ndonjë fuqie tjetër që do të mund t’i qaheshin, popujve nuk u kishin mbetur shumë opsione për ndryshimin e gjërave. Turqia ishte e kënaqur, por edhe e shqetësuar mbi të gjitha me paqen në rrugën kryesore tokësore drejt tregjeve të Europës. Dhe Rusia, teksa tregohej e mëshirshme ndaj ankesave të serbëve, nuk donte të trimëronte separatizmin në vende, si Çeçenia, duke sfiduar rendin e ri në Ballkan.
Sidoqoftë, kjo përpjekje për rend nuk ishte e fundit. Hesapet shkuan mbrapsht në gjysmën e dytë të dekadës së mileniumit të ri, kur amerikanët tërhoqën forcat prej rajonit që të përqendroheshin në çështje më të rëndësishme në pjesë të tjera të botës. Hisja e saj më e madhe ishte përqendruar për orkestrimin e pavarësimit të Kosovës më 2008. Me copën e fundit që po i sillej nëpër nofulla në Ballkan – së paku ashtu qysh e shihte Washingtoni – SHBA-të ia lanë BE-së ta përfundonte punën e transformimit të shteteve të trazuara të rajonit në vende më propseruese dhe të qëndrueshme.
Në termet taktike, BE-ja hartoi një qasje ndryshe prej asaj amerikane, duke zëvendësuar fuqinë e fortë të ushtrisë amerikane me fuqinë e butë të joshjes – pa ushtri të veten, BE-ja nuk kishte ndonjë kërbaç të sajin. Por ajo çfarë ofroi në vend të kësaj ishte një marrëveshje e njohur si «kushtëzim». Brukseli ishte pajtuar prej anës së tij ta pranonte Ballkanin perëndimor në BE, me të gjitha dobitë që vinin prej kësaj pune – para, tregti, liri të lëvizjes dhe mundësi që të gjithë banorët e këtyre shteteve të mos merreshin me prejardhjen etnike në Europën pa kufij. Dhe prej shteteve të rajonit kërkohej të zbatonin kushtet për hyrje në BE, siç ishte vepruar më parë edhe me shtetet e Europës qendrore.
Sidoqoftë, pothuajse prej fillimit disa punë nuk kishin shkuar sipas planit, sepse ballkanasit nuk i kryenin reformat. Thënë troç, shtete e Ballkanit perëndimor ishin të prapambeturit e Europës Lindore, të zhytur në politika të luftës, si dhe me nostalgjinë për socializmin e stilit jugosllav dhe për mungesën e traditës së demokracisë, liberalizmit ose tregjeve të lira.
Nganjëherë BE çoi përpara çështje të rëndësishme në kontekstin perëndimor, si reforma e burgjeve ose të drejtat gjinore, por që nuk kishte prioritet për ballkanasit, që ishin të shqetësuar me shtrirjen e kontrollit në territorin e shtetit, ose me ndryshimin e gjendjes në shtetin ku jetonin. Në kohë të tjera, reformat e domosdoshme ua prenin udhën interesave të elitave, që po pasuroheshin duke drejtuar ekonomitë e kontrolluara.
Shteti më rezistues ishte Bosnja, ku konflikti asnjëherë nuk kishte marrë fund përnjëmend, dhe ku secili grup etnik përdori procesin integrimit për përparimin e qëllimit qenësor politik: centralizimin në rastin e boshnjakëve, ndarjen në rastin e serbëve. Brukseli po ndiqte politikën e një fushe të caktuar dhe parashihte agjenda të reja për kapërcimin e krizës. Boshnjakët kërkonin vetëm një agjenci (të nivelit qendror), serbët ngulmonin në dy (në nivel entiteti, përfshirë një për Republikën Sërpska). Pashmangshëm, këtu hasi sharra në gozhdë.
Kështu, ndërsa politika e kushtëzimit kishte për qëllim të përdorej si mekanizëm për stabilizimin e rajonit, efekti i saj dha krejtësisht të kundërtën. Në mungesë të reformës, rajoni mbeti në qorrsokak, përtej kufirit të jashtëm të BE-së. BE-ja nisi ta humbte kontrollin me shfaqjen e krizës së eurozonës, që paralizoi projektin teleologjik për ndërtimin e një supershteti europian. Dhe derisa po vazhdonte lufta e fjalëve dhe kriza e menaxhimit u shndërrua në normë, BE-ja hoqi dorë prej zgjerimit. Me një mal problemesh për t’iu bërë zgjidhje, Europa duhej të pranonte një koleksion shtetesh të korruptuara, të varfra dhe të ndara në vija etnike, të gjitha me fuqi vetoje dhe me traktatin që obligonte përdorimin e euros.
Në të vërtetë, shumë prej problemeve të BE-së buronin prej Ballkanit. Më e dukshmja ishte kriza e Greqisë me menaxhimin e ekonomisë së saj, që paraqiste kërcënimn fatal për mbijetesën e eurozonës, dhe kështu edhe të BE-së. Por derisa Europa po zhytej në recesion, edhe çështja e migracionit nga Bullgaria dhe Rumania u bë temë qenësore politike – dhe vazhdon të mbetet deri sot, në kohën kur refugjatët dhe emigrantët nga kaosi i Lindjes së Mesme e përdorin Ballkanin si rrugë transitore drejt Europës.
Në këtë kontekst, askush nuk ishte befasuar më 2009 kur kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi publikisht se BE-ja duhet të pauzojë pak politikën e saj të zgjerimit. E gjithë kjo ndikoi në rajon, që e interpretoi këtë si mbyllje. BE-ja për qëllime e interesa të ndryshme, kushtëzoi përparimin e integrimit të Ballkanit perëndimor me sjelljen e tyre të mirë. Dhe krejt çfarë kishte mbetur ishte prospekti se një ditë në të ardhmen pas reformave të shumta, shtetet e rajonit mund t’i bashkohen BE-së, nëse do të kishte plane për zgjerimin e BE-së.
Kjo ndryshoi baraspeshën e rreziqeve dhe mundësive për shtetet aspiruese. Pse të vazhdohet me reforma, në veçanti kur reformat kishin çmimin e shtrenjtë ekonomik? A ishte më BE-ja vend i dëshirueshëm për anëtarësim? Shembulli i Greqisë nuk ishte shenjë inkurajuese, as ai i Kroacisë, që mezi ishte anëtarësuar në BE- më 2013, duke u shndërruar në të sëmurin e ri të Europës. Pastaj ishte Britania e Madhe që po mendonte daljen – dhe që do të votojë këtë muaj për dalje a mbetje në BE.
Anembanë rajonit, procesi i reformave nisi të zvarritej edhe më shumë. Shtetet si Maqedonia e Serbia ndryshuan fokusin e tyre me shikim kah ekonomia në zhvillim të hovshëm, si Turqia, Rusia e Kina. Nisi të pësonte stabiliteti i brendshëm, përkeqësuar edhe më shumë prej recesionit që BE-ja kishte eksportuar në rajon. Shqipëria, Maqedonia dhe shtetet e tjera të rajonit po përjetonin demonstrata masive. Separatistët nisën të sfidonin përsëri rendin e imponuar prej amerikanëve. Në krye të kësaj sfide ishin serbët e Bosnjës.
Kjo nuk do të thotë se nuk është shënuar përparim formal drejt anëtarësimit në BE. Bosnjës dhe Kosovës u është ofruar gjatë viteve të kaluara marrëveshja e stabilizim-asociimit, si hapi i parë në rrugën e anëtarësimit. Shqipërisë iu dha statusi i shtetit kandidat të BE-së. Serbia ka hapur negociatat e anëtarësimit. Mali i Zi, shteti që ka përparuar më së shumti në rajon, ka mbyllur shumë «kapituj» të negociatave. Megjithatë, përparimi burokatik nuk është e thënë të reflektojë në terren – në disa raste, simbolizon të kundërtën.
Më saktësisht, procesi i integrimit është shtirje që u shkon për shtati të gjitha palëve. BE-ja mund të pretendojë se po vazhdon zbatimin e projektit të integrimit edhe në qoftë se eurozona vazhdon të jetë në krizë. Dhe qeveritë e rajonit mund të pretendojnë se po u prijnë vendeve të tyre drejt të ardhmes më të mirë, për çka po shpërbëlehen me para të majme prej Brukselit.
Ka mundësi që një shtet i vogël si Mali i Zi do të anëtarësohet në BE si një pretekst për rritje të besimit, dhe Serbia do të shënojë përparim. Por për shtetet e tjera të Ballkanit, shtegtimi drejt Brukselit do të ngjasojë me atë të Turqisë, aspirueses së përhershme europiane. Në të vërtetë, Ballkani perëndimor edhe një herë ka humbur rrugën.
Zbehja e ndikimit të Perëndimit ka krijuar boshllëk për fuqitë e reja të jashtme, si Rusia, që ka nisur të zbatojë politikë më aktive në Ballkan pas shpërthimit të «luftës së re të ftohtë». Nuk ka asnjë fije dyshimi se Rusia tani ka ndikim të madh në rajon, veçanërisht në vende të krishtera ortodokse, si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria e Greqia. Por përfshirja më e madhe dhe më e rëndësishme po zhvillohet në Bosnjë.
Rusia i ka dhënë krah presidentit kundërthënës të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, është bërë mburojë e serbëve të Bosnjës ndaj akuzave për gjenocid, ka bërë thirrje për dhënien fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, dhe nëse janë korrekte raportet mediatike, ka trimëruar serbët e Bosnjës të përparojnë kërkesat e tyre për pavarësi.
Rusia nuk po mundohet ta përmbysë krejtësisht rendin rajonal. Në vend të kësaj po synon të fuqizojë aleancat, pamundësojë zgjerimin e NATO-s dhe të mbrojë interesat e saj ekonomike në Ballkan. Por kaosi në rajon prapëseprapë mund të vijë si rezultat i këtij angazhimi. Nëse Rusia nuk lihet rehat prej Perëndimit për punën e Ukrainës, Moska do të mund të nxiste krizë serioze për BE-në dhe NATO-n, duke u ndezur dritën jeshile serbëve të Bosnjës.
Pastaj do të niste loja e efektit domino. Dalja e Republika Sërpska do të hapte çështjen e kontestimit të kufijve të Serbisë dhe do të trimëronte serbët e Kosovës të ndaheshin krejtësisht prej popullsisë shqiptare të shtetit të tyre. Kjo do të provokonte minoritetin shqiptar të Serbisë, që jeton në enklavën ngjitur me Kosovën, që të ndaheshin ngjashëm prej Beogradit. Shqiptarët e Maqedonisë pastaj do të kërkonin të ndaheshin prej bashkvendasve sllavë, duke i dhënë zjarr krijimit të «Shqipërisë së Madhe». Kroatët e Bosnjës do të kërkonin integrimin e territorit të tyre me Kroacinë. Dhe shumëkush në Mal të Zi do të kërkonte marrëdhënie të afërta me shtetin e zgjeruar serb. Perëndimi me siguri se do të refuzonte të lejonte rezultat të ngjashëm që mund të nxiste dhunë, por faktet në terren do të ishin kokëforta.
Dhe çfarëdo konflikti i ri në Ballkan do të joshte një gamë më të gjerë faktorësh. Rusia nuk do të bënte sehir dhe nuk do të lejonte të tjerët t’ia përcaktonin rrjedhën zhvillimeve; do të bëhej fjalë për hise të mëdha. Dhe kërkesat e boshnjakëve dhe shqiptarëve myslimanë do të joshnin xhihadistë të huaj, qysh ka ndodhur në luftërat e viteve nëntëdhjetë – veç se me numër më të lartë, duke pasur parasysh islamizmin në rritje në Europën lindore dhe qendrore.
Njëherësh, shumë shtete të BE-së do të mund të shmangnin këtë hallakamë. Kroacia, që së fundi po mban qëndrim gjithnjë e më nacionalist, padyshim se do të ndërhynte në Bosnjë në emër të popullsisë kroate. Bullgaria dhe Greqia do të kërkonin hise të rëndësishme prej fatit të Maqedonisë së prishur pas daljes së shqiptarëve.
Të gjitha këto çojnë drejt një përfundimi të qartë. Me BE-në që po e humb fuqinë e dominimit në Ballkan, ringjallja e nacionalizmit po shfaqet në sipërfaqen e shtratit të pakënaqësisë popullore. Ballkani ka mundësi t’u japë zjarr problemeve të vjetra në Europë, duke e zhytur BE-në në një krizë të re rajonale me potencial të dhunshëm. Kjo mund të mos ndodh nesër, por me zbehjen e ndikimit të BE-së, po afrohet gjithnjë e më shumë dita e numërit së prapthi.
Në kushte ideale, BE-ja do të shmangte këtë mundësi duke rregulluar problemet e saj të brendshme, me ringjalljen e qëllimit të zgjerimit dhe stabilizimit të rajonit me mjete të integrimit, siç edhe ishte planfikuar. Megjithatë, qysh po shkojnë punët, ky duket mendim i dëshirueshëm.
(Autori është drejtor i organizatës për këshilla të rreziqeve politike Nova Europa/pergatiti DialogPlus)