Putin: Nuk kemi hequr dorë nga “Rryma Turke”
Vladimir Putin në konferencën e shtypit pas takimit me kryeministrin izraelit Beniamin Netanjahu në Kremlin tha se Moska nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i tubacionit të gazit i njohur si Rryma Turke”, që do të çojë gazin rus në Evropë.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha se nuk kanë hequr dorë nga projekti “Rryma Turke”, një tubacion që synon të çojë në Evropë gazin rus duke kaluar nga Turqia.
Në konferencën e përbashkët të shtypit mbajtur pas takimit me kryeministrin izraelit Beniamin Netanjahu nëKremlin Putin foli edhe për marrëdhëniet Turqi-Rusi.
“Nuk kemi hequr dorë nga projekti për ndërtimin e gazsjellësit “Rryma Turke”, pavarësisht disa problemeve politike që kemi me Turqinë. Por duhet që Komisioni Evropian të qartësojë pozicionin e vet në lidhje me këtë projekt. Pasi për momentin çështja nuk është e qartë”, u shpreh lideri rus.
Fillimisht Alexej Miller, drejtori i përgjithshëm i kompanisë ruse Gazprom njoftoi në dhjetor 2014 se Putin kishte anuluar ndërtimin e tubacionit të gazit “Rrjedha e Jugut“. Dhe fajin për këtë Putin ia kishte hedhur Bashkimit Evropian.
Pas ndalimit të këtij projekti, Putin njoftoi se Gazprom do të ndërtojë një tubacion gazi me kapacitet prej 63 miliardë metra kub përmes Turqisë, që do të anashkalojë Ukrainën, duke e quajtur projektin “Rryma Turke“.
Ndërkohë bisedimet në projektin e “Rrymës Turke” nuk kishin përparuar për shkak të mos reflektimit në marrëveshjen e arritur më herët për një ulje deri në 10% të çmimit të gazit që kompania ruse “Gazprom” i shet Turqisë.
Më vonë negociatat mbi “Rrymën Turke” u pezulluan pas rrëzimit të avionit luftarak rus të tipit Su-24 nëntorin e kaluar, për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore të Turqisë.
Ra në sy që lideri rus gjatë konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Netanjahu foli edhe për marrëdhëniet Turqi-Izrael.
Rusia i vlerëson si “mjaft pozitive” negociatat për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Turqisë dhe Izraelit. “Si rezultat i ndonjë hapi që do të hidhet nga shtetet dhe popujt do të ndikohet edhe gjendja ndërkombëtare”, u shpreh lideri rus.