Rusia, Breksit dhe shtetet baltike
Analistët politikë thonë se një votë në favor të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian do të ngrinte shqetësime mes shteteve ish-sovjetike në Balltik dhe në Evropën Lindore që tashmë janë anëtare të BE-së dhe kufizohen me Rusinë.
Nëse votuesit britanikë vendosin me anë të referendumi më 23 qershor për të dalë nga BE-ja, ish-shtetet sovjetike Estonia, Letonia dhe Lituania do të kenë arsye të forta për të vënë në pikëpyetje unitetin evropian, thotë drejtori i Institutit të Evropës pranë Akademisë ruse të Shkencave, Alexey Gromyko.
Zoti Gromiko i tha zyrës së Zërit të Amerikës në Moskë se në këtë rast për shtetet baltike dhe Poloninë do të ishte shumë më e vështirë për të vazhduar kundërshtimin e tyre ndaj çdo lloj lehtësimi në marrëdhëniet me Rusinë.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe agresioni në Ukrainën lindore, gjoja për të shpëtuar rusët etnikë kundër atyre që Kremlini i përshkruan si fashistë ukrainas, kanë nxitur frikë mes disave në vendet Baltike.
Gjatë epokës sovjetike, një popullsi e madhe ruse u zhvendos në shtetet baltike. Rreth një e treta e banorëve në Letoni janë rusë.
Shumë pak vetë presin që Rusia të përpiqet të ndërmarrë ndonjë sulm kundër shteteve baltike, ndërsa shumica e njerëzve nuk kanë asnjë interes për t’u bashkuar me Rusinë krahasuar me Bashkimin Evropian.
Në Moskë, turisti leton Klaus Ristaposhin i tha Zërit të Amerikës se shpreson që britanikët të votojnë për të qëndruar në Bashkimin Evropian.
“Nuk mendoj se Anglia do të largohet nga Bashkimi Evropian për shkak se është një vend shumë i dashur për të gjithë ne. Evropa mund të pësojë dëme të rënda nëse Anglia del nga Bashkimi Evropian,” thotë ai.
Shtetet baltike janë gjithashtu anëtare të aleancës mbrojtëse ushtarake të NATO-s. Një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm kundër të 28 vendeve anëtare të NATO-s.
Por nëse Britania del nga BE-ja, pasojat për vendet e NATO-s do të ishin ekonomike dhe politike, pasi shumë vende do të fillonin të shpenzonin më shumë për ushtrinë dhe mbrojtjen për të frenuar Rusinë.
Analistë të tjerë argumentojnë se ndërsa NATO nuk do të ndikohej, uniteti SHBA-BE kundër ringjalljes së Rusisë mund të zbehet.
“Britania e Madhe gjithmonë është konsideruar si partnerja më pro-amerikane brenda Bashkimit”, thotë Alexander Baunov i Qendrës Carnegie në Moskë, dhe shton se “shtetet baltike, Polonia, e disa vende të tjera evropiano-lindore janë të interesuara për më shumë ndikim amerikan në politikën evropiane”.
Duke shprehur besim në aleancën e NATO-s, udhëheqësit e Estonisë i thanë shërbimit rus të Zërit të Amerikës në muajin maj, se çdo veprim ushtarak nga Moska do të ishte qesharak.