Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA dhe BE: Qeveria ta miratojë draftin në parlament

SHBA dhe BE: Qeveria ta miratojë draftin në parlament

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian reaguan pasditen e sotme duke shprehur zhgënjimin  ndaj opozitës për refuzimin e miratimit të reformës në drejtësi.

Në reagimin e saj, SHBA thotë se: Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë.  Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë.

Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje. Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”.

Edhe në njoftimin për media të Bashkimit Europian, thuhet se Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Tiranë shprehin keqardhjen që udhëheqësit politikë në Shqipëri nuk mundën të arrinin të hënën një marrëveshje për reformën në drejtësi.

“Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së.

Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv.

Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshme për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi”.

Please follow and like us: