Thaçi kërkon që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shtruar nevojën që Kosova të ketë Forcat e Armatosura dhe të jetë pjesë e NATO-s. Këto qëndrime, Thaçi, sipas një komunikate për media, i ka shprehur në Bruksel gjatë një takimi që ka zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në takim, thuhet se u bisedua për mundësinë e inicimit të një dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, si dhe për bashkëpunimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) me Aleancën Veri-Atlantike.
Presidenti Thaçi është shprehur po ashtu se FSK-ja është e gatshme që të marrë pjesë në manovrat, por edhe të kontribuojë në misionet paqeruajtëse të NATO-s, sidomos në fushat ku është specializuar.
“Kosova është e vendosur që të bëhet anëtare e NATO-s”, ka thënë Thaçi.
Në takim, sipas komunikatës, sekretari Stolteberg dhe presidenti Thaçi biseduan edhe për përkushtimin e Kosovës për sfidat e sigurisë, radikalizmin dhe terrorizmin. Me këtë rast, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të mbetet e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo ekstremizëm dhe radikalizëm.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë misionin e tij për një ambient të sigurt në Kosovë dhe do të garantojë lirinë e lëvizjes për aq kohë sa është e nevojshme.
Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi se çfarëdo reduktimi i numrit të forcave të NATO-s në Kosovë do të bazohej në përmirësimin e kushteve në terren.