World Vision publikon raport mbi dhunën ndaj fëmijëve
Organizata World Vision publikoi sot Raportin e Mirëqenies së Fëmijëve, ku thuhet se tre të katërtat e fëmijëve të varfër në Shqipëri pohojnë se e kanë ndeshur dhunën dhe abuzimin në jetën e tyre, por më pak se 15% janë gati për t’ia treguar këtë dikujt.
Sipas raportit, në shumë nga zonat më të varfëra të vendit ka pak punonjës për mbrojtjen e fëmijëve, dhe dhjetëra-mijëra fëmijë mund të jenë duke përjetuar dhunë dhe abuzim, pa mbrojtje nga shteti.
Raporti i Mirëqenies Sociale theksoi se programet e ndërgjegjësimit, nuk kanë ndonjë ndikim domethënës, dhe kërkohet mbrojtja e fëmijëve dhe parandalimi i dhunës ndaj tyre.
Gjatë vitit të kaluar kanë përfituar nga programi i mbrojtjes së fëmijëve 8.869 fëmijë, por kjo është e pamjaftueshme.
Mbi 70% e fëmijëve pranojnë se dhuna është e pranishme në jetën e tyre.
Rreth 5% raportojnë nivele të larta të dhunës së vazhdueshme, pra dhuna është një dukuri, që ka marrë përmasa të gjera, thuhet në raport.
Megjithatë, vetëm 15 për qind të fëmijëve dhe prindërve janë gati të denoncojnë dhunën, dhe afro gjysma e të rriturve nuk dinë nëse ka një institucion ku mund ta denoncojnë dhunën ndaj fëmijëve.
“Synimi i qeverisë është që të vendoset një punonjës i mbrojtjes së fëmijëve për 3 mijë fëmijë, por në realitet jemi ende larg, ose 10-20 herë më pak se objektivi” – pohuan vëzhguesit.
Fëmijët përjetojnë nivele të ngjashme dhune me një vit më parë, theksoi studimi i organizatës World Vision.