A do ta votojë Blushi draftin e reformës në drejtësi
Deputeti socialist Ben Blushi ishte i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Ora Neës. Në të u preken tema të shumta të aktualitetit politik dhe padyshim nuk u la mënjanë edhe reforma në drejtësi. Palët janë duke llogaritur çdo votë dhe në këtë pikë Blushi ka zbuluar në cilin krah qëndron.
“Absolutisht që do ta votoj. Unë kam të paktën 6 muaj që them në Parlament që drafti do të vonohet për shkak se të dyja palët duan që ta inxhinierojnë reformën në drejtësi dhe kam thënë për këtë shkak do të vonohet dhe po vonohet. Natyrisht ditën që vjen, që sot, vota ime është pro reformës. Sepse nuk ka rrugë tjetër. Ky sistem që vjen shpresoj që të jetë më i mirë sesa ky që kemi. E para mund të krijojë pak më shumë entuziazëm, ku njerëzit do të thonë dale se paska përpjekje, pavarësisht se inxhinieruan apo e manipuluan dy partitë e mëdha. E dyta ka një masë garancie më të madhe se mund të jetë më pak i monitoruar nga faktori ndërkombëtar, çka na jep disa arsye se mund të kemi pak më shumë drejtësi për të ndëshkuar ata që nuk ndëshkohen. Se ndëshkim për të varfrit në Shqipëri ka pasur në 100 vitet e fundit, vetëm të varfrit janë ndëshkuar. Të pasurit nuk janë ndëshkuar” –tha Blushi.