Ambasada amerikane zbut deklaratën për opozitën, sqaron termin fleksibilitet
Zëri i Amerikës ka mësuar arsyen se përse ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi dje se ndërsa “Qeveria shfaqi fleksibilitet, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë”, në takimin e realizuar të hënën mes kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Partisë demokratike. Burime ndërkombëtare shpjeguan se SHBA-të dhe BE-ja i paraqitën qeverisë dhe opozitës, javën e shkuar një plan kompromisi për reformën në drejtësi. Plani, i cili i paraprinte takimit mes dy udhëheqësve politik shqiptarë, iu kërkonte të dy palëve të përshtasnin pozicionet e tyre. Burimet saktësuan se “Qeveria e pranoi planin e kompromisit 100%. Opozita pranoi shumë nga aspektet e propozimit por këmbënguli për metodën e vendeve të rezervuara për përzgjedhjen e këshillave të ndryshme”. Pikërisht kjo këmbëngulje nga ana e PD është motivi pse Ambasada e SHBA-ve u shpreh se opozita nuk dëshmoi fleksibilitet.
Fjalën e tij sot në parlament kryeministri Edi Rama e nisi duke ju referuar pikërisht deklaratës së ambasadës amerikane, e cila sipas tij “konfirmon pa asnjë ekuivok se drafti që tanimë ka hyrë në rrugën për të ardhur drejt sallës nuk është drafti i Partisë Socialiste, nuk është drafti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk është drafti i partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, nuk është drafti i shumicës parlamentare, por është drafti i përbashkët i yni, i shqiptareve, i SHBA dhe i BE. E faktikisht deklarata e djeshme ishte shprehja kuptimplotë e bashkautorëve të një drafti ku mungon vetëm Partia Demokratike”
Duke përsëritur dhe një herë se projekti i Reformës do t’i shkojë tanimë parlamentit për votim, sic e kishte deklaruar dhe të hënën në përfundim të takimit me zotin Basha, kryeministri u shpreh megjithatë i hapur për dialog, duke saktësuar se variantin e vendeve të rezervuara nuk e pranon: “Ne do të vazhdojmë t’ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit, duke mbajtur hapur derën e negociatave. As nuk diskutohet se reforma me ju ose pa ju do të bëhet. Në pyetje është vetëm çmimi që ajo do të ketë. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim. Vendet e rezervuara ne nuk i pranojmë”.
Formula e vendeve të rezervuara do të thotë një ndarje proporcionale mes shumicës dhe opozitës të emërimeve që do të realizohen nga parlamenti. Ashtu si dhe mbrëmë, kur si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së ambasadës amerikane, publikoi komunikimet me email në periudhën shkurt prill me misionin amerikan Opdat, edhe sot deputeti Oerd Bylykbashi nënvizoi se “ajo që ne propozojmë është e propozuar e zezë mbi të bardhë nga Komisioni i Venecias, paragrafi 17 i raportit final, fusnot-i 4, thotë: 2 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga opozita dhe 3 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga mazhoranca. Kaq e thjeshtë”.
Sipas zotit Bylykbashi deklarimet e kryeministrit për të cuar drejt votimit projektin e reformës, në kushtet kur shumica nuk i ka numrat e nevojshëm në sallë dëshmojnë se “ose parlamenti do të gëlojë nga koprrupsioni politik nëpërmjet blerjes së deputetëve dhe ky do të ishte një turp i madh dhe një rrënim jo për këtë parlament por për politikën shqiptare, ose ky zotëri që do të ishte më e mundshmja që mund të ndodhë, nuk i ka këto vota dhe duke mos i patur këto vota kjo i intereson atij dhe partnerëve të tij në qeveri. Sepse me 94 vota të pabëra reforma në drejtësi dështon dhe kushtetuta e përcakton të zezë mbi të bardhë, në nenin 177 “reforma në drejtësi për kënaqësi të kryeministrit do të shtyhet me një vit”.
Për zotin Bylykbashi, “zgjidhja është fare e thjeshtë. Mjafton që kryeministri të pranojë variantin e vendeve të rezervuara”.
Ambasada amerikane në deklaratën e saj të djeshme shprehej se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë. Sot pasdite parlamenti njoftoi se projekti i Reformës është përfshirë në rendin e punimeve të tre javëve të ardhshme të tij. Por kryetari I gupit parlamentar demokrat Edi Paloka mohoi që kjo çështje të ishte diskutuar në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve. Sipas tij futja fshehur e projektit të Reformës në kalendar “përbën një skandal”.